Rritet çmimi i ujit, “loja” me këshilltarët e LSI

Rritet çmimi i ujit, “loja” me këshilltarët e LSI
Dy nga këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim marrin pjesë në mbledhje dhe votojnë pro vendimit. Leonard Olli: Është maskaradë. Luan Rama: Nuk janë tanët. Rritja e çmimit u parapri nga një protestë qytetare

Çmimi i ujit është rritur në Tiranë, pas një vendimi të këshillit bashkiak të kryeqytetit. Ndërsa më parë çmimi ishte 45 lekë për metër kub, tashmë qytetarët do të paguajnë 65 lekë.

Këshilltarët e Partisë Demokratike kanë kundërshtuar që një ditë më parë këtë vendim dhe nuk kanë marrë pjesë në mbledhje, për të mos mundësuar plotësimin e numrit për të arritur kuorumin për mbledhjen. Një vendim të tillë ka marrë edhe LSI, por dy prej këshilltarëve të tyre kanë “shkelur urdhrin”.

Dy këshilltarë të LSI-së, Agim Kraja dhe Genta Mezini, ishin të pranishëm në mbledhje dhe votuan pro projektit të bashkisë. Pikërisht ata u shndërruan edhe në “mollë sherri” me pjesën tjetër të opozitës, demokratët, që kërkuan largimin e tyre nga mbledhja.

“Në rast se nuk ka gisht në këtë maskaradë, të dalë e të kërkojë largimin e këshilltarëve. E pamundur të besojmë që ata njerëz nuk i janë bindur grupit të LSI-së”, tha kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë, Leonard Olli.

Një deklaratë-surprizë pas votimit ishte ajo e nënkryetarit të LSI-së, Luan Rama. Ai tha se Agim Kraja nuk përfaqëson LSI-në, ndërsa shtoi: Atë tjetrën nuk e njoh.

Përpara marrjes së vendimit, dhjetëra qytetarë, të thirrur nga opozita, protestuan para bashkisë. Me thirrjet “hajdutët, hajdutët, hajdutët”, ata shprehën indinjatën për parashikimin e një rritjeje me 44 për qind të çmimit të ujit të pijshëm.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: