Kanabisi i Vlorës, gjykata lë në burg 8 poseduesit, lirohet një nga policët

Kanabisi i Vlorës, gjykata lë në burg 8 poseduesit, lirohet një nga policët
Lirohet nga akuzat e trafikut të drogës inspektori i policisë, ndërsa të ndaluarit e tjerë 8 u ridërguan në qeli.

Gjykata e Vlorës, në seancën e mbyllur për publikun, ka përcaktuar masat e sigurisë për 9 personat e arrestuar në Vlorë, pas sekuestrimit të 15 tonëve kanabis.

Masa e arrestit “burg pa afat” u dha për 8 të arrestuarit dhe një “detyrim paraqitje”, për inspektorin Avdyl Sinanaj, 56 vjeç, me detyrë Specialist Zone në Komisariatin e Policisë Vlorë. Ai akuzohet për “Shpërdorim detyre”, por prokuroria nuk kishte sjellë prova të mjaftueshme për ta mbajtur në qeli policin.

Vendimi i gjykatës la në burg inspektorin Lirim Lamaj, 49 vjeç, me detyrë Specialist Zone në Komisariatin e Policisë Vlorë, nën akuzat; “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Shpërdorim detyre”.

Të njëjtin fat ka pasur edhe Astrit Lamaj (vëllai i Lirim Lamajt), 37 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, ai u la në qeli pasi akuzohet për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”.

Togat e zeza dhanë masën e “arrestit me burg” edhe për Balil Gjatën, 69 vjeç, me detyrë Kryeplak i fshatit Drithas, arrestuar për veprat penale; “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”.

Në burg u ridërguan po ashtu edhe babë e bir, Myzafer e Ervin Tushaj, përkatësisht 66 dhe 42 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë, pasi nga deponimet e Z.A., ata kishin magazinuar lëndën narkotike në shtëpinë e këtij të fundit.

Gjykata la në burg 58-vjeçarin, Rakip Arapaj, banues në fshatin Drithas, Vlorë, pasi prokuroria solli si provë të pakundërshtueshme për të sasinë e drogës gjetur në banesën e tij.

Përpos moshës së thyer, masa e arrestit me burg u dha edhe për Kudret Tushaj, 71 vjeç, banues në fshatin Drithas, Vlorë.

Për Elion Tafilin, 43 vjeç, banues në fshatin Llakatund, Vlorë gjykata vendosi se duhet të qëndrojë deri në fund të hetimeve në qeli./l.k/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: