Valbona Mema: Jeta ime, mes pasionit dhe dhimbjes

Valbona Mema: Jeta ime, mes pasionit dhe dhimbjes
Valbona Mema, këngëtarja ikonë e muzikës së trevave të Tiranës, është në memorien e gjithkujt, një personifikim i rezistencës ndaj rrymave të cilat po përpiqen të luhasin identitetin e folklorit tonë. Ka shumë e shumë vite në skenë, e pavarësisht jetës së trazuar, me humbje të thella e plagë që në rininë e saj, ajo ka ditur me shumë vendosmëri, të qëndrojë në zemrën e publikut, pa pësuar asnjë “frakturë” nga moda dhe tregu. E kam njohur në vitet ‘90, atëherë kur këndohej vetëm live, prezantoja disa koncerte në Prishtinë dhe Bona shoqërohej nga njeriu i saj më i dashur, bashkëshorti. Shumë e kujdesshme deri në detaj për cilësinë e performancës, Valbona Mema ishte që në atë kohë një këngëtare shumë e njohur. Kur e shikoj sot, kuptoj sesi arrihet të mbijetohet mbi një treg të vështirë, shpesh joprofesional. Valbona Mema, sot “Mjeshtre e Madhe”, mes një koncerti edhe një tjetri, na rrëfen ekskluzivisht për “Albanian Free Press”, atë që ajo e quan mbijetesë mes pasionit për këngën dhe dhimbjes së humbjes së njeriut të dashur, një grua që e vetme në moshë të re, rriti fëmijët e saj me mbështetjen e prindërve të bashkëshortit dhe dashurinë për vlerat kombëtare.

Intervistoi për “Albanian Free Press”, Juela Meçani

Ju keni kënduar me dashuri këngën e Shqipërisë së Mesme për shumë vite. Por si erdhët deri tek kënga?

Shumë e vogël isha kur në ëndrrat e mia flinte dëshira që të bëhesha një ditë këngëtare. Unë konkurrova për të ndjekur Liceun Artistik, e fitova të drejtën, por nuk munda do ta ndiqja shkollën, sepse më duhej të filloja punë shumë e vogël, për të mbajtur edhe familjen. Kam pasur vëllezër shumë fanatikë e nuk më lejonin të këndoja,  kishin të tjera dëshira për mua. Por ëndrra ime ishte të bëhesha këngëtare.

Sot në muzikë ka rryma të reja, ritme të huazuara. Cili është mendimi juaj për këtë dukuri?

Unë nuk jam kritike e muzikës, por mendoj se është për të ardhur keq për atë çka po sjell muzika popullore, më saktë muzika shqiptare, se muzika shqiptare popullore është një perlë e cila duhet studiuar dhe sjellë me shumë kujdes. Folklorit tonë nuk duhet t’i heqësh asnjë pikë e asnjë presje. Ndihem keq për atë që dëgjoj, por ja që ky është tregu.

Koncertet dikur kishin mijëra spektatorë. Sot kjo duket gati e pamundur. Pse?

Është normale që më duket shumë e pamundur tani, sepse edhe unë, kur kam realizuar koncertin tim recital, në vitin 2003 ka pasur mbi 5000 spektatorë e do të mbahet mend gjatë. Ka qenë një koncert që vërtet i duhej kryeqytetit e këtij publiku. Sot është e pamundur, sepse publiku është tepër i çakorduar. Do shumë guxim të marrësh vendimin të organizosh një koncert, ku të kesh mijëra spektatorë, të cilët do të dëgjojnë vetëm muzikën popullore.

Ju ka ndodhur të keni pasur ndonjë incident apo ndodhi në skenë?

Në fakt, unë gjithmonë këndoj live dhe madje e kam shumë bezdi kur nëpër koncerte na duhet të këndojmë me CD dhe jam ndjerë shumë keq njëherë kur më ka mbetur CD në mes. I thashë “stop” dj-it dhe fillova të këndoj live pa orkestër, bashkë me publikun. Do ta mbaj mend atë ditë gjatë.

Janë shumë vite me ju në skenë. Unë vetë as nuk e imagjinoj dot, por nëse nuk do të ishit këngëtare, ku e shikoni veten?

Ëndrra ime kur kam qenë e vogël ka qenë që të isha ose këngëtare, ose oficere policie e ndoshta ka shumë mundësi që nëse nuk do të isha bërë këngëtare, një ditë të bukur do ta shikoja veten në Policinë e Shtetit.

Moralisht, jeni shumë e vlerësuar nga publiku. Po ekonomikisht, ndiheni të shpaguar si duhet nga puna juaj?

E vërtetë është që mbështetja e publikut më ka bërë që moralisht të ndihem shumë e vlerësuar, por edhe nga ana financiare nuk mund të them se nuk kam qenë e vlerësuar. Kam investuar shumë vite për emrin tim dhe rrjedhimisht, gjithë ato vite pune shpërblehen dhe sot emri punon për mua. Sigurisht, nuk është si vitet që kanë kaluar, por vlerësimi është shumë i mirë, maksimal.

Ka miqësi në art? Keni hasur xhelozi ju mes këngëtareve në karrierën tuaj?

Unë vetë jam natyrë shumë miqësore e sigurisht, kam shumë kolegë që më duan. Më tepër, kjo është diçka si e çuditshme, kam shumë kolegë të rrymave të tjera të muzikës. Në muzikën popullore, ti e di, ka shumë rivalitet. Nuk e quaj rivale veten me asnjë këndvështrim, ndaj u kam thënë të gjitha mikeshave të mia, kolegeve të mia të muzikës popullore që ne duhet ta konsiderojmë veten në radhë të parë shoqe e më pas të mundohemi mos kemi rivalitet mes nesh, sepse qëllimi ynë është shumë i artë, ne sjellim kulturën e vendit tonë.

Cili është mendimi juaj për brezin e ri të këngëtarëve të muzikës popullore?

Nuk është se jam kritike, muzika e tyre është komerciale, ajo që sjellin nuk është origjinale, është tregu. Fajin nuk e kanë fare këngëtarët e rinj, e kanë kompozitorët, me prurjet e tyre, krijimet e tyre, ndoshta ka hyrë pak me shumë se duhet muzika komerciale. Është me rrezik, sepse dalëngadalë po shuhen vlerat e muzikës taban, muzikës tipike popullore shqiptare.

Jeni gjithmonë e kuruar në skenë. Transmetoni qetësi dhe paqe. Kështu jeni dhe në jetë, e kuruar dhe e paqme?

Jam rritur nga një familje me shumë vlera, jam edukuar që t’i dua njerëzit në të mirë e në të keq, mendoj se jam shoqe dhe kolege shumë e mirë. Transmetoj paqe, sepse jam paqësore, jeta më ka bërë që unë të mbijetoj, të njoh njerëz të mirë e të këqij, gjithmonë kam ecur me idenë se “armikun duhet ta bëj mik”, nuk e kam fjalën për armiq në kuptimin e vërtetë të fjalës, por ta pranojmë, në art ka shumë bërryla. Prandaj mundohem të jem njeri i mirë e të sjell paqe, në mënyrë që edhe ata që janë të ligj në shpirt, të mundohem t’i edukoj me sjelljen time.

Të kujdesesh për veten është kulturë e nuk duhet të ngatërrojmë skenën me jetën. Në jetë duhet të jemi shumë të thjeshtë, skena në anën tjetër është e shenjtë.

A bëni bamirësi? Pra, a e keni ndarë suksesin tuaj edhe me të tjerët?

Në momentin që babai i fëmijëve të mi, bashkëshorti im, Sokoli, kishte nevojë për medikamente të specializuara, në spitalin onkologjik kishte mangësi, pra mungonin. Kështu që vendosa që pas humbjes së tij, të bëja një koncert recital bamirësie, në ndihmë të të sëmurëve të onkologjikut, sepse e ndieja si detyrim moral, si një thirrje shpirtërore. Edhe ata kanë nevojë të jetojnë, të kenë vëmendje. Me shumë vëmendje shikoj edhe azilet e pleqve dhe mendoj shumë për ta. Pavarësisht se unë prindërit nuk i kam, por mendoj se të gjithë janë prindërit tanë e kanë nevojë për kujdes e vëmendje. Është një nismë të cilën ka shumë vite që e kam nisur dhe mendoj se do të vazhdojë, sepse bamirësia e sinqertë fle në shpirtin tim.

Dua nga ju një mesazh për muzikën qytetare dhe gjendjen e saj sot.

Unë kam një mesazh shumë të ndjerë. Do ju lutesha të gjithë kompozitorëve e të gjithë këngëtarëve që të mundohen ta ruajnë vlerën e vërtetë të muzikës popullore, publiku ka nevojë të na shikojë në skenë me këngë të tabanit popullor. Kombi ynë, populli ynë kanë shumë vlera, duhet t’i fshijmë pluhurin e harresës dhe kohës e t’i nxjerrim nga fonotekat tona, ta edukojmë brezin e ri me këtë lloj muzike. Publiku na adhuron vetëm nëse ne respektojmë tabanin, vlerën e kombit tonë, pra sa më shumë të këndojmë muzikën e pastër shqiptare në gëzimet tona, koncertet tona, aty ku ruhet tradita.

Sa ju ka mbështetur familja juaj në pasionin tuaj për këngën? A është e vështirë jetesa e një artisteje, që është gjithmonë në lëvizje dhe koncerte?

Eh, gjysma e krahut tim u shkëput përpara 18 vitesh, m’u shkëput ndihma ime më e madhe, një mësues që mua më ka mësuar shumë në jetë, të cilit ia dedikoj çdo sukses. Është bashkëshorti im, babai i fëmijëve të mi, Sokoli, që iku nga kjo jetë përpara kohe e më la dhimbjen më të madhe. Fëmijët e mi kanë qenë një mbështetje shumë e madhe, gjithashtu, por nuk mund të lë pa përmendur as familjen e Sokolit, unë vetë nuk i kam prindërit. Ata më kanë mbështetur në çdo moment, më kanë ndihmuar me rritjen e fëmijëve. Më është dashur shumë shpesh të shkoj jashtë shtetit në koncerte, me shumë forcë ata më kanë qenë pranë dhe kam ikur e qetë, sepse i kisha fëmijët në duar të sigurta. Do t’u jem mirënjohëse e borxhlie gjithë jetën për edukatën që u kanë dhënë fëmijëve të mi dhe mbështetjen e pakufishme që më kanë dhënë. Ata të dy janë edhe kritikët e mi më të mirë.

Keni kaluar dhe drama në jetë si p.sh. humbjen e bashkëshortit. Si i keni përballuar ato?

Ka qenë një dhimbje shumë e madhe. Unë jam duke mbaruar librin tim autobiografik, është një ditar i jetës time, nga fillimet e mia, nga martesa, nga lindja e fëmijëve. Tani kam mbetur në momentin kur jeta më mori një kthesë, isha shumë e lumtur, shumë e dashuruar me bashkëshortin tim, me fëmijët e mi e për një moment m’u shkëput kjo lumturi. Jeta ime mori një fytyrë tjetër. M’u desh të përballoja dhimbjen e më duhej edhe të merrja një vendim shumë të madh, të ndaja qartësisht kohën mes karrierës dhe familjes. Bisedova me prindërit e Sokolit dhe iu përkushtova plotësisht karrierës. Për mua është vendimi më i mirë që kam marrë në jetë. Nuk u martova asnjëherë pas kësaj tragjedie, rrita fëmijët, i edukova, jam krenare që ata sot janë shumë të mirë e më respektojnë. Djali dhe vajza ime ma njohin e ma shohin edhe dhimbjen, edhe forcën që kam dhe mendoj se çdo nënë, grua, në momentin që humb bashkëshortin nuk duhet të bjerë në pesimizëm e të thotë se i mbaroi jeta. Femra është e fortë, nuk e quaj dot veten si nënë heroinë, pavarësisht se për mua ka qenë një mbijetesë shumë e fortë. Humba mësuesin tim, shokun tim të jetës, dashurinë time më të madhe, por nga ana tjetër kënga ishte pasioni im.

Tani që pos shkruaj këtë libër, kam gati titullin e tij: “Mes pasionit dhe dhimbjes”. Në atë moment, unë u gjenda midis pasionit të madh për muzikën popullore dhe dhimbjes. Por unë vazhdova e mbijetova dhe ja ku jam sot.

Si arrini të ruani këtë formë?

Deri përpara një viti isha një vajzë e kolme, ‘e mushme’, siç i themi ne tironsit. Deri përpara një viti isha më shumë e dedikuar ndaj punës, koncerteve, edukimit të fëmijëve, aktivitetet ishin frenetike dhe nuk kisha shumë kohë të merresha me veten time, nuk kisha aspak vëmendje për veten, isha vetë burrë e vetë grua, vetë nënë e vetë babë. Por erdhi një moment kur fëmijët u rritën dhe u bënë të pavarur, e unë mund t’i përkushtohesha vetes dhe formës time për një jetë më të shëndetshme. Falënderoj këtu dietologen time, Flora Ndoja, ajo me shumë vullnet më nxiti që unë të arrija në këtë lloj forme, ushqehem shumë shëndetshëm dhe jam shumë e lumtur me formën e arritur. Por, (hahahaha), publiku më do ashtu të kolme. Pra, siç është ai llafi popullor: “Hip në pemë se të vrava, zbrit nga pema se të vrava”, unë s’di më çfarë të bëj, (hahahaha).

Cilat janë planet për të ardhmen e afërt në këngë?

Unë sapo kam nxjerrë në treg dy këngë të reja, njëra i dedikohet bashkëshortit sepse ai është gjithmonë e kudo me mua, është mbrojtësi im, ëngjëlli im. Kënga titullohet pikërisht për këtë “Të kam”. Është një bashkëpunim me Ymer Bajramin nga Prishtina dhe një bashkëpunim tjetër nga shtatori, pas sezonit veror, do të jetë me Genën. Jam e bindur që do të jetë një sukses, jemi dy këngëtarë të cilët nuk do dalim nga tradita, do sjellim një këngë të pastër popullore.

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: