Të rinj dhe të papunë, do nisin praktikën në administratë dhe biznese

Të rinj dhe të papunë, do nisin praktikën në administratë dhe biznese
Ke mbaruar studimet dhe je pa punë se s’ke eksperiencë, tashmë vjen një mundësi e mirë. Tregu i punës në Shqipëri është cilësuar përherë si i vështirë për të rinjtë pasi s’kanë eksperiencë dhe për këtë arsye nuk i punësojnë. Ndaj dhe këtë vit institucionet e qeverisjes qendrore, ato vendore dhe disa kompani publike e private në vend kanë vendosur që të ofrojnë mundësinë e praktikave të punës dhe numri i vendeve të njoftuara bëhet përmes platformës së ngritur për këtë program. Praktikë do përfitojnë rreth 1343 të rinj. Aplikimi mund të bëhet online dhe profilet ku mund të aplikohet janë gjithëpërfshirëse. Vetëm Kryeministria ka lënë si opsion 20 vende për praktikantët që mund të kenë profil studimor si juridik, ekonomik, inxhinieri, shkenca politike.

Institucione të tjera në varësi direkte të Kryeministrisë kanë hapur gjithashtu mundësi për praktikë ku mes të tjerash INSTAT që kërkon 19 praktikantë, ASIG 2 dhe drejtoritë rajonale të arkivës me një total prej 26 studentësh. Totali i institucioneve që ofrojnë mundësinë e praktikës sipas të dhënave të gjeneruara nga platforma është 19 për ato qendrore, 93 institucione varësie, 19 njësi të qeverisjes vendore dhe 10 shoqëri tregtare. Vetëm OSHEE kërkon 29 praktikante me profil ekonomik.

Të drejtën për të aplikuar në programin kombëtar të praktikave të punës e kanë të gjithë ata që kanë përfunduar studime të ciklit të parë (bachelor) dhe janë duke studiuar, por dhe ata që kanë përfunduar studime të ciklit të dytë.

Programi parashikohet që të zgjasë tre muaj. Platforma është ende në rifreskim të dhënave dhe në ditët në vijim pritet që numri i vendeve të lira për praktikë të rritet ndërkohe që listës mund t’i shtohen institucione të reja.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: