NA DUHET TË FLASIM...

NA DUHET TË FLASIM...
 

Nga MERI DISHNICA

 

Ne angazhohemi çdo ditë në komunikim; e dimë se sa frustruese dhe e vështirë mund të jetë, herë pas here, kjo eksperiencë, sepse çështja nuk është vetëm të flasësh, por çfarë thua dhe si e thua. Në këtë pikë, askush nga ne nuk është artist në komunikim. Në ditët e ngarkuara, me njerëz që takojmë e bashkëpunojmë, me mendjen të mbushur me kushedi çfarë,  na duhet të gjejmë patjetër telat e duhur të komunikimit me të tjerë, por a ia dalim?! (nuk e di, por ndonjëherë më mjafton të kujtoj zyrën time, njerëzit që punojnë aty dhe jam ndërkohë krenare për veten).

Është e çuditshme sa shumë qeniet njerëzore rezultojnë të mistershme për sytë e njëri tjetrit, sepse nuk mund të lexojnë mendjet, as të hapin zemrat dhe, nëse nuk flasin, si do të mund ta njihnin njëri-tjetrin?! Nëse njerëzit nuk do të flisnin, sa gjasa do të kishin njerëzit “jo të bukur” të bënin të tjerët  të dashuroheshin me ta?! Nëse njerëzit nuk do të flisnin, vajzat e bukura dhe budallaqe do të ishin mbretëresha absolute. Prandaj, falë zotit, që flasim dhe shprehemi, bëjmë shaka…dhe qeshim. Ndoshta na shtohet ndonjë pikë.  Edhe pse thonë që fjalët  janë burim keqkuptimesh, tek ato është gjithashtu edhe zgjidhja. Na duhet të komunikojmë përditë, sepse ende nuk është shpikur ajo telekomandë që t’i bëjë njerëzit bezdisës “të qepin gojën”, apo një mjet ma ca butona të vegjël jeshil që të realizonte teletransportin tonë në sekondë diku larg, në një vend magjik ku të rrinim në qetësi, pa folur e duke u përqafuar…

Realiteti ynë, për fat të keq, tregon se ne, artin e komunikimit jo vetëm që nuk e njohim, por jemi vite dritë larg edhe nga të paturit takt në komunikim (e keni vënë re sesi njerëz të caktuar “të zhbirilojnë” në çast me pyetje të pavend, të shtyrë nga kushedi çfarë lloj kurioziteti i sëmurë). E pra,  mënyra të tilla “minojnë” efektivitetin e çdo komunikimi që në fillim, dhe me të drejtë asgjë të mirë nuk pret, veçse “Keep calm and …”  Mjaft të kujtosh se, të komunikosh reflekton mënyrën se si je rritur, dhe ne shqiptarëve në këtë aspekt, do të na duhen më shumë se 100 vjet të përmirësohemi.

Shpesh, komunikimi ynë karakterizohet nga mënyra drejtimi me “ti” apo “ti je…”, “ti duhet…”, “ti nuk duhet të…”  Të drejtohesh në mënyrë direkte, tingëllon si një gjykim negativ, po ashtu edhe si urdhër ndaj personit të cilin po i drejtohesh. Sigurisht  që njerëzit nuk kanë qejf të gjykohen apo për më tepër “ti tregosh çfarë duhet të bëjnë dhe si ta bëjnë”. Duke u drejtuar në mënyrë të tillë direkte, ne shpesh përqendrohemi në “evidentimin e asaj që nuk shkon” sesa “në orientimin se si ta bësh më mirë”. Ndaj me të drejtë, kjo gjë  prish balancat e komunikimit dhe njerëzit kapen vetëm  tek fakti “se si ma the”, sesa tek argumenti për të cilin supozohet të flisnin, si rrjedhim dialog bosh që të çon kurrkund. Si përfundim, mënyra se si e thua (takti dhe detaje të tjera) kanë po aq rëndësi sa edhe çfarë po thua.

Do të vijë një ditë kur ne të dy do të kuptohemi vetëm me sy, por deri atëherë i dashur… duhet të flasim.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: