Kreditë me probleme, ende telash për bankat

Kreditë me probleme, ende telash për bankat
Kreditë me probleme, vazhdojnë që të mbeten ende një problem për bankat shqiptare. Këtë e konfirmon vetë Banka e Shqipërisë duke marrë në analizë aktivitetin e saj të mbikëqyrjes, ku përfshihet edhe ai mbi ecurinë e kredive që publiku i njeh me termin “të këqija”. “Megjithë ecurinë në pakësimin e kredive me probleme, stoku i tyre apo treguesit përkatës vijojnë të mbeten në nivele të larta”, citojnë ekspertët lidhur me këtë fakt. Për të detajuar më tej se megjithëse në total gjatë vitit të kaluar, ai mbeti gati i njëjtë me atë të një viti më parë, kreditë me probleme njohën rritje të vazhdueshme të tyre, duke arritur deri në nivelin prej 21.3%. Një shifër mjaft e lartë kjo, po të mendosh se 1 në 5 kredi i bie që të mos kthehet rregullisht nga klientët ndaj bankës, ku e kanë marrë atë. Kurse rënien e mëpasme, ata e argumentojnë pikërisht me nisjen e procesit të fshirjes së kredive të këqija nga bilancet e bankave. Një tendencë kjo, e cila sipas ekspertëve, po vazhdon edhe gjatë këtij viti.

“Në fund të vitit 2016, kredia me probleme arriti nivelin prej 109.7 miliardë lekësh, duke u rritur me 2.95 miliardë lekë ose me nivelin prej +2.8% krahasuar me një vit më parë”, jep BSH shifrat konkrete rreth rritjes së kredive me probleme. Për të pohuar më tej se ndër to, evidentohet më tepër një shtim i atyre që cilësohen si “nënstandarde”, me nivelin prej +0.5%. Por edhe e atyre që nga ekspertët e kredive konsiderohen tashmë si “të humbura”, pra, pa shpresën e kthimit të tyre asnjëherë, deri në nivelin prej +0.3%.

Gjithsesi, në gjithë këtë situatë disi pesimiste për bankat në tërësinë e tyre që përballet ende jo vetëm me ekzistencën e kredive me probleme si të tilla, por madje edhe me shtimin e tyre, sipas Bankës së Shqipërisë, shfaqet edhe një “dritë jeshile”. Pikërisht, ajo e shtimit të aftësisë së mbulimit të tyre me kapital nga ana e bankave, e duke bërë kështu që rreziku që ato mbartin në vetvete ndaj sistemit të tyre financiar për secilën, të jetë më i vogël se më parë.

“Treguesi i kredive me probleme neto ndaj kapitalit rregullator ka rënë me nivelin prej -1.2% në krahasim me një vit më parë, duke treguar rritje të aftësisë së sistemit për të mbuluar me kapital humbjet që mund të realizohen nga përkeqësimi i kredisë”, saktësojnë ekspertët lidhur me një dukuri të tillë. Duke argumentuar lidhur me të se përmirësimi i tij ka ardhur “si pasojë e rritjes më të madhe të kapitalit rregullator në raport me kreditë me probleme, respektivisht në nivelin prej 9.02% kundrejt atij 3.66%”.

Kolaterali në rënie, dobësohet garancia që klientët lënë kur marrin një kredi

Garancia që klientët e bankave vendosin kur marrin një kredi në formë kolaterali paraqitet në rënie. Duke përbërë mesa duket një shkak më tepër për shtimin e kredive me probleme si të tilla. Kjo faktohet nga të dhënat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave, rezulton se kreditë e shoqëruara me kolateral kanë pësuar një rënie të tyre në nivelin prej -0.6%. “Pjesa më e madhe e portofolit të kredive (71.2%) rezulton e kolateralizuar, duke rënë në peshë me nivelin prej -0.6%, krahasuar me një vit më parë”, citon BSH-ja rreth këtij fakti. Duke shtuar më tej se referuar llojit të kolateralit, pjesa më madhe e kredive të sistemit, konkretisht rreth 49.4% e tyre është e kolateralizuar me pasuri të paluajtshme. “Kreditë për individët kanë një nivel më të lartë mbulimi me pasuri të paluajtshme me 65.1% krahasuar me kreditë për bizneset 43.4%”, sqaron BSH.

Kreditë në valutë kthehen me më shumë vështirësi

Kreditë e marra në valutë prej klientëve të bankave, duket se kthehen ndaj tyre me më shumë vështirësi, sesa kreditë e marra në monedhën vendase, Lek. Kështu rezulton të paktën sipas të dhënave të referuara nga Banka e Shqipërisë, të cilat tregojnë me shifra se “portofoli i kredive me probleme në valutë paraqet një nivel më të lartë, deri në 21.5%, krahasuar me portofolin e kredive në lekë me nivelin prej 13.7%”, citojnë ekspertët e saj. Dukuri kjo e cila sipas tyre ka lidhje pikërisht me faktin pasi kredia në valutë paraqitet më e pambrojtur nga luhatjet e këmbimit valutor. “Kreditë me probleme në valutë, të pambrojtura ndaj rrezikut të kursit të këmbimit janë në rritje me 2.96% kundrejt vitit 2015”, saktësojnë ekspertët e BSH-së rreth kësaj. Për të shtuar nga ana tjetër edhe faktin se janë po kreditë e mara në valutë të huaj, të cilat paraqiten edhe me një nivel më të lartë mbulimi me kolateral se ai në monedhën vendase, respektivisht në shifra, 72% rezulton mbulimi i kredisë në valutë, kundrejt 70% që thuhet se ekziston ai në monedhën vendase. E thënë ndryshe, edhe pse kreditë e marra në valutë nga bankat rezultojnë me një kthim më të ngadaltë nga klientët, për to gjithsesi, kolaterali i vënë nga klientët si garanci është i konsiderueshëm e duke përbërë kështu një lehtësim më shumë për bankat.

Bankat nuk po e ndalin kredidhënien

Edhe pse rreziku i moskthimit të tyre mbetet ende i lartë, bankat nuk po e ndalin kredidhënien. Këtë fakt e pohojnë vetë shifrat, sipas të cilave rezulton se totali i kredisë si i tillë evidenton një rritje prej 14.6 miliardë lekësh ose me rreth 2.49% gjatë vitit 2016, në ndryshim me atë paraardhës, ku trendi i këtij portofoli ka rezultuar me rënie. “Gjatë vitit 2016, portofoli i kredisë është paraqitur në rritje të vazhdueshme në të katërt tremujorët, ku rritja më e madhe është raportuar në tremujorin e dytë me 8.4 miliardë lekë”, saktësojnë më tej ekspertët bankarë lidhur me një dukuri të tillë. Duke shtuar këtu edhe ekzistencën tashmë të një plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme, duke nisur edhe nga kredimarrësit e mëdhenj.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: