SFIDAT QË PRESIN EDI RAMËN- OPINION NGA ROLAND QAFOKU

SFIDAT QË PRESIN EDI RAMËN- OPINION NGA ROLAND QAFOKU
Vera e re në fuçinë e vjetër

Nga ROLAND QAFOKU

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Largoi Fatos Nanon nga politika dhe u bë de facto lideri i Partisë Socialiste. Fitoi zgjedhjet lokale dhe parlamentare ndaj Sali Berishës, pas të cilave ky i fundit dha dorëheqjen për herë të parë si kryetar i saj pas 23 vjetësh. Fitoi zgjedhjet lokale dhe parlamentare edhe ndaj Lulzim Bashës, duke e çuar Partinë Demokratike në kuotat më të ulëta në këto 27 vjet. Pasi bëri koalicion me Ilir Metën, për ta patur super të sigurtë ardhjen në pushtet, e “largoi” edhe atë duke e bërë president dhe vetë fitoi 74 mandate për të qeverisur i vetëm, si askush në po këto 27 vjet. Sot, Edi Rama ka të drejtë të krekoset deri në kombinimin e atleteve me kostum elegant, sepse fituesi nuk gjykohet. Thjesht fare, tashmë Edi Rama, i vetëm me timonin në dorë, është triumfator i politikës shqiptare. Ka hyrë në histori si kryeministri i 33-të i shtetit, në të njëjtën listë me Ismail Qemalin, Turhan pashë Përmetin, Fan Nolin, Ahmet Zogun, Mehdi Frashërin, por edhe me Enver Hoxhën, Mehmet Shehun dhe Aleksandër Meksin, Ilir Metën e Pandeli Majkon, duke i parë deri dje me zili një e nga një, ndërsa sot, afërmendsh mendon se janë të gjallët dhe të vdekurit që e shohin atë si të tillë. Edhe vetë kur thurte plane për futjen e këmbëve në politikën e lartë, nuk duhet të ketë qenë kaq me besim se do t'i arrinte të gjitha këto. Pas gjithë këtyre që ka arritur, me një mandat të konsumuar 4-vjeçar dhe një tjetër që e pret, Edi Rama ka përpara vetëm një problem “të vogël”: Si do ta mbyllë karrierën politike? Do të realizojë një mandat të mirë qeveritar, për të mbetur në histori me të njëjtat kuota që është aktualisht, apo do të dështojë dhe do ta mbyllë si mos më keq për shkak të euforisë, sigurisë dhe vetes në qejf? Të dyja janë të mundshme, sepse janë disa sfida që Edi Ramën mezi e presin, por edhe nga mënyra se si do t'i menaxhojë ato do të varet edhe suksesi apo dështimi i tij.

RRITJA EKONOMIKE

Me 3 për qind rritje të ekonomisë, Edi Rama jo vetëm nuk duhet të jetë entuziast, por duhet të ulë kokën për ato premtimet pompoze se jeta do të lulëzonte me ardhjen e tij në krye të qeverisë. Shqipëria është përpara sfidës më të madhe në histori, jo me “Rilindjen urbane”, jo me fasadat dhe sheshet bojëra-bojëra, por me rritjen ekonomike. Unë jam pjesërisht dakord që mjedisi në të cilin rritemi, ndikon në jetën tonë. Ashtu si një familje që jeton në 30 metra katrorë dhe në një mjedis të pistë dhe pa rregull, nuk mund të bëjë kurrë një jetë cilësore, ashtu edhe një qytet nuk mund të bëjë jetë cilësore, pa një qendër të mirëprojektuar dhe ndërtuar me rrugë të shtruara bukur dhe të mbajtura pastër. Por përpara se të shkojmë mjedisi, populli kërkon punë dhe bukë të cilat, për fat të keq, një pjesë e mirë e shqiptarëve, nuk i kanë!  Duhet ta pranojmë që shoqëria jonë ka edhe dembelë të cilët rrinë tërë ditën, burra që pinë birra dhe raki, të rinj që kalojnë kohën në kafene dhe për ta fajin gjithmonë e ka qeveria, por më shumë se dembelë, shoqëria jonë ka njerëz nevojtarë të cilët nuk mund të sigurojnë mjetet më të domosdoshme të jetesës. Realisht, ky është problemi numër një i Shqipërisë sonë të dashur i cili, në këto 27 vjet, nuk i është hequr asnjë moment. Kjo hiqet vetëm e vetëm me rritje ekonomike.

LUFTA NDAJ KANABISIT

Me plantacione të mbushura cep më cep Shqipërisë me kanabis, me raporte ndërkombëtare skandaloze, Edi Rama do të mbahet mend si kryeministri me rekordet më të rënda të kultivimit dhe trafikut të kanabisit. Sikur të mos mjaftonte bima jeshile, një raport i fundit e rendiste Shqipërinë si konsumatoren më të madhe të kokainës për frymë të popullsisë. Për katër vjet, Rama është munduar ta fshehë apo t’ia vërë fajin të tjerëve për këtë situatë. Madje, gjeti fajtorë edhe brenda mazhorancës, në mënyrë që të ketë një perceptim se faji është i disa shefave komisariatesh e deri te ministri i Brendshëm. Por a ka logjikë që fajtor për drogën të jenë ministri i Brendshëm dhe shefat e policisë, ndërsa kryeministri nuk qenka përgjegjës? A nuk është përgjegjës Rama, sikur vetëm për faktin se nuk ka bërë asnjë raportim në kuvend për situatën që e ka një detyrim kushtetues? A nuk është fajtor kryeministri Rama, për mosmarrjen e masave kur sipas një raporti të SHISH, 21 tonë farë kanabisi kanë hyrë në Shqipëri, në rrugë ilegale të destinuar për t’u mbjellë? Nga u fut kjo sasi? Mos ra nga qielli? Natyrisht që është futur nga doganat, por duket Ramës, edhe në këtë rast, ose “ia ka fajin Berisha që ia la doganat në gjendje të keqe ose LSI-ja se ata janë pjesa e keqe e qeverisjes”!!

LUFTA NDAJ KORRUPSIONIT

Edi Rama është i vetmi kryeministër në historinë e shtetit shqiptar që, lidhur me korrupsionin, fajin ia ka patur ose qeveria paraardhëse ose aleati në bashkëqeverisje. Në asnjë rast, kryeministri nuk ka thënë një fjalë të vetme se ministra, drejtorë dhe pushtetarë të Partisë Socialiste janë të përfshirë në korrupsion, janë majmur duke vjedhur dhe llogaritë e tyre bankare shtojnë zerot pa fund. Me sindromën se po e denoncoi populli do ta demaskojë Edi Rama,  ai i ka bërë një shërbim negativ vetes dhe vendit, duke e lënë fajin te tjetrit. Nëse vërtetë Rama do ta cilësojë dhe theksojë luftën ndaj korrupsionit si luftë të vërtetë reale, duhet ta nisë nga vetja. Ministra, deputetë, drejtorë, shefa e pushtetarë të lartë, duhet të jenë modeli se nëse fusin duart në xhepat e shtetit, ky shtet u shtrëngon prangat në duar e tyre. Vetëm kështu mund dhe duhet të funksionojë. Ndryshe, Rama dhe qeveria e tij e madhe apo e vogël, është e destinuar të dështojë.

EMIGRACIONI

Dyqind mijë shqiptarë të larguar në 4 vjet, është shifra që i rëndon Edi Ramës si një gungë në kurriz. Si për t'i vendosur kapakun dhe t’ia shtrëngosh fort mbylljen, raporti i 13 qershorit 2017 i “Gallup” se 56 për qind e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, është jehona më e fortë e kambanës së alarmit. Në këtë listë, Shqipëria lë pas vetëm Siera Leonen. O, Zot! Kjo shifër të bën të bërtasësh dhe të ulërasësh! Është vërtetë skandaloze! Më kot u mundua Edi Rama me teori që të gajasin se këta janë shqiptarë që kanë ikur nga Greqia apo dhe se është pasojë e lirisë së lëvizjes së njerëzve, e të tjera si këto. Edi Rama duhet të ketë strategji të veçantë dhe të qartë, për të ndalur hemorragjinë e madhe që po i shoqëron shqiptarët edhe në shekullin e 21-të. Një kryeministër mund të marrë 74 mandate dhe mund të futet në histori si kryeministër që qëndroi në pushtet 8 vjet apo edhe 12 vjet, por është më e rëndë të futesh në histori që në këto vjet, popullsia e vendit që qeveris është tkurrur me ritme marramendëse. A e shqetëson kryeministrin Rama parashimi i OKB-së, se në vitin 2100 Shqipëria do ketë 1.8 milionë banorë? Apo ç’na duhet ne çdo ndodhë pas 100 vjetëve? Ne jetojmë jetën tonë, në kohën tonë!

ADMINISTRATA PUBLIKE

Dëgjoja një ditë një qytetar në një zyrë shteti, se nëse nuk do t’ia zgjidhin çështjen do shkonte në dëgjesë publike me kryeministrin Rama dhe do t’i bënte namin shefave të asaj zyre. Po, a është kjo mënyra efikase se reformohet një administratë? Të gjithë e dimë dhe vetë Rama, se administrata shqiptare është shumë larg asaj që ai vetë trumbetoi katër vjet më parë, se si do ta bënte. Njerëz arrogantë, pa kulturën minimale të sjelljes dhe korrektësisë dhe aspak të interesuar për të zgjidhur problemet, gjen plot në zyrat e shtetit. Prandaj, Edi Rama vërtetë është në një sfidë reale dhe është për t’u përshëndetur interesi i tij. Por zgjidhja duke etiketuar edhe këtu Berishën që ia la të tillë dhe përsëri LSI-ja si delja e zezë, është humor i pavetëdijshëm nga i cili kryeministri duhet të dalë sa më shpejt. Por, kush ia pati fajin Ramës me emërime qesharake në dogana dhe tatime? Kush ia pati fajin Ramës me drejtorë dhe shefa që as për barkun e vet të tejfryrë, nuk kujdesen e jo më për të zgjidhur hallin e qytetarëve? Prandaj, Rama dhe vetëm Rama duhet të jetë autori dhe reformatori i administratës! Ndryshe, ky mund të jetë një nga dështimet edhe më të turpshme se të gjitha të tjerat!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: