HAPI RRUGË BALLISTIT...- OPINION NGA FRROK ÇUPI

HAPI RRUGË BALLISTIT...- OPINION NGA FRROK ÇUPI
Nga FRROK ÇUPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Në fakt, ai mund të mos burgoset, as të ekstradohet, por edhe që t’i hapet rrugë... kjo është e rëndë. Jo për gjë, por sepse nga mëngjesi deri në mbrëmje njerëzit ankohen me njëri-tjetrin, pijnë bidona me raki, thithin kilogramë karbon nga cigaret e pafund, zhyten në injorancë e në mëkate dhe ankohen për “Ballistin”.

Jo thjesht për Ballist Morinën, këtë tipin që e kthyen në “ikonë të kombit”, por për çdo tjetër të kësaj kategorie. Po ju kujtoj vetëm shprehjen emblematike mençurore, që e përdorin kafe më kafe, dasmë më dasmë e mort më mort. Mençuria është: “Pse jemi ne në këtë gjendje?!.. Se gjithë jetën kemi thënë ‘hapi rrugë budallait’”.

Hapi rrugën edhe “Ballistit”... Jam kundër burgosjes së tij e çdo mitomani tjetër, por pse t’u hapim rrugë?!... Shikoj shumë njerëz që duan të na e vënë në krye...

Për këta tipa nacionalistë e bërtitës do të doja të bëja një pyetje: Vallë këtë Ballistinqë e ngrejnë në krye të kombit, a do ta vinin në krye të tyre? Më qartë: Vallë a do ta bënte dikush dhëndërr ose kunat? A do ta ftonte njeri në vilën e vet për një vakancë? A do të pranonte dikush që të bëhej si Ballisti?..., sepse nuk është e vështirë, bëj një e dy marrëzi dhe je “Ballisti”. Dje dhe pardje kanë dalë njerëz në rrugët  Tiranës dhe kanë ‘protestuar’ për Ballistin. Madje, sot kjo turmë duhet të jetë duke shkruar në mediat sociale...., o Zot me çfarë zelli.

Po çfarë kërkojnë: Që t’i hapet rrugë Ballistit?

Po pse ndodh kjo?

1.

Kam frikë se po ndodh ajo që u konstatua që në shekullin 16, që marrëzia magjeps. Nuk kemi pak raste në historinë tonë njerëzore që marrëzinë e kemi ngritur në kult. Kemi në Gjirokastër “Sokakun e të Marrëve”. Kemi “Anijen e të Marrëve”, kemi “Margonë e të Marrëve”, kemi “Vallen e të Marrëve”.... Marrëzia e “Ballistit” u çmua aq shumë në Ballkan, saqë shkaktoi turbullira. Marrëzia mund të merret përsëri si hierarki duke burgosur “Ballistin”. Në fund të fundit, marrëzia përjetësisht ka kërkuar hierarki, burgosje, vëmendje. Vetëm kur Europa nxori të marrët nga burgjet në kështjella në shekullin 16, atëherë nisi të lirohet nga e keqja. Se (fatkeqësisht po kthehem te ky), vallë çfarë bëri Ballisti më shumë se një marrëzi: Mori një mjet fluturues (dron), hipi në një pemë a në një kishë, shtypi sustën dhe e hodhi në stadiumin e Beogradit dhe prishi ndeshjen  futbollit mes kombeve... Faji është i atyre që “po i hapin rrugë” që nga tetori i vitit 2014.

2.

Marrëzia është “e lehtë” për t’u absorbuar nga cilido. Kjo e “lehtëson” edhe gremisjen e vlerave. Dituria fitohet jo përmes marrëzisë, por në të kundërtën. Ndërsa në mënyrë të lehtë i marrim “dijet” nga “Ballisti” si kategori. Ky ka krijuar një hartë allasoj, ndryshe nga harta e vërtetë e Atdheut tonë (madje ndryshe edhe nga e ashtuquajtura Shqipëri Etnike) dhe ka mahnitur njerëz me “diturinë”. Ka inkluduar në hartë edhe një rajon të Malit të Zi që nuk ka qenë kurrë pjesë shqiptare, as ka shqiptarë dhe i ka mahnitur njerëzit. Me këto ”dituri”, Ballist Morina, në fakt, ka poshtëruar kombin shqiptar; por këta këtu gëzohen pse ai “paska poshtëruar serbët dhe malazezët”. Kombit shqiptar i ka krijuar një “hartë” të re, me një sfond të zi, në simbolin që po tremb rruzullin dhe që quhet ‘Shtet Islamik’. Nuk ia kemi për borxh askujt që të na fusë në këto paragjykime, e jo më një mitomani që thotë se është patrioti ynë...

Këto janë “dijet” që shumëkush i absorbon më kollaj në këtë mënyrë se sa duke u menduar pak, ose duke u lodhur sadopak.

Shiko çfarë na ndodh duke hapur rrugën... Filozofi Michel Faucault, bash në lidhje me këto raste, ka shkruar se “marrëzia është më e mirë se kafshëria”. Sepse “marrëzia magjeps, ajo është dije”... Por ironia e shkencëtarit bëhet kundër turmës që pret të marrë dituri “pa u lodhur”. Por ata që magjepsen prej marrëzisë nuk janë fajtorë, thotë filozofi. Ata thjesht e rrënojnë të ardhmen e tyre duke e lëshuar poshtë e më poshtë. “Në fillim ata magjepsen, pastaj mund të magjepsen edhe një herë tjetër, pastaj zbaviten dhe më në fund nuk kanë asgjë në mendje, mbajnë mend vetëm marrëzinë”, - shkruan Faukault.

3.

Atëherë, përsëri kthimi te ‘hapi rrugë budallait”, që thuhet rëndom. Mitomani dhe budallai nuk janë kurrë fajtorë; nuk e di pse Kroacia apo Beogradi duan të burgosin “Ballistin”!

Apo për të na e kthyer ne shqiptarëve si “pare të lartë” dhe ne ta bëjmë flamur “të zi”?!. Rruga “e budallait” është si Kashta e Kumtrit, në invers. Atje ku lë gjurmë, aty kalon tërë e keqja, që shpesh shqiptarët thonë “vetë e patëm fajin, i hapëm rrugë”. Fillimisht, “rruga” provokon me “vlerën”. Kombet me vlerë nuk e kanë për zakon që t’i bien më qafë fqinjit, përkundrazi, shpalosin virtytin. Ne shqiptarët jemi mburrur me të drejtë se kurrë nuk i kemi shpallur luftë fqinjit, por edhe fqinjët nuk na kanë sulmuar, siç edhe ka ndodhur me kombet në fqinjësi gjatë historisë. Kjo është vlera. Mitomani tenton ta prishë këtë “ndërtesë” vlere historike dhe ne “i hapim rrugë” si të ishte vetë Vlera.... Pastaj provokon me simbolin tënd kombëtar. Ti e lejon që të ta njollosë flamurin, të ta shfytyrojë hartën, të të pikturojë një shtet surrogato, të të krahasojë me një krijesë monstër antinjerëzore siç është “ISIS”. Në rregull? Pse? Se “po vepron kundër serbit”. Ja kështu të hyn e keqja nga dritarja e nacionalizmit...

Pastaj të provokon ligjin. Ligji tani është “komb”, sepse jetojmë në epokë shteti dhe shteti është kombëtar. Ai mban një ose dy pistoleta të paligjshme në stadium... Dhe ti i thua “kalo” sepse “je Ballist”. Po ata që nuk janë “ballistë” a duhet të mbajnë kobure pa leje?, a duhet të qesin pushkë në pazar?, a duhet të kërcënojnë paqen?, a duhet të vrasin?... Po! - kështu i bie. A i ke hapur rrugën atij? Atëherë nuk ka më rrugë për Vlerën...

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: