I shaktuan dëm shtetit 1.5 milionë USD, “arrest me burg” për drejtuesit e "Kurum"

I shaktuan dëm shtetit 1.5 milionë USD, “arrest me burg” për drejtuesit e "Kurum"
Gjykata e Elbasanit ka dhënë masën e sigurimit personal “arrest në burg” për dy drejtues të “Kurum”, pasi dyshohet se krijuan një skemë mashtruese me rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke i shkaktuar shtetit një dëm ekonomik më vlerë 1.5 milionë dollarë.

Ish-administratori i kompanisë “Kurum”, Koray Zeytinoglu dhe ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin paraqitën fatura fiktive për shitblerje të paqena me disa kompani të tjera.

Togat e zeza u bindën nga provat paraqitura ndaj dhe i dhanë të drejtë Prokurorisë së Elbasanit që kërkonte mbajtjen në qeli deri në përfundim të hetimeve të dy zyrtarëve të kompanisë “Kurum International”.

Po me kërkesë të organit të akuzës, gjykata ka vendosur sekuestro mbi llogaritë bankare të kompanisë Kurum.

Ish-administratori i kompanisë “Kurum”, Koray Zeytinoglu dhe ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu dyshohet se, nëpërmjet faturave fiktive, kanë deklaruar se kanë kryer aktivitet shit-blerje në vitin 2011 me disa kompani të regjistruara në qytetin e Laçit. Në bazë të dyshimeve të arsyeshme, mbështetur në prova, Prokuroria kërkoi nga gjykata caktimin e masës “arrest me burg” për këta dy shtetas, e cila u pranua nga ana e gjykatës.

“Sot në mbrëmje u ekzekutua vendimin i masës së arrestit për ish-administratorin e Kurum, Koray Zeytinoglu, ndërkohë që është shpallur në kërkim ish-Drejtori i Skrapit, Yucel Aksu, i cili rezulton të jetë larguar nga territori i Republikës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Fillimisht, hetimi nisi nga Prokuroria e Kurbinit, e cila kishte regjistruar procedimin penal për “Falsifikim të vulave e stampave”; “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve penale” për 4 kompani që kishin të deklaruar si vend ushtrimi aktiviteti për mbledhjen e përpunimin e skrapit në qytetin e Laçit. Këto kompani ishin “Kurbini” shpk; “Erad&XHT”; “R&B2011” dhe “Kavaja Co”. Në bazë të veprimeve hetimore të Prokurorisë së Kurbinit, u krijuan dyshime të arsyeshme se këto kompani shërbenin si mbulesë për aktivitetin e paligjshëm të ish-drejtuesve të kompanisë “Kurum International”, e cila ushtronte aktivitetin në qytetin e Elbasanit./l.k/

(Foto: Google)

Shpërndajeni me miqtë tuaj: