Të kënaqesh me gjërat e thjeshta, sa luks...

Të kënaqesh me gjërat e thjeshta, sa luks...
Nga Juela Meçani

 

Më ka qëlluar ditëlindja në ditët më të nxehta të verës, në fund të korrikut. Sigurisht me një logjikë të shpejtë popullore, do të isha e prirur të drejtohesha nga plazhet a në ndonjë bar bregdetar, të shpërthente birra e koktejlet lumë, e deri në mbrëmje të kisha përfunduar edhe një “photoshooting” me menynë e restorantit, me fustanet e zgjedhura për atë natë, vendin ekzotik ku po festoja e të mos harroja kurrsesi grimieren që ishte “kujdesur” për pamjen time prej DIVA etj., etj. Do të isha në linjë me një dukuri apo epidemi të “ndarjes së qejfit” me sa më shumë njerëz që thuajse nuk i njeh fare. Por ka disa vite që as largësisht nuk kam dëshirë të ndaj këtë ditë dhe shumë të tjera me askënd!

Madje e quaj të mrekullueshme kur është e thjeshtë, deri luks. Deri në luks?

Po dhe po, sepse thjeshtësia sot është një luks i madh. Të jeni të bindur se sot ato gjërat e thjeshta që e bëjnë të madhërishme një ditë, një orë, një minutë, janë aq të vështira të arrihen saqë në mazhorancë po u harrohet shija. Nuk hyn fare fakti që çdo gjë është me moshë, por është tashmë aq e dalë boje ajo mania për të “deklaruar” publikisht se po hallakatesh për qejf, sa që menjëherë të duket se ky skenar është i mirëpërgatitur e falsiteti preket në ajër. Jemi të gjithë aktorë që luajmë skenarin e jetës tonë, të cilin e kemi shkruar po ne, por të diktuar nga të tjerët. Modë! Turmë!

“Unë po shikoj këtë film”...ok, është e thjeshtë dhe e bukur, por në mes të filmit e ke vënë stand-by e po informon pak ca veta, ndryshe nuk të shijon. A të bujtim dhe ne aty tek divani yt?

“Buzë detit, duke lexuar romanin X”... ok, e kuptuam, je vajzë e kompletuar, ke kohë për të gjitha, e pavarësisht se të kemi parë vetëm me kostum banjoje që në prill, ti edhe lexon, por... sa ta besojmë këtë fakt pozitiv për gjenezën tonë të ardhme, kur ti orë e çast informon gjithësinë sa e zgjuar je, tendencialisht?

“Yll i mamit, jeta ime ti, shiko si të ka zënë gjumi”... nga 0 vjeç e tutje, të dua shumë por dua edhe të të shohë krejt dynjaja se çfarë mrekullie kam bërë, se unë e di, ai e di, por duhet ta dinë edhe ata e ato, se nuk ka lindur krejt bota fëmijë, vetëm unë ... e kështu, në padijeninë e vet absolute, foshnja përplaset në të gjitha ekranet e mundshme. Sigurisht që e do me shpirt, por duhet që kjo dashuri të ndahet me botin. Pse, vallë? A ka kënaqësi më hyjnore në botë se të jesh nënë? Nuk mjafton vetëm kjo për të qenë femra më e lumtur në botë? Ç’rëndësi ka t'i ndash çastet më të hershme të një fëmije me këdo?

E pra, thjeshtësia është luks, është klas, është vlerë, është dije, është kulturë e lartësi, së fundmi më shumë se kurrë. Të kuptosh se dashuri, qiell, det, mal e lule i ke me limit në jetën që vrapon. Të kuptosh se nëse nuk je aq i përqendruar sa të shijosh një gotë verë e të shikosh një film me njerëzit që do, pa e postuar menjëherë, është problemi yt, ka diçka që nuk të bën të lumtur, ik me vrap.

Kur shijon një gatim të mirë, një muzikë të mirë, një panoramë të bukur, mbyll botën e vetëm shijon, nuk ke as dëshirën më të vogël ta ndash. Pjesa tjetër është spektakël palumturie dhe boshllëku kolektiv.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: