KUR HUMBËSI DHE FITUESI NDËRROJNË ROLET-NGA ALFRED PEZA

KUR HUMBËSI DHE FITUESI NDËRROJNË ROLET-NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Ka përjetime mjaft interesante të humbjes e fitores në zgjedhje, nga partitë politike dhe liderët e tyre në Shqipëri. Gjithë kjo po të lexohen me kujdes qasjet, sjelljet publike, proceset e jashtme dhe zhvillimet e brendshme që i shoqërojnë ato pas daljes së rezultatit. E në raport me këto përjetime, qysh sot mund të përcaktohet edhe fati politik i tyre në vijimësi, - pse jo edhe pritshmëria e rezultateve për ta, në zgjedhjet e ardhshme. Ndaj, sipas qasjes, në raport me humbjen apo fitoren më 25 qershor, qysh tani mund të shohim qartë se si do te jetë maxhoranca e këtyre 4 viteve, por sidomos opozita e këtij mandati. Kjo duket paksa cinike, por është e vërtetë, - një e vërtetë që na e ka mësuar historia e të tjerëve, por edhe e jona e pas 1990, e cila përsëritet e përsëritet. Ndërkohë që ne duket se nxjerrim kaq pak mësime prej saj. Duke ribërë, në kushtet e reja, të njëjtat gabime si edhe ato të vjetrat.

Por le ta sqarojmë konkretisht këtë tezë.

Nëse e vini re me kujdes sjelljen e PS-së dhe kryeministrit pas konfirmimit të rezultatit në zgjedhje, do të shihni se fitorja më e thellë që një parti politike ka marrë pas 1992 në Shqipëri, po përjetohet me një gëzim të ligjshëm, por me qetësi, pa triumf. Gati-gati me përulësi. E mbi të gjitha, me koshiencën e një përgjegjësie të jashtëzakonshme që buron nga një mandat qeverisës si ky, ku një parti e vetme politike dhe një kryeministër, do të kenë mundësinë e papërsëritshme, ta krijojnë qeverinë të vetme dhe do ta drejtojnë timonin pa aleatët e vegjël në prehër. Kjo ka bërë që Edi Rama, pas fjalimit me tone tokësore të fitores që mbajti para simpatizantëve në sheshin "Skënderbej', të fillojë menjëherë punën për të ardhmen.

Megjithëse përpara kemi dy muajt e nxehtë të verës, deri në krijimin e qeverisë së re më 9 shtator kur edhe konstituohet Parlamenti i ri, kryeministri nuk ka filluar pushimet. Ashtu siç do të bënte në përgjithësi çdo fitues në fakt, që ka luksin të ketë përpara 4 vitet e ushtrimit të së drejtës legjitime që populli ia dha me votë. Përkundrazi, Edi Rama duket sikur është në fund dhe jo në fillim të mandatit të dytë qeverisës, - duke punuar çdo ditë, me të njëjtin ritëm, stil drejtimi dhe nerv, si përgjatë mandatit të parë. Duke mbledhur deputetët fitues për fillimin e turit njëmujor të dëgjesave me qytetarët nëpër Shqipëri. Duke krijuar grupet e punës që do të përgatisin raportet dhe programet e mandatit të ri qeverisës, pas konsultimeve me votuesit shqiptarë. Duke testuar dhe marrë në konsideratë të gjitha opinionet e njerëzve të thjeshtë të vendit, për punët dhe prioritetet e qeverisjes së re.

E kur e ke seriozisht, edhe njerëzit të marrin seriozisht. Ndaj nuk është rastësi që pas thirrjes që kryeministri i bëri qytetarëve nga facebook-u, nëpërmjet pyetjes "çfarë duhet të përmirësojmë?", shpërtheu një fluks i paparë komentesh dhe sugjerimesh brenda një kohe të shkurtër, sepse ata ishin ftuar me fjalët magjike: "Nëse do të ishe ti kryeministër i Shqipërisë, cilat do të ishin tri gjërat kryesore që do të përmirësoje?" Statistikat e para nga platforma "Shqipëria që duam", kanë sjellë rezultate interesante. Nga 10 mijë sugjerime, çështjet kryesore që qytetarët tanë shohin si prioritet janë: Integrimi, punësimi nëpërmjet investimeve vendase e të huaja, forcimi i shtetit ligjor, përsosja e administratës, përmirësimi i arsimit, reforma në drejtësi, zhvillimi i bujqësisë, i ekonomisë, shëndetësia dhe turizmi.

Në këtë mënyrë, PS-ja pas fitores më të madhe elektorale në historinë e saj, po sillet me përulësinë e një "humbësi". Duke lënë mënjanë triumfalitetin e një fituesi. Shenjë e sigurt se përgjatë këtij mandati qeverisës, socialistët do të jenë të bashkuar dhe do të dinë ta lexojnë dhe ta ushtrojnë si duhet verdiktin e qytetarëve. Duke ndryshuar tërësisht në këtë mënyrë, përveç të tjerash edhe stereotipin e sjelljes së dikurshme përgjatë qeverisjes së parë. Ishte koha e drejtimit nga Fatos Nano, kur socialistët përçaheshin sa ishin në qeverisje dhe detyroheshin të bashkoheshin sa ishin në opozitë. Pas opozitës së vështirë në vitet 1992-1997, e treguan dimensionin defektoz të pushtetit në vitet 1997-2005 kur fitoret në zgjedhje u shoqëruan me mjaft përplasje, debate, përçarje, luftëra të brendshme, rrjedhje dhe copëzime. Ndërsa tani, kjo sjellje ka ndryshuar kryekëput. Sa më e madhe fitorja, aq më me këmbë në tokë duken. Por edhe më të bashkuar dhe pa problemet e përjetimeve dehëse që sjell një triumf si ky.

Një pamje tërësisht tjetër paraqitet në kampin e humbësve. Sidomos në oborrin e shtëpisë së opozitës më të madhe në Shqipëri, në selinë e PD-së, ku drejtuesit e saj po sillen "si fituesit" e këtyre zgjedhjeve. E jo sikur të dielën e fundit të qershorit, të ishin ndëshkuar keqas me votë, duke shënuar edhe rezultatin më të ulët historik të kësaj partie, pas vitit të zi 1997. Nuk do ndonjë sy të mprehtë apo ndonjë mendje të hollë analitike, për të kuptuar se Lulzim Basha, me sa duket, as nuk mundet e as nuk do që ta lexojë si duhet përmasën e kësaj humbje. As nuk do që t’i futet me themel për të analizuar rrënjët apo shkaqet e saj. As që do t’i kuptojë ato, apo t’i shohë në sy. E aq më pak të nxjerrë mësimet e duhura prej saj. Për të filluar pas kësaj punën "me durimin e një murgu dhe zellin e një milingone", për ta riorganizuar të djathtën dhe për ta ringritur PD-në. Duke i bërë bashkë rreth një strategjie dhe një platforme, të gjithë aktorët dhe faktorët që do ta rikthenin atë, pas katër vjetësh në pushtet.

Duke qenë humbës, e çfarë humbësi, në këto zgjedhje, Lulzim Basha po i lejon vetes luksin e shfrenuar të sjelljes si një fitues i vjetër ballkanik. Në vend të analizës dhe përballjes me të vërtetën, ai po bën çmos t’i bishtnojë asaj. Deri më sot, urtësia popullore na kishte mësuar se fituesi nuk gjykohet. Ndërsa kryetari i PD-së po mundohet të na thotë në praktikë, se edhe humbësi nuk u gjykuaka. Në vend të përballjes dinjitoze me kritikët, duket se ka zgjedhur eliminimin e sfidantëve. Në vend të një gare të drejtë e të barabartë, ai po afron vetëm hile dhe artifice. Në vend të garës me alternativat reale, po mundohet të emërojë kundërshtarët. Në vend të shtrirjes së dorës së pajtimit, po i detyron zërat kundër të zgjedhin mes luftës së pabarabartë ose largimit. Në vend të zbulimit të rrënjëve të së keqes në të shkuarën e partisë, po mundohet t’i kompleksojë kandidatët potencialë për ta zëvendësuar, me hijet e së shkuarës së tyre. Në vend të ballafaqimit në dritën e diellit, ai po nxiton në errësirë. Në vend të një strategjie fituese, po kërkon një kolltuk humbësi. Në vend të kurorës së ndritur të një lideri, po kërkon të vendosë mbi kokë, rrethin me gjembat e një kryetari të emëruar.

Lulzim Basha nëpërmjet kësaj qasje, përveç të tjerash, po ndryshon kryekëput edhe një stereotip sjelljeje të PD-së në raport me pushtetin dhe qenien në opozitë. Ndryshe nga PS-ja e cila dikur bashkohej në opozitë dhe përçahej në pushtet, PD-ja e drejtuar nga Sali Berisha përçahej në pushtet dhe bashkohej në opozitë. Nga 1992-1997 kur ishte herën e parë në pushtet, PD-ja u përça dhe u përplas, u copëzua dhe u shkërmoq, derisa doli në opozitë. Nga 1997-2005 kur ishte në opozitë, Sali Berisha kuptoi se vetëm bashkimi dhe rikthimi i gjithë të larguarve të dikurshëm, mund ta rikthenin PD-në në pushtet, siç edhe ndodhi në fakt. Duke mësuar nga e shkuara, gjatë qeverisjes së dytë 2005-2013, Sali Berisha ia doli ta mbante të bashkuar PD-në dhe aleatët e saj kryesorë të së djathtët, rreth tryezës së bollshme të pushtetit. Derisa humbi dhe u detyrua të jepte dorëheqjen, për t’i hapur rrugën pasardhësit që e dëshiroi vetë.

Ndërsa Lulzim Basha, jo vetëm që nuk ka ndërmend të largohet pas humbjes, por po shkon shumë më larg se sa e mendonte gjithkush. Duke mos dashur ta lexojë, ai po e injoron rezultatin. Pavarësisht se po i vidhet dhe po i fshihet publikisht, thellë-thellë në praktikë, po sillet si një fitues me humbjen. Pavarësisht kostove, për shkak të mbështetjes që ka nga Berisha dhe përkrahësit e tij, Lulzim Basha duket se do ia dalë të mbijetojë. Për të marrë edhe një mandat tjetër si Kryetar i PD-së. Për të personalisht, pavarësisht "si e Pirros", kjo është një fitore. Por, nisur nga ajo çfarë ka treguar deri më tani, ka pak gjasa, që këtë "fitore" personale ta lexojë duke e menaxhuar "si humbje". E bashkë me humbjen e madhe të PD-së më 25 qershor, t’i bëjë ato dhe faktorët opozitarë, të gjithë bashkë, për të fituar në zgjedhjet e 2021.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: