Magjia e karriges

Magjia e karriges
Nga MERI DISHNICA

Sa njerëz kemi njohur në jetë, qëndrimi i të cilëve ka ndryshuar kur janë bërë me pushtet! I kemi njohur si njerëz të thjeshtë, të dashur, korrekt e na dalin, papritur, “robër të karriges”, arrogantë dhe moskokëçarës. Njerëz që dikur na janë dukur njerëzor dhe bashkëpunues, na dalin qenie fytyrat e të cilëve s’do të duam t’i shohim as në këtë jetë e as në tjetrën. Cilësi të vyera njerëzore, që përlyen me një tis antagonist, si një pasqyrim i keq i asaj që kanë qenë më parë.

Është e çuditshme si pushteti ta shndërron karakterin, aq sa, shumë njerëz, nuk janë të zotë ta përballojnë peshën e karriges, pesha e të cilës kompromentohet nga kush e di çfarë loje dhe makinacioneve të mendjes njerëzore. Nuk e kam fjalën për kapardisjen, qëndrimin, shfaqen e stisur që mund ta bëjnë të të shohë nga lart. Çudia qëndron tek një lloj sjelljeje grabitqare që shpaloset ashtu, kot e papritur, nën kush e di çfarë magjie kafshërore të karriges të cilës sapo i kanë hipur. Karrigia, - një send me katër këmbë, - që të manipulon mendimet e të bën po aq grabitqar; aq sa kush ulet aty, duket si i sapozgjuar nga magjia e fjetur, thua se në jetën e mëparshme ka qenë kafshë. Asosacioni  nuk qëndron në faktin e katër këmbëve, por në qëndrimin e pavend dhe amator të një njeriu të sapofuqizuar, tek i cili, frustrimi i grumbulluar prej kohësh dhe impulsi grabitqar, përzihen e bëjnë një reaksion qesharak, menjëherë sapo vendos fundshpinën mbi karrige.

Reaksioni tipik është rendja ballkanike drejt vetëshërbimit, fokusimi tek interesi personal dhe pasurimi i menjëhershëm. Në rastin më të keq të bën tepsixhi mediokër, në rastin më të mirë, tepsixhi shkëlqyes.

Meqë pushteti të hap mendjen dhe zorrën, të zhyt edhe më keq në batakun e pangopjes! Asgjë nuk duket shumë e asgjë nuk të mjafton, aq sa, vazhdimisht, tepsixhinjtë tani politikanë, ia kujtojnë njëri-tjetrit llokmën e dhënë apo të marrë.

Shumë e çuditshme që suksesi i tjetrit matet nga aftësia për të “përdorur” më mirë pasuritë publike, - nga tigani i nëpunësit të vogël mediokër, tek tepsia e pushtetarëve të pangopur. Por ç’rëndësi ka kjo nëse, rrjedhimisht, më shumë vlerë dhe autoritet ke në shoqëri; e shkruar kjo në një kontratë mes tyre, të gjithë bashkë, një virus, një mendje.

Ah, magjia e karriges! Ndoshta, të grabisësh është trend. Ndoshta, ata e quajnë këtë ambicie.  Por, në një univers paralel, karrigia të hap mendjen e  të bën të ndihmosh njerëzit, në funksion të detyrës për të cilën je vendosur (Bla, bla, bla, ia futa kot).

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: