SA MË E THELLË HUMBJA, AQ MË E MADHE FITORJA!- OPINION NGA ALFRED PEZA

SA MË E THELLË HUMBJA, AQ MË E MADHE FITORJA!- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press” 

Ekziston një mit i njohur serb në Ballkan, për ta festuar humbjen si fitore. Një mit i lidhur me përkujtimin triumfal që i bëhet historisë së humbjes së thellë që osmanët i shkaktuan ushtrive të koalicionit ballkanik të udhëhequr nga cari serb Llazari, në betejën e Fushë Kosovës në qershorin e vitit 1389. E si të mos mjaftonte kjo, humbjen janë munduar që ta shndërrojnë në një moment frymëzimi të krenarisë kombëtare. Nisur nga fakti i thjeshtë, se teatrin e luftimeve në zemër të Kosovës, duan që ta "shesin" si djepin e Serbisë. Ishte pikërisht përkujtimi i përvjetorit të 600-të të këtij miti në Fushë Kosovë, momenti që shfrytëzoi Sllobodan Millosheviç për tu ngjitur në majën e pushtetit të Jugosllavisë që po bëhej gati të shkatërrohej, e për të vënë në zbatim projektin e krijimit të Serbisë së Madhe. Një aventurë që përfundoi siç e dimë të gjithë, në një tragjedi për fqinjët ballkanikë, në një dramë për serbët vetë dhe një turp të madh përpara historisë nga ana e protagonistëve.

Një motërzim i këtij miti, në një kontekst krejtësisht tjetër, po ngjizet prej disa kohës në Partinë Demoratike të Shqipërisë. I cili mori formë përfundimtare orët e fundit, me procesin e zgjedhjeve për Kryetarin e ri të kësaj partie, pas humbjes katastrofike që PD pësoi më 25 qershor. Sa me e thellë humbja në proceset elektorale kombëtare, aq më e thellë ka qenë fitorja e Lulzim Bashës në garën për kreun e kësaj partie. Sa më shumë demokratë e bojkotuan PD në zgjedhjet parlamentare, aq më shumë u rrit pjesëmarrja e tyre në zgjedhjet brenda partisë. Sa më tepër që Lulzim Basha po konsiderohet shkaktari i vetëm i humbjes së partisë, aq më shumë u shtuan votat për të. Sa më pak mandate deputetësh që fiton PD, aq më shumë u rrit diferenca e Bashës me sfidantin në garë Eduard Selami, në raport me garën e 4 vite më parë me Sokol Olldashin. Sa më shumë që nën udhëheqjen e tij i ka larguar demokratët nga pushteti, aq më shumë vota ka marrë prej tyre për të forcuar pushtetin e vet në PD.

Në këtë mënyrë, e gjitha çfarë po ndodh jo vetëm që e kompromenton dhe e bën krejtësisht qesharake garën dhe pozitën e tij brenda partisë, por ajo ka marrë tashmë një trajtë paksa donkishoteske. Duke formësuar një mit. Mitin e rremë të kryetarit të padiskutueshëm të partisë. Një mit i kotë dhe i paqenë, i cili po ushqehet me shfaqje publike të padenja dhe nga një makineri gënjeshtrash. Duke u mbështetur tek mekanizmi i gabuar i marrëdhënieve me publikun. Janë këto dhe shumë arsye të tjera, ato që po e bëjnë figurën e Bashës, të atakueshme nga të gjithë aktorët dhe faktorët e jetës publike të vendit. Pa llogaritur kryqëzimin nga mediat, rrjetet sociale dhe kundërshtarët gjithnjë e më të shumtë politikë brenda partisë së vet. Kësaj situate Astrit Patozi, njeriu që mban flamurin e betejës kundër tij në PD, i vuri diçiturën biblike: Ruaji Zot, se nuk dinë se çfarë bëjnë!

Pavarësisht kësaj tabloje si në "pikturën e zezë" të Francisco Goya-s, e cila u nxi edhe më shumë pas deklaratës së Berishës për humbjen më të madhe që udhëhoqi në historinë 27 vjeçare të PD, duhet të pranojmë se Lulzim Basha i ka dhënë vetes një shans. Një shans që e ka kërkuar me aq shumë ngulm gjatë këtyre katër viteve në krye të PD. Për të cilën ka punuar më shumë sesa për ta rikthyer vetë PD në pushtet. Sepse pavarësisht se i ka çuar demokratët në dy humbje elektorale, ndryshe nga gjithë ne të tjerët, ai ka arsye që t’i konsiderojë ato fitore. Fitore personale, të cilat duket se tashmë e bëjnë të ndihet jo vetëm një lider por edhe një Kryetar real në PD. Duke i dhënë fund në këtë mënyrë epokës së Sali Berishës, e për të filluar të drejtojë pas kësaj PD-në e epokës së tij.

Nëse e shohim nga ky këndvështrim, të gjithë armiqtë dhe kritikët e tij, duhet të jenë më tolerantë dhe të tregojnë pak më tepër mirëkuptim me Lulzim Bashën. Duke i dhënë edhe katër vite të tjera kohë për projektin e tij politik. Por le ta themi që në fillim. Askush nuk është i detyruar që të mirëkuptojë dhe të aprovojë vendimet e tij. Qofshin ato politike, qofshin ato për mënyrën e të bërit opozitë gjatë mandatit të shkuar, apo edhe ato që kanë të bëjnë me lënien jashtë listave të kandidimit për deputetë të ish ministrave dhe kontributorëve të tjerë të kësaj partie ndër vite. Le ta konsiderojmë për një moment, se "sa më e thellë humbja e PD, aq më e madhe fitorja e Lulzim Bashës", nuk është një mit i rremë. Por një strategji e detyrueshme për tu ndjekur nga ana e tij, në kushtet ku ndodhej pas dorëheqjes së Sali Berishës më 2013.

Përtej debatit për raportin e Lulzim Bashës me 25 qershorin dhe zgjedhjeve e 22 korrikut brenda partisë, pjesa më e madhe e gjithë kritikëve të tij të sotëm, deri dje binin dakord se:

-          Cilësia e përfaqësimit të PD në Parlament, nuk garantonte opozitën më të mirë të mundshme, përballë një mazhorance të së majtës me 84 deputetë.

-          Krahas figurave të vjetra me përvojë ende të vyer për PD, kishte edhe shumë ish ministra dhe ish funksionarë të lartë të saj, që ishin bërë pengesë për një qasje më të madhe morale të opozitës përballë qytetarëve, si garanci për një alternativë të shpejtë pushteti përballë Kryeministrit Rama.

-          Një pjesë jo e vogël e drejtuesve të strukturave qendrore në SHQUP dhe në ato të degëve të PD në qarqe, bashki e nivele të tjera, ishin atrofizuar dhe efiçenca e tyre nuk jepte garanci për rikthimin e shpejtë të së djathtës në qeverisje.

-          Në forumet e kësaj partie, militantizmi ka prevaluar mbi meritokracinë dhe për rrjedhojë rendimenti i punës politike dhe elektorale në terren sa vinte dhe ulej dhe fryma zbehej me kalimin e viteve.

-          PD ndiente prej kohësh nevojën e një ristrukturimi organizativ të thellë e kapilar, që do ti mundësonte modernizimin e strukturave. Duke e përshtatur dhe harmonizuar skuadriljen e saj të re, me një makinë më kompetitive elektorale, e cila do të mund të garonte në pistën zyrtare të garave politike shqiptare, me një tjetër performancë.

Ndaj edhe pyetjet që shtrohen pas kësaj janë: A ofrojnë garanci dhe a japin shpresë emrat e rinj që ka ofruar PD e Lulzim Basësh në listat e kandidatëve për deputetë, se ekipi i ri do të tejkalojë atë të vjetrin? A është zbatuar kriteri i meritokracisë dhe i ndikimit të tyre në opinionin publik, përgjatë procesit të seleksionimit dhe rekrutimit të figurave të reja politike? A ka një strategji të qartë dhe një program realisht ambicioz për fitoren e PD dhe rikthimin e së djathtës në pushtet? A e ka Lulzim Basha stofin e duhur për tu bërë nesër Kryeministër i Shqipërisë? A di të ngrihet ai në atë lartësi që e bën të shohë pikën e shndritshme në horizont, duke patur edhe aftësinë që t’i frymëzojë qytetarët për të arritur në destinacion?

Sado i paanshëm dhe dashamirës që të tregohesh, përgjigjet që jepen pas kësaj, nuk të bëjnë optimist se Lulzim Basha ngjall shpresë. Atë nuk e ndihmon dot në këtë rast, as historia e tij e derisotme politike dhe as miti i rremë i një motërzimi humbësish të vjetër në Ballkan.

 

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: