Selami gjatë turit në Kukës: Të kthejmë besimin tek PD, me Bashën u gabova

Selami gjatë turit në Kukës: Të kthejmë besimin tek PD, me Bashën u gabova
Kandidati për kryetar i PD-së, Eduard Selami në turin e takimeve me demokratët në Kukës, Has dhe Tropojë deklaroi se PD kërkon rikthimin e besimit tek ndërkombëtarët, duke theksuar se me përjashtim të vitit 1997, lidershipi aktual është më i izoluar se kurrë.

“Hajde të hapim një dialog vlerash me gjithë shtresat dhe qytetarët, ta kthejmë PD në një parti popullore jo thjesht të qendrës së djathtë, por dhe me gjerë. Të rikthejmë besimin me partnerët tanë ndërkombëtarë që sot nuk e kemi. Me përjashtim të vitit 97, lidershipi i PD sot është më i izoluar se kurrë me partnerët tanë ndërkombëtarë. Na dolën kundër në menyrën më flagrante për shkak të gabimeve tona”, tha Selami.

Selami i kërkoi ndjesë për braktisjen e padrejtë që i është bërë shtresave si ish-të përndjekurve dhe ish-pronarëve dhe premtoi se do ndjekë një politikë krejt ndryshe për rikthimin e tyre.

Në takim me demokratët e veriut, Selami sulmoi Bashën duke thënë se perfaqëson një model të dështuar.

“Kur u ktheva nga Amerika ne vitin 2013, kam qenë shume afër vendosjes së kandidaturës për kryetar partie. Por u takova me zotin Basha, dhe i thashë kush ishte ambicia ime, pikërisht ta ktheja PD, në parti bashkëkohore, të ktheja demokracinë. Pa mbaruar unë, zoti Basha, vazhdonte fjalinë time. Dhe me të vërtetë e kam falenderuar. Thashë sa mirë një i ri i edukuar jashtë, vjen për të kontribuar. Thashë hajde ta bëjmë sëbashku dhe tërhoqa kandidaturën, sepse mendoja që kandidatura e Bashës është më e mirë në atë kohë, por gjërat rrodhën ndryshe”, tha Selami. /f.ç/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: