“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Pandeli Majko: Edi Rama po tallet me mua dhe socialistët e vjetër

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Pandeli Majko: Edi Rama po tallet me mua dhe socialistët e vjetër
Flet shoku dhe ministri, Pandeli Majko: Edi Rama po tallet me mua dhe socialistët e vjetër

"Antena jashtë Familjes" është rubrika që sjell muaji i përvëluar i gushtit e në vazhdim, ekskluzivisht në gazetën “Albanian Free Press”. Në këtë rubrikë të përditshme, Antena jonë do të transmetojë për ju, çdo sinjal që do të kapë nga çdo anë, majtas apo djathtas qoftë, pa dallim klani politik.

Sot në këtë të martë tw fundit të këtij muaji veror, po sjellim bashkëbisedimin miqësor me shokun Pandeli, ministrin e Shtetit për Diasporën. Ai na ka folur plot sinqeritet rreth shumë problemeve, duke na nxjerrë në dritë mjaft enigma, që mbart politika. E falenderojmë shokun Pandi, për kurajon e treguar. Ja biseda me këtë hero të ditëve tona, që nuk pyet për të madhin e partisë:

Përshëndetje shoku Pandeli dhe urime për detyrën e re!

-Për, për, për...! Përshëndetje!

Nuk ju shikoj në terezi. Ç'keni pësuar?

-Po talleni ju, apo si?! Çfarë i keni këto pyetje, pa ndjenjë logjike. Do ti që të jem i lumtur unë, pas asaj që ndodhi. Apo bëni sikur nuk keni dijeni.

- Çfarë ndodhi? A mund të na i thoni? Përse jeni kaq i...?

-Më bëri ministër pra. Ma ngopi. Apo nuk e morët vesh!?

-E morëm, posi. Unë ndaj erdha që t'ju uroja.

-A, ti nuk mbush! Po ky post është me të futur. Me të ngecur. Për të më larguar nga partia. Edhe kë mua, që e kam nisur kur i kisha flokët gjysëm të verdhë. U zbardha në këtë parti. Po më bien leshtë e kokës madje.

-Ju për t'u zbardhur keni 20 vite, në fakt. A mund të jeni më i qartë, ju lutem! Si qëndron puna, pasi ne  shikojmë vetëm anët e dukshme... Politika është si ajsbergu, që më shumë nuk dallohet, sesa duket.

- Nuk kam edhe shumë kohë pasi do nisemi në Vlorë të hamë ndonjë drekë andej.  Me këtë rast, të bëjmë edhe mbledhje qeverie. Shkojmë ku shkojmë, në Vlorë përfundojmë ne, se mburremi vetëm me atë shëtitoren në bregdet. Aq kemi bërë këto vite. Lesh, as atë rrugën që do lidhte Fierin me Vlorën nuk mbaruam dot. Po shyqyr, ja ngopëm fajin LSI-së këtë radhë. Lidhur me emërimin tim: Di të them që ma ngopën.

Më dhanë një ministri pa kuletë. Duan që të më heqin nga këtu. Të qëndroj më shumë jashtë vendit. Më kuptoni, apo bëni sikur jo?

-E përse duan ta bëjnë këtë gjë? Ç'qëllim kanë që duan që...?!

-Është luftë klanesh. Klani ynë i socialistëve, me këta mjaftisto-rilindasit. Ka kohë që ndodh kjo luftë. Që nga koha që Rama pagoi ato lekët te Tosi dhe bleu partinë.

Madje edhe ca më shpejt. Tallet Rama me ne socialistët e vjetër. I duket vetja si Jesu Krishti, që do sjellë mirësinë në tokë. Dymbëdhjetë apostuj kishte ai, 12 edhe Rama. D.m.th. një zëvendëse dhe 11 ministra, që bëjnë gjithsej 12. Pastaj ne pa kulete, që jemi kot. Njeri prej tyre, jam edhe unë, që mos...

-Vërtet, si u vendosët ju ministër i Diasporës shoku Pandi? Si ndodhi, tamam?

-E ke parasysh që Rama u fut 20 minuta me vonesë në mbledhjen e Asamblesë, besoj?

-Po, po e kam. Edhe gazeta jonë e tha këtë fakt, shumë dyshues.

-Ja në këtë 20 minutësh e hëngra unë. Ç'do bëjmë, do shkojmë ndonjë vizitë në Itali pasi të caktojmë ministrat? i kishte thënë Rama atij Endri Fugës - Nuk kemi sesi të shkojmë, pasi nuk bëri atë tunelin që do na lidhte me Italinë ai Pandeliu", u përgjigj ky Endri me ironi. -Ore ai Pandeliu akoma në Shqipëri është? kishte pyetur Rama.

-Këtu është këtu. Dërgoje ministër të merret me shqiptarët jashtë, i kishte thënë ai Endri. E kështu, ma ngopën.

-Kuptova një pjesë, shoku Pandi. Po pse pikërisht juve? Mund të gjenin edhe ndonjë socialist të vjetër, tjetër dhe ta vendosnin.

-Ishte ideja e Endrit edhe kjo. Të vëmë Pandin, kishte thënë që të merret me emigrantët. Ata Shqipërisë i thonë "Nënë". Edhe Pandi mbiemrin e ka "Majko", që nga gjuhët sllave përreth, i thonë nënës. Ja kështu ndodhi. E hëngra! As portofol, as kuletë, as xhepa s'do kem. Ministër kot me një llaf. Do merrem me dyfarëshorin që jeton jashtë shtetit tonë nënë.

-Cilën quani "dyfarëshorë", shoku Pandeli?

-Diasporën, pra. Di+spore, dmth dy fara. Pra e thashë në shqip, "dy-farëshorë".  Ju e dini që jam patriot. Ky patriotizëm më mori në qafë. D.m.th. sepse jam kështu, ma ngopën këtë post, pa lekë. Më mori Rama në telefon qëparë. E di ç'më tha?

-E nga ta di unë, se mos isha aty. Ç'ju tha, a mund ta dimë?

-Ore Pandi, -më tha-kur do e ndërtosh atë tunelin për në Itali? Po atë hekurudhën nga Poradeci deri nw Maqedoni, a do e bësh me ushtarët, apo ke hequr dorë?

Tallet Edi, mirë bën. Kur gjen, përse mos të tallet. Dhe më mbylli telefonin, duke qeshur. Edhe kush tallet, pale! Ai që thotë që kemi hapur 300 e kusur mijë vende pune.

-Nuk besoj se tallet. Ju ka pyetur se ka besim te aftësitë tuaja, ndaj. Edhe te patriotizmi juaj, i spikatur gjatë gjithë këtyre viteve të pluralizmit.

-E di ç'më tha, se harrova t'ua u thosha. "Ore Pandi!-më tha. Përse nuk e ndwrron fare mbiemrin? Nga Majko, ta bësh Nëna. Pra Pandeli Nëna.”

-Nuk është ide e keqe, po ta mendosh. Tingëllon shumë bukur.

-Tallej edhe Endri Fuga me mua në telefon. "O Pandi, mos nigjo Edin tina, më thoshte. Mos e boj Pandeli Nëna. Boje Pandeli Nona. Madje as Pandeli Nona mos e boj! Boje Pandeli Mami! Tani që po mendohem, boje Pandeli Ija". Po nuk ka faj Endri, fundja.

U rropatëm ne socialistët për ata mjaftistët. Hanim dru nga Saliu, e tallet ai. U katandisa ministër pa kuletë. E kuptoni ju? Nga Kryeministër, të bëhem ministër pa kuletë. Turp!

-Po mos pranoni, atëherë shoku Pandeli!

-Të mos pranoj, thua ti. Po pastaj, apo të katandisem rrugëve si Ben Blushi. Madje as si ai jo, se unë nuk ja them as në të shkruajtur.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: