OPOZITA DHE OPONENCA - OPINION NGA PLATOR NESTURI

OPOZITA DHE OPONENCA - OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Me 74 mandate të fituara, PS dhe kryeministri Edi Rama e kanë siguruar qeverisjen të vetëm në një parlament prej 140 deputetësh. Këtë e theksoi qartë vetë shefi i mazhorancës në një takim të djeshëm ku shpalli se koalicioni i tij do të jetë vetëm me qytetarët. Timoni mbetet I tij dhe askush tjetër nuk do të jetë si pasagjer në autobusin mavi, as për të shkelur frenat dhe as për ti rënë borisë. Me këtë rast bie dhe mjegullnaja për një mundësi koalicioni prej marrëveshjes Rama-Basha. Kryeministri as që e përmendi më aktin parazgjedhor që bëri të mundur pjesëmarrjen e opozitës në votimet e 25 qershorit, dhe është në të drejtën e tij. Vetë mandatet që ka në dispozicion e bëjnë të palogjikshëm një qeverisje me bashkëpunim më të gjerë.

Se çfarë do të bëjnë lojtarët e tjerë politikë, kjo do të jetë çështje e tyre. Mazhoranca është e përcaktuar dhe në autobusin e PS nuk do të hipë askush, as me biletë dhe as me abonè. Topi mbetet në fushën e kundërshtarëve dhe do jenë ata të ridimensionojnë veten e politikat e tyre në rrethanat e reja të pas 25 qershorit.

Për herë të parë Basha pranoi se marrëveshja çoi në dështimin e tij. Ndërsa vijon turin e bashkëbisedimit me anëtarësinë e PD në garën për kryetar të partisë, Basha u shpreh se marrëveshja nuk e ndali dot makinerinë e blerjes së votave. Një deklaratë që përkthehet dështim. Dhe ca më tej, kreu i PD e quajti qeverisjen që do dalë nga këto zgjedhje si jo legjitime, dhe që vjen nga një rezultat i deformuar. A janë këto deklarata thjesht në sfond të fushatës elektorale për kreun e PD apo ky do të jetë një kurs i ri i opozitës së djathtë. Vështirë të gjykohet saktë në këto momente. Mund të jetë thjesht një deklaratë që u shkon mirë në veshët e demokratëve të shastisur nga rezultati i zgjedhjeve. Një deklaratë tulatëse. Por nëse ky do të jetë qëndrimi i ri politik i PD për këtë mandate parlamentar atëherë gjërat ndryshojnë. Marrëveshja e firmosur Rama-Basha i bie që të ketë rënë. Ajo nuk paska pasur efekt si garanci për besueshmërinë e zgjedhjeve. Ndërkohë duke e quajtur mazhorancën ilegjitime nga një rezultat i deformuar, është e natyrshme që marrëveshja nuk mund të implementohet më tej përsa i përket bashkëpunimit në reformën në drejtësi, kodit të ri zgjedhor e reformat ë tjera në fushën e ligjvënies. Dhe duke e çuar diçka më tej këtë logjikë, nuk do të ketë as edhe një qëndrim të njësuar të mazhorancës dhe opozitës në kërkesën dhe mundësinë e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE.

A do mbetet thjesht një deklaratë për efekt elektoral në PD apo do të jetë një realitet i ri në opozitarizëm, këtë nuk e dimë ende. Ajo çfarë dihet është se PD, për këtë mazhorancë ilegjitime që ka blerë votat, nuk ka bërë ende asnjë kërkese zyrtare si në KQZ apo organ tjetër, që të verë në diskutim rezultatin.

Një situatë tjetër, por gjithsesi me tone më luftarake në kampin e LSI. Kryetarja e re Kryemadhi, në mbledhjen e Kryesisë, ish më e drejtpërdrejtë në sulmet e saj ndaj ish aleatit të saj. Duke e quajtur një të keqe të madhe për vendin dhe demokracinë, Kryemadhi u shpreh për krijimin e një Fronti të madh Opozitar, ku mund të përfshiheshin të gjithë, pa dallime ideologjike. Ish një ftesë e drejtpërdrejtë në këtë rast ndaj PD dhe Bashës, që jo rrallë herë janë luhatur në qëndrime, dhe që bateritë e topave kalonin herë në drejtim të Ramës, e herë në drejtim të LSI. Sidoqoftë, LSI e ka të qartë se do të jetë opozitë dhe po përgatitet për këtë. Përgatitjet duket se janë për një betejë të ashpër, ku mund të ketë edhe viktima politike. Të kesh qenë në të njëjtin koalicion por duke ruajtur njëri tjetrin prej mungesës së besimit, sigurisht që ke ku të godasësh, por që edhe mund të marrësh goditje.

Deri tani, ndërsa mazhoranca socialiste është e qartë dhe e ndërgjegjshme se me pushtetin që ka, ka jo vetëm drejtimin por dhe përgjegjësinë për të qenë e vetme, në kampin opozitar ka ende trullosje. Si për rezultatin që u mor ashtu dhe për ekuilibrat e rinj që duhet të vendosin në qëndrimet e tyre dhe ndaj të tjerëve.

Pra, si do të jetë opozitarizmi në parlamentin e ri. Çfarë shohim deri më tani, duket se LSI është dukshëm në opozitë, ndërsa PD deri më sot i ngjan një oponence dhe jo opozite. Të shohim pra deri në shtator. A do të ketë më zbatim marrëveshjeje në horizont, do të ketë një ndarje të qartë mazhorancë-opozitë, apo gjithkush do të luftojë gjithkënd.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: