TEATRI I KUKULLAVE NË PD-NGA PLATOR NESTURI

TEATRI I KUKULLAVE NË PD-NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

 

Një teatër kukullash në oborrin e PD-së. Një teatër ku vetë personazhet kukulla, ftojnë spektatorin e pranishëm për të zgjedhur kryetarin. Ndërkohë që skenari është shkruar tjetërkund, nga tjetërkush.  Mjafton të shohim sinopsy-n në fletën e ftesës teatrore dhe e dimë përfundimin se kush do të jetë kryetari, se cilët janë personazhet pozitivë e kush prej tyre do të damkosen. Kjo pjesë është shfaqur edhe më parë, në tjetër skenë e me tjetër dekor, por gjithsesi e kemi parë prej kohësh. Ndryshojnë vetëm aktorët.

Gjithsesi, drama e kryetarit humbës që po luhet së fundmi në PD, nuk është për duartrokitje. Madje, as për të qeshur nuk të bën, qoftë edhe me vulgaritet. Kjo dhe për shkak të aktorëve të dobët që mbushën skenën në PD, në media e gjithkund.

Troshitur nga humbja e thellë e 25 qershorit, ndërsa pritej që opozita të merrte në analizë shkaqet e këtij rezultati në dishezë të plotë, debati i vetëm ishte për ngrirje shkrirjen e kryetarit, për zgjedhjet e reja në parti dhe histori me vila, tradhëtorë e leje pallatesh, ndërkohë që të gjithë i mbanin sytë e veshët nga kërcitja e derës së Sali Berishës.

Në fakt, pas gjithë kësaj katrahure, është pak e nevojshme dhe fare apo aspak e rëndësishme të bëhet një analizë për shkakun e humbjes. Me idetë e cekëta që u prodhuan për garën për kryetar si dhe helmin e zbrazur nga të gjitha palët për njeri-tjetrin, të gjitha bashkë ishin argumentet më të qartë i kësaj bjerrjeje që pësoi PD-ja. Negativiteti, helmi e pakënaqësitë ishin akumuluar aq dukshëm, saqë plaga rrodhi qelb në rastin më të parë. Si mund të shpresohej ndryshe e të mendohej madje fitore për zgjedhje?

Opozita, gjithsesi, është element i rëndësishëm i shtetit. Ca më tepër, PD-ja si parti historike që simbolizon fitoren e pluralizmit në Shqipëri. Ndaj, mosfunksionimi i saj është shqetësues, e ca më tepër deformimet në strukturë, çka ndikojnë dhe në deformimet e mëtejshme të vetë demokracisë në vend. Por debatet brenda saj, ishin një diletantizëm amator e jo të një partie që ka 27 vite që ka drejtuar vendin e që ka dhënë tonin edhe në opozitë. E në këtë mënyrë, vështirë të mendohet se do të ketë peshë dhe në opozitarizmin e tanishëm ndaj suprermacisë aktuale të Ramës.

Vendimi i Bashës për të mos dhënë dorëheqje nga kreu i PD-së pas humbjes së thellë, por duke kaluar në një proces të panatyrshëm ngrirjeje, deri në zgjedhjet e reja brenda partisë, gjithsesi është një lëvizje politike. Sado me moral të diskutueshëm, por mbetet një lëvizje. Qoftë edhe me arsyetimin bindës apo jo, në varësi të këndvështrimit, se ky variant hibrid i ngrirjes, bëhet për të shmangur një çarje të PD-së në kushte depresioni. Vetëm një garë e shpejtë do e fusë në rrugën e normalitetit. Gjithsesi në politikë, çdo lëvizje shoqërohet me një lëvizje të kundërshtarit. Si në shah, sipas Ramës. Porse në PD doli se Basha kish shumë kundërshtarë e si të tillë, nuk u mor vesh kurrë se kush kish të drejtën e lëvizjes.

Në vend të kësaj, në deklaratat e në daljet televizive, kundërshtarët e shumtë, u morën me moral, me moralin e humbjes e të dorëheqjes, me denoncim të prishjes së rregullave të zgjedhjeve, me listën famëkeqe që u bë në 12 të natës, me përgjegjësitë e kryetarit e me anashkalimin e forumeve. Të gjitha këto ishin në rregull, përveç diçkaje. Nuk arritën të bënin asnjë lëvizje politike kundër Bashës. Asnjë. Denoncimi apo morali i të drejtës janë veç argumente që veshin lëvizjen politike me kostumin e besueshmërisë. Por kur vetë lëvizja konkrete mungon, të gjitha këto argumente do të rrinë të varura në kremastar në atelienë e kujtimeve biografike.

Gara, tashmë, duket e mbyllur dhe nuk mbetet tjetër veç të urojmë Bashën për mandatin e ri. Të paktën këtu e ka siguruar fitoren në këtë vit të mbrapshtë për PD-në. Gjithsesi, as ai vetë nuk e priste që kundërshtarët e tij të ishin kaq të dobët. Thjesht bënë ca zhurmë, por vetëm kaq. Kur gjithçka është tym e avull, mund të fitosh edhe duke ngrirë...!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: