KOSOVA S'KA QEN- OPINION NGA EDISON YPI

KOSOVA S'KA QEN- OPINION NGA EDISON YPI
Nga EDISON YPI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Më pat marrë malli për perrinë e Sharrit, hyjninë e Istogut, eleganten e Prizrenit. Anipse e korruptuar dhe e islamizuar, po digjesha për hiret, nazet e Saj, me ja bo ca komplimenta, ca ledhatime, me e kap për qafe, me e puth në faqe. Mezi po duroja me ja heq Kosovës të gjitha rrobat. Dorpërdore me Kosovën cullak dhe flokët që ja merr era, me shetit nga Kaçaniku në Leposaviq, nga Deçani në Kamenicë.

Nuk u nisa në Kosovë se më mori malli për imamët rrogëtarë pëllitës, as për ministrat hajduta. U nisa në Kosovë për qef. Kur kisha bërë disa kilometra drejt Prizrenit, nuk po u besoja syve; Ku janë qentë e shtypur me zorrë përjashta nga rrotat e makinave si në autostradat e Shqipërisë? Këtu makina ka, pse s'ka edhe qen të shtypur nga rrotat? Ku po e çon breshka e progresit këtë vend me makina dhe rrota, por pa pellgje gjaku qensh të shtypur?

Deri në Kukës pashë të paktën dhjetë qen të shpartallum nga rrotat e makinave. Shqipëria është plot me qen, makina, rrota. Në Tiranë vetëm rrotull shtëpisë tima janë nja shtatë a tetë që kanë qënë spiunë dhe tani mbahen për demokratë të dorës së parë. Mijëra të tjerë me kryt nga hëna kuisin nëpër zyra e nëpër rrëza, pranë restoranteve, nëpër sheshe, ca zgjuar duke marrë frymë me zor, të tjerë kutullaç duke fjetur, duke dremitur, duke u krruajtur. I habitur nga kjo asimetri numerike qensh të shtypur nga rrotat, ndala në Suharekë.

Rrotull kasapit të Suharekës, asnjë qen. Ky konstatim u bë sebep të më shtohet interesimi për me mësu më tepër për qentë e Kosovës të cilët mungonin edhe aty ku gjithmonë janë prezent, në thertore. Ku janë, si janë, çfarë hanë, çfarë lëpijnë vallë qentë kosovarë? Në një Restorant pa qen te dera dhe as brenda, mik i hershëm nga Dobërdalani po ha e pi me dikend me mustaqe të trasha si degustator birre dhe një tjetër me një seriozitet epik në surrat sikur sapo ka dalë nga një ep.

Ne kosovarët, tha miku nga Dobërdalani, nuk kemi pyje të prerë, nuk kemi kamarierë që të shajnë nga mami po u hyre në restorant, nuk kemi qen zorraxhinj nëpër rrugë e nëpër kazana. Autostrada nuk është për ty. Kalo nga Budakova.

Bëra si tha miku. Duke u ngjitur në drejtim të Bjeshkës, para Budakovës, një kalimtar që s'dukej si qen më qartësoi; Kemi kryesisht qen stani me e rujt bagëtinë mos me e ça ujku. Nuk mundesh me i pa qent e stanit se janë larg në bjeshkë. Në katund kemi qen seriozë, qen gjahu. Për qen kockash, qen rrugësh, qen plehrash, nuk bëhet fjalë.

Budakova është një ballkon natyror prej nga mundesh me pa gjysmën e Kosovës pa qen dhe një copë shqipërie që po ta shohësh me dylbi është plot me qen. Disa budakovarë të rinj në verandën e një lokali; Kemi shpia, kemi kerra, kemi UÇK, kemi emigracion, kemi pare.

Kemi dhe një kerr të policisë serbe që deshte me na shkel si kerrat e Shqipnis shkelin qent. Atë kerr kriminel, ne budakovarët trima e dogjëm gjatë luftës. Qenin e djegur e kemi vu anës rrugës si muzeum në natyrë. Qen si ata që thua zotrote nuk kemi. I shmangem me kujdes ftesës insistuese të budakovarëve për me ndejt për drekë e darkë me mish e pilaf e muhabet, dhe bëj tutje.

Tabelat e panumurta të rrugëve nuk kanë emra qensh, emra atentatorësh halabakë, si rrugët e Shqipërisë. Kanë emra luftëtarësh të UÇK. Katunde mahnitëse njëri më i bukur se tjetri, fusha të mbjella, panorama pyjesh dhe shkëmbinjsh në të majtë e të djathtë rrëshqasin si në dy filma që çfaqen njëkohësisht për secilin sy.

Shtëpitë, kopështet, arat, gjithçka e skalitur, gjithçka si e vizatume me kompjuter. Por, çudi e madhe, asnjë qen. Asnjë qen edhe pranë apo brenda disa restoranteve në vende turistike ku kamarierët përgjigjen me mirsjellje për gjithçka i pyet. Kalimtari, çuni i minimarketit, shoferi i furgonit, një çoban, një fëmijë me çantë shpine, çika që pret autobuzin, për çfarë i pyet të gjithë pa përjashtim të përgjigjen si njerëz, jo si qen.

Diku në një burim në majë të malit që u qujtke "Kroi i Mbretit", kosovarë e kosovaresha kanë ndal makinat, po pijnë ujë, po freskohen e po çlodhen duke kqyrur pamjen sy-lumturuese.

Pranë burimit duke lëpi mbeturinat, duke u krrujt a duke flejt, asnjë qen. Më tutje, ku mbaron bjeshka dhe fillon fusha, kompleksin modern të banjave nuk e ka ndërtu një qen për qentë por një njeri për njerzit. Në Ferizaj, brenda në qytet, mundesh me kqyr nëpër qoshe, vrima, zgavra, para, mbrapa, afër, larg, majtas, djathtas, por nuk sheh asnjë qen.

Në mes të qytetit, ku është një rrethrrotullim, ka restoranta ku klasa puntore e lodhur nga puna ndërtimtare ha me qef Pasul dhe pi birrë.

Por kurrkund nuk ka qen që hanë mbeturina, lëpijnë kocka, apo sillen kot.  Një, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, qytetarë të Ferizajt kur i pyta; Ku jan qent, ku i keni qent, ku i mbani qent? ngritën supet të habitur sikur u fola vjetnamezçe. Me siguri më kan qujt budall Shqipnie që ka ardh me pa qen ku qen s'gjen. Para Çajtores, rretheqark Spitalit, pranë farkëtarit, ku shiten pjesë për kompjutera, ku gdhenden çelsa, ku shiten rroba, asnjë qen. Kullufita një tas argjili me Pasul.

Pas Pasulit më kapi paniku. Hamendja ndjellakeqe se pavarsisht se s'ka qen në Ferizaj mund të ketë qen në Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, ma bëri trurin përshesh. E pata bo në men me flejt një natë në Prishtinë. Jo. Nuk do fle në Prishtinë. Për mos me e prish magjinë e Kosovës ku s'ka asnjë qen, do kthehem në Tiranë ku të gjithë janë qen. Prej Ferizajt deri në Fush Kosovë ku nis autostrada për Morini, asnjë qen, as i gjallë as i shtypur nga rrotat.

Në Fush Kosovë mora një autostopist. Jam drenicak, tha autostopisti. Jam elektricist. Punoj në Prishtinë. Ja ndreq korentin shqiptarit. Ja ndreq korentin edhe shkaut. Ndjej kënaqësi kur bëj sikur nuk kuptoj serbisht dhe shkau detyrohet me më fol Shqip. Çfar qensh more. Nuk ka qen Kosova. Kemi qen rrace, qen stani, qen gjahu. Nuk kemi qen langaraqë, buçe, bushtra që gërmojnë nëpër plehra me lëpi kocka. Jam mysliman. Kujdesem të mos jem unë më tepër musliman se shkau është ortodoks. Mbaj Ramazan. Nëse një shqiptar Shqipnie më vjen mysafir gjatë Ramazanit, nuk e kam problem ta prish agjërimin me raki, mish e pilaf.

Nuk besoj se Shqipnia ësht plot me qen dhe Kosova plot me njerëz. Duket ashtu sepse ju të Shqipnis qentë nuk i lidhni, i lini të livadhisin. Ne të Kosovës, qentë i lidhim, ose i vrasim. Faleminderit drenicak. Faleminderit që ma zbukurove udhëtimin që e nisa me qef, e mbarova me qen.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: