“Uji i detit në plazhin e Durrësit, këtë vit më i pastër”

“Uji i detit në plazhin e Durrësit, këtë vit më i pastër”
Flet me “Albanian Free Press” drejtori i Shëndetit Publik në Durrës, Kristaq Huta: Shërbim 24 orë për pushuesit në katër qendra shëndetësore në gjithë bregdetin

Z. Huta, çfarë masash janë marrë këtë vit që pushuesve të mos u mungojë kujdesi shëndetësor në plazhe?

Është i treti vit me radhë që ne kemi hapur qendra të posaçme të kujdesit shëndetësor për pushuesit. Këto qendra funksionojnë me shërbim 24-orësh dhe janë vendosur në ambiente të marra me qera, posaçërisht për këto muaj. Kemi llogaritur që qendrat të jenë sa më pranë plazhit. Një qendër shëndetësore është e vendosur në plazhin e Shkëmbit të Kavajës, një tjetër në plazhin e vjetër të Durrësit, një tjetër pranë plazhit të Currilave dhe e katërta në gjirin e Lalzit. Në plazhin e vjetër dhe në gjirin e Lalzit janë angazhuar tre mjekë dhe tre infermierë, ndërsa në dy qendrat e tjera nga dy prej tyre.

Po si arrijnë ta mbulojnë shërbimin 24-orësh kur janë vetëm dy mjekë?

Duke u alternuar çdo 12 orë, ndërsa në dy qendrat e tjera çdo 8 orë. Për këtë qëllim janë hartuar kontrata të posaçme, ku është llogaritur fakti që janë në krye të detyrës non-stop për këto muaj dhe pa asnjë ditë pushim.

Këta mjekë dhe infermierë janë në gjendje të trajtojnë edhe rastet e rënda?

Si rregull, ata shërbejnë për ndihmën e parë dhe për vizita të zakonshme. Në raste të rënda, kemi shërbimin e transportit drejt spitalit rajonal të Durrësit, me autoambulancat e urgjencës së spitalit.

Çfarë aparaturash dhe medikamentesh keni në këto qendra shëndetësore?

Qendrat janë pajisur me orenditë e nevojshme dhe aparaturat bazë për ndihmën e parë. Kanë bombola oksigjeni, aparate EKG-je, aparate për matjen e tensionit, aspiratorë etj. Gjithashtu kemi medikamentet bazë si dhe disa specifikë, për rastet kur ka pickime nga gjarpri apo kundër tetanozit.

A keni mjaftueshëm nga këto medikamente për të përballuar sezonin turistik, veçanërisht në pikun e tij?

Po, nuk kemi patur probleme furnizimi. E them këtë edhe duke u nisur nga eksperienca e dy viteve të kaluara, kur në fund të sezonit i kemi dhuruar spitalit të Durrësit pjesën e mbetur të medikamenteve.

Në çfarë stadi ndodheni me fluksin e vizitave?

Ne mbledhim shifrat e detajuara nga çdo qendër shëndetësore dhe i raportojmë çdo javë në Ministrinë e Shëndetësisë. Në muajin qershor, ka patur lëvizje minimale. Kjo edhe për faktin se muaji i Ramazanit dhe zgjedhjet kanë frenuar fluksin turistik. Në këto ditë të korrikut fluksi është në rritje, por ende larg pikut. Sot në të katër qendrat shëndetësore për pushuesit kemi rreth 40 vizita në ditë, trefish në krahasim me qershorin, por vjet, në kohën e pikut, kjo shifër i kalonte 150 vizitat.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: