Mërgim Mavraj ngre “dronin e dytë” për lirimin e Ballist Morinës

Mërgim Mavraj ngre “dronin e dytë” për lirimin e Ballist Morinës
Mbrojtësi i Hamburg dhe Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj, ka rikthyer imazhet e dronit që fluturoi mbi Beograd. Ai shpërndau në profilin e tij zyrtar Facebook një foto të “Autochthonous” me mbishkrimin “Liri për Ballist Morinën!”

Mavraj i referohet sërish dy figurave kryesore historike, Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit,  që ishin vizituar në flamurin brenda dronit të famshëm që fluturoi mbi Beograd gjatë ndeshjes së tetorit 2014.

“Të ishin ende gjallë këta të dy sot Ballist Morina do të ishte në shtëpinë dhe familjen e tij. Ku je o shtet, a nuk është biri ynë ky?,” – ka bërë thirrje Mavraj, në shenjë pakënaqësie se përse tifozi i kombëtares që akuzohet nga Serbia si autor i dronit që fluturoi mbi Beograd në ndeshjen kualifikuese të Euro 2016, Serbi-Shqipëri, nuk lirohet nga Kroacia pas arrestimit.

Ballist Ismail Morina është ndalur disa ditë më parë në Kroaci, për llogari të drejtësisë serbe ndërsa një gjykatë kroate vendosi mbi ekstradimin e tij. Por pas ndërhyrjes së autoriteteve shqiptare dhe pas apelimit të çështjes duket se vendimin përfundimtar do ta japë Ministria e Drejtësisë së Kroacisë.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: