Juliano premton emra të mëdhenj te Partizani, Demi: Trajneri i ri, simpatik

Juliano premton emra të mëdhenj te Partizani, Demi: Trajneri i ri, simpatik
Është kënaqësi t’ju njoh, një kënaqësi të kem këtë staf në dispozicion. Unë jam trajneri i katërt Italian, por jam Juliano, e vetmja gjë e përbashkët që kam me ta është se jam italian,” – thotë trajneri i ri i Partizanit, ish-juventini Mark Juliano.

“Italianët nuk janë të gjithë njëlloj, si shqiptarët nuk janë njëlloj, secili ka idetë e tij. Tek Partizani më është kërkuar vetëm një objektiv, të mundohem të fitoj. Nga e kaluara më nevojitet vetëm të di nga vijnë lojtarët, ky klub, ku duhet të arrijnë. Pjesa tjetër do të jetë komplet ndryshe për mua, për klubin dhe për lojtarët,” – theksoi ai më tej.

Njohuritë që ka për Partizanin

“Partizanin kam filluar ta studioj që në kontaktet e para që kisha me klubin. Kam parë praktikisht thuajse të gjitha ndeshjet e kampionatit të kaluar. Për disa lojtarë, të gjithë historinë futbollsitike të tyre, si për moshën, evolucionin teknik, taktik, fizik dhe deri ku kanë mbërritur këtu te Partizani.”

Për merkaton

“Para ndeshjeve, merkatoja u bë për Ligën e Europës. Unë do të flas për ata lojtarë që do të kem, jo ata që ishin”.

Për afrimin te Partizani

“I dini raportet që më lidhin me këshilltarin e presidentit, z. Moxhi, personi që ka krijuar fitoren në futboll, fitoret e mëdha. Ai njihet në të gjithë botën për cilësitë e tij. Fakti që ka menduar për mua më bën krenar, nuk mendova asnjëherë që të refuzoja, tani që njoha presidentin personalisht jam i kënaqur edhe më shumë dhe do të bëj maksimumin që ta bëj Partizanin ekipin më të njohur shqiptar.”|

Për mungesën e eksperiencës

“Jam trajner i ri, por i vjetër si lojtar. Kam drejtuar në të gjitha kategoritë, nga të vegjlit, deri te të mëdhenjtë. Kam marrë një skuadër të fundit në klasifikim dhe thuajse e çova në play-off në një fazë të vetme. Qëndrova te Latina për mirënjohje dhe aty ndoshta ishte gabimi, se nuk munda të punoja si desha, ndaj u ndala. Prita klubin e duhur, skuadrën e duhur, për të bërë atë që mendoj se di të bëj. Për të punuar që të fitoj, jo të punoj për të jetuar.”

Për vështirësitë që pret

“Nuk mendoj se është e lehtë të fitosh në Shqipëri, kam studiuar kampionatin, janë trajnerë italianë që kanë bërë mirë dhe kanë hapur rrugën për të tjerët. Mendoj se e kanë bërë në mënyrë serioze dhe të rëndësishme nga De Biazi në kombëtare, me Tramexanin e Panuçin që tani është trajenri i ri, me të cilin do të punojmë bashkë.”

“Duke studiuar këtë kampionat, futbollistët shqiptarë, rezulton se nuk është vetëm futbolli fizik që mendohej, por ka lojtarë të jashtëzakonshëm nga pikëpamja teknike. Atyre as unë, as Panuçi, as trajnerë të tjerë nuk duhet t’u mësojmë asgjë teknikisht, por duhen drejtuar nga disiplina taktike. Kam parë shumë ndeshje ku shumë lojtarë nuk shkonin në të njëjtin drejtim, ose taktikisht nuk punonin si skuadër.”

“Unë dhe stafi im duhet të bëjmë gjërat për Partizanin, jemi këtu për të përmirësuar ku mund të rriten lojtarët shqiptarë. Nuk kemi ardhur të ndryshojmë Shqipërinë, në disa gjëra na e keni mësuar ju ne çfarë të bëjmë. Por ka disa karakteristika futbollistësh a trajnerësh që të bashkuara me teknikën dhe eksperiencën mund të krijojnë diçka të rëndëishme. Ajo që kërkon presidenti, i cili është lodhur duke mos fituar.”

Për ndikimin e trajnerëve

“Kam pasur fatin të kisha trajnerë nga më të mëdhenjtë e futbollit modern si Lipi, Kapelo e Ançeloti. Me siguri më kanë ndihmuar sidomos në vitet e fundit, kur i shihja jo më si futbollist por duke studiuar, duke e parë se si i bënin disa gjëra. Por pasi thashë këtë, të imitosh të tjerët nuk të çon askund. Nëse ke idetë e tua të vlefshme dhe ia kalon lojtarëve, si dhe ke fatin të kesh pas krahëve një klub që të mbështet, është gjithçka më e lehtë. I sheh rezultatet në fushë dhe në lojë, në ide”.

Për afrimet në merkato

“Po punojmë që të afrojmë lojtarë. Po vlerësojmë disa figura, për të arritur të gatshëm në grumbullimin italian të Kasha, me një grup të fortë, që shkon në të njëjtin drejtim. Përbërësit shqiptarë mendoj se do të jenë më të rëndësishmit në këtë grup, në stafin teknik. Sigurisht disa janë në këtë sallë bashkë me ne.”

Objektivat në merkato

“E keni parë që kanë ikur disa lojtarë. Natyrisht, në vend të disa lojtarëve në repartet që janë larguar, do integrohen futbollistët e duhur. Po kërkojmë të rëndësishëm, lojtarë që do të bëjnë diferencën. Nuk ka rëndësi nëse janë shqiptarë apo italianë, mendoj se shpejt do të keni lajme të mira, se kam fatin që klubi po punon shpejt e mire. Do të kem në grumbullim më 10 gusht ndoshta thuajse të gjithë skuadrën që dua. Me siguri po mendoni për sulmuesit, rolin që po lëvizim për të plotësuar në merkato, sepse pjesa tjetër e skuadrës është thuajse gati dhe ka një bazë shumë të forte.”

Demi: Trajneri Juliano, simpatik dhe plot energji

“Partizani s’ka arritur të marrë akoma një trofe pavarësisht se kemi qenë në garë deri në momentet e fundit. Pa hequr dorë nga gjërat që janë bërë në të shkuarën, shoqëria ka filluar të bëjë një organizim të ri, në vrazhdën dhe të investimit të madh në Akademi. Moxhi do të jetë këshilltar i përgjithshëm jo vetëm për skuadrën e parë, por për të gjithë sport klub Partizanin,’ – theksoi presidenti Gaz Demi, në prezantimin e trajnerit Mark Juliano.

“Moggi na solli një djalosh simpatik në pamje, por që flitet që është edhe një trajner i niveleve të mira për kushtet e futbollit shqiptar. Shpresoj që këtë vit të fitojmë titullin kampion dhe të ecim sa më larg në Kupat e Europës. Juliano ka një eksperiencë 10-vjeçare si trajner, e ka marrë shumë seriozisht punën për ta ndihmuar skuadrën që të ecë sa më mirë. Të gjitha do t’i tregojë koha, ne të gjithë si drejtues, jemi seriozë për një ecuri sa më të mirë të Partizanit.

Largimi i Starovës

“Për sa i përket Starovës, do të jetë në stafin e Partizanit, por nuk dua të flas për zhgënjimet e sezonit të kaluar, pasi sot do prezantojmë trajnerin e ri. Juliano ka energji më të madhe se trajnerët e tjerë, si dhe pamjen e ka më simpatike si dhe shumë serioz.”

Rikthimi i Genc Tomorit

“Genc Tomori nuk është larguar asnjëherë nga Partizani. Edhe kur unë nuk kam qenë, ai ishte pjesë e klubit. Genci nëse ka dhënë dorëheqjen nga drejtor i përgjithshëm është një njeri me karakter, që nuk mund ta lerë presidentin dhe ndërmarrjen në rrugë. E sigurt është që ai do të jetë brenda Partizanit, nuk ka rëndësi posti.”

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: