JUGOSLLAVIA PLUS DHE SHQIPËRIA NË MINUS- OPINION NGA PLATOR NESTURI

JUGOSLLAVIA PLUS DHE SHQIPËRIA NË MINUS- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga Plator Nesturi

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Deri disa vite më parë, nëse do shihje itineraret e ministrave të jashtëm ballkanikë, mund të vëreje se, kryesisht, prenotoheshin në dy linja, - pak komunikuese me njëra tjetrën, - në atë Athinë-Sofje-Beograd dhe Ankara-Tiranë- Bosnje. Në të gjitha rastet, pjesa ku kryqëzoheshin të gjitha këto ecejake, ishte Shkupi. Sidoqoftë, ishin të tjera kohë. Greqia ishte e vetmja ndër ballkanikë që bënte pjesë në BE. Po ashtu, në atë kohë gati njëpolare, ku forca e SHBA-së ishte e pakonkurrueshme, interesat e secilit vend bëheshin brenda një loje të përgjithshme e një politike të konturuar. Si kujdestarë të grindavecëve ballkanikë, BE-ja kishte caktuar Italinë dhe Greqinë. Kjo gjendje dukej se do të mbetej gjatë e pandryshuar.

Tashmë, shumë gjëra janë ndryshe. Së pari, ka ndryshuar harta. Krijimi i Malit të Zi dhe Kosovës, si shtete të pavarura, ka sjellë edhe lojtarë të rinj në fushë, por dhe ndryshim të forcave në tregun e influencave. Shtimi i peshës ruse dhe i interesave të saj në rajon, duke shtuar dhe një ndikim të drejtpërdrejtë të asaj çka ndodh në Lindjen e Mesme, - nëpërmjet vargut të gjatë të emigracionit, - bën që Ballkani të ndihet në pulsim dhe i ndjeshëm. Përballë faktorëve të tillë, - kur dhe filizat e nacionalizmit konfliktual janë gati të ngrenë krye në rastin më të parë, - pesha kujdestare e një Athine të rrënuar keq nga kriza financiare dhe një Italie me plot halle të brendshme, e bënte të vështirë menaxhinim e një rajoni që shquhet për kryeneçësi dhe me plot të papritura shqetësuese, kur është fjala për fqinjin e vet më të afërt. Ajo çfarë tërhiqte këtë masë shtetesh, me aq probleme mes tyre, drejt moderacionit të qëndrimeve, ishte ideja e një bashkimi të madh, asaj ku të ndihen të barabartë me çdo shtet europian. Pasi, në Ballkan, gjithkush e di veten se është më i mirë se fqinji, por kur vjen çështja te Europa, të gjithë e ndjejnë veten deficitarë.

Por dhe kjo ëndërr që topiste nacionalizmin e sëmurë, e cila i shtynte ballkanikët të hapeshin e të demokratizonin veten, duket se po zgjatet shumë në kohë, - si një mjegull që gradualisht fillon të tretet. Pas hyrjes së Kroacisë në BE, procesi ka stopuar dhe nuk dihet se kur do të rivihet në moto.

Në kushtet e një skepticizmi europian, Brexit, emigracioni nga Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, azilantët lindorë, dhe vetë kriza që nis të aktivizojë forca dhe mendësi që, për këtë, gishtin e fajit e vendosin drejt burokracisë së shtrenjtë të Brukselit, procesi i integrimit të vendeve të tjera që janë në këtë proces, as që mund të imagjinohet momentalisht, me gjithë deklaratat inkurajuese të zyrtarëve të BE-së, angazhuar a të fokusuar drejt Ballkanit. Kështu, një pjesë jo e vogël në hartën e Europës mbetet e bardhë. Bosnja dhe Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, mbeten si një pellg i madh, si një bonifikim i lënë përgjysmë për mungesë fondesh.

Brukseli i shtyrë nga Gjermania, janë tashmë lojtarët që ndjejnë përgjegjësi më konkrete se çdo të ngjasë në këtë rajon të cilin nuk kanë forcë për ta çuar më tej në gjirin e familjes europiane. Por edhe nuk mund ta lënë në kaosin e interesave të tjera jashtërajonale. Për më tepër që edhe Turqia e cila mbetet një faktor aktiv në rajon, nuk luan me të njëjtat interesa me BE-në, përderisa gjithmonë e më tepër, Ankaraja tregon se nuk ka ndërmend të vijojë rrugën drejt BE-së. Ndaj, takimi Berlinit gati dy vjet më parë, ku Merkel ftoi gjithë kryeministrat ballkanikë, ishte sipari i hapjes së një rruge ndryshe të këtij rajoni. Vëmendje, por jo integrim, hë për hë. Reforma, por dhe krijim i një tregu të brendshëm ballkanik,

ndjekur në takimin e Triestes, si dhe atë të organizuar në Durrës, vëmendja gjermane dhe e Brukselit ndaj kësaj pjese të pa integruar të Ballkanit, nuk mungoi. Por jo në kuptimin e një ecurie, por si mbështetje, - mbështetje për projekte rajonalë që ndërlidhin vendet e rajonit me njëri-tjetrin, nxitje për krijimin e një hapësire ekonomike të përbashkët midis tyre, mbështetje për vijimin e reformave demokratizuese sipas parimeve të BE-së. Vetë, kryekomisioneri Hahn, deklaroi në konferencën e mbajtur pas takimit rajonal në Durrës, se duhet të mirëkuptojmë faktin se procesit të integrimit nuk mund t’i vihet një datë. Kjo mbetet si një perspektivë e vendeve të pa integruara, dhe se e ardhmja do të jetë aty, por kjo nuk mund të dihet se kur.

Duke parë konfiguracionin e hartës të këtyre vendeve, u nis të artikulohet termi i Jugosllavisë së Re plus Shqipëria. Në logjikën europiane, termi i mësipërm mund t’i atribuohet krijimi i një hapësire të përbashkët ekonomike, ashtu siç prosperoi, në këtë drejtim, ish-Jugosllavia e Titos. Në fund të fundit, vetë BE-ja nisi si një projekt i një hapësire të përbashkët ekonomike. Por, ndër ballkanikë, termi Jugosllavi ka edhe një konotacion tjetër e që lidhet me luftërat ballkanike të cilat shkaktuan aq shumë tragjedi, viktima në njerëz dhe shkatërrim ekonomik. Së dyti, në hapësirë kohore është pak si herët që, pas luftërave e tensioneve që kanë lënë pas këto luftëra dhe përplasje, vendet gjaknxehtë ballkanikë të jenë aq të hapur e konstruktivë me njëri-tjetrin, për hir të një hapësire ekonomike të cilën sapo e kanë ndarë me luftë. Urat janë hedhur në erë... Dhe nëse ekziston vullneti për t’u lidhur sërish, së pari duhet kohë për t’i ndërtuar, por dhe shumë më tepër pará për t’i ringritur. Ca më tepër që, vende si Shqipëria e cila orientimin ekonomik e kishte të dedikuar qartësisht me vendet e BE-së. Në më të shumtën e kohës, diplomacisë dhe ekonomisë shqiptare i duhet të vrasë mendjen se nga ta lidhë e si ta lidhë veten në këtë hapësirë të re. Deri më tani, terreni kryesor ka qenë ai i energjisë dhe pak prodhimeve bujqësore; porse kjo është tepër pak për të patur peshë të rëndësishme në këtë hapësirë të re. E në këto kushte, ideja e “Jugosllavi plus Shqipëri”, mund të rezultojë një “Shqipëri në minus”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: