NË KURTHIN E NJË KRYQËZATE EMRASH- OPINION NGA ALFRED PEZA

NË KURTHIN E NJË KRYQËZATE EMRASH- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga Alfred Peza

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Prej dy ditësh, mediat tradicionale, ato online dhe rrjetet sociale, po përmbyten nga një vërshim i paparë analizash, komentesh, opinionesh, statusesh dhe mendimesh për përbërjen e qeverisë së re, "Rama 2". Emëruesi i përbashkët i tyre, është fakti se në shumicë absolute, kanë në fokus emrat e përveçëm ose të gjithë të emëruarit si pjesëtarë të kabinetit të ri. Duke mos u marrë fare as me staturën, profilet apo pritshmëritë, por thjesht e vetëm me emrat e përveçëm dhe kaq. Me një gjuhë, herë-herë, plot mllef e urrejtje, duke të të kujtuar personazhin e novelës "Natë me hënë", i cili thoshte se e "urrej Zanën, se i rri bukur pardesyja". E herë plot epitete bajate dhe mallkime, të cilat të kujtojnë ca skena të harruara, në ca vende dhe në një kohë të largët.

Në këtë mënyrë si opozita zyrtare, si përfaqësuesit e tjerë të saj, si mediat ashtu edhe analistë e opinionistë gjithfarësh, kërkojnë të bëjnë kryeministrin i cili është i vetmi person përgjegjës i njohur nga Kushtetuta, që ka të drejtën, pasi të mandatohet nga partia fituese e zgjedhjeve, të zgjedhë emrat e ekipit me të cilin do të qeverisë në katër vitet e ardhshme Shqipërinë. Askush nuk merret me analizën e fakteve, nëse njëri apo tjetri i përzgjedhur mbi bazën e CV-së, profilit, kontributit, cilësive, provave të mëparshme apo edhe formimit intelektual, akademik, politik e shoqëror, është apo jo në lartësinë e detyrës së propozuar? Nëse kanë apo jo probleme me ligjin, Kushtetutën, me rregullat dhe normat që rregullojnë veprimtarinë e këtij shteti për qytetarët e tij. Apo kanë ndonjë problem a kleçkë tjetër, që do t’i bënte të ishin nën lartësinë e detyrës apo në konflikt me të.

Asgjë nga gjithë këto, nuk gjen gjëkundi. Nga ana tjetër, pothuajse askush deri më sot, nuk është marrë me analizën e njërës prej dokumenteve bazë mbi të cilën pritet të projektohet, ndërtohet dhe të funksionojë, jeta e kabinetit të ri: Dhjetë tiparet e qeverisë "Rama 2". Një dokument bazë mbi të cilin do të vendosen të gjitha premtimet elektorale, programi qeverisës dhe nevojat e qytetarëve që ia besuan PS-së dhe Edi Ramës të vetëm, timonin e qeverisjes, deri më 2021. Dokument ky shumë herë më i rëndësishëm se emrat e ministrave të cilët nesër mund të shkojnë e vijnë, sipas performancës. Ndërsa dhjetë tiparet themelore të ekzekutivit të ri, do të mbeten aty, deri në fund, dhe mbi bazën e tyre do të ndryshojë cilësia e jetës së shqiptarëve të cilët, pas kësaj, do t’i vendosin edhe notën kryeministrit e PS-së në zgjedhjet e ardhshme.

Askush, deri më sot, nuk e ka analizuar se përse për shembull besnikëria ndaj njerëzve, ndaj qytetarëve dhe gjithë atyre që e votuan PS-në për një shumicë qeverisëse, si kurrë ndonjë parti tjetër politike deri më sot, duhet të jetë i pari në listën e tipareve të qeverisjes së ardhshme?

Ose, a duhej të ishte "vullneti i palëkundur politik për reformat" për një qeverisje me kurajë, përballë çdo rezistence për ruajtjen e statusquo-së, tipari numër dy i punës dhe veprimtarisë së qeverisë "Rama 2"?

Përse kjo qeveri duhet të përcaktojë si prioritet të saj një gjë që tingëllon më e përgjithshme, si "sulmin në të gjithë frontin e punës për të kryer operacione intensive në çdo zonë të infektuar të organizimit shtetëror", sesa të përcaktonte - le të themi - 3, 5 apo 10 prioritete konkrete, që kanë të bëjnë me nevojat më emergjente dhe jetike për vendin dhe qytetarët vetë?!

Përse "gatishmëria e vazhdueshme për dialog nga ana e qeverisë me opozitën", duhet të jetë tipari nr. 4 dhe jo kryetipari, pra, i pari në listën e gjatë të prioriteteve? Kjo sepse dikush mund të shprehej se: Shpeshherë, klima e konfliktit ekstrem mes dy poleve politike në mazhorancë dhe në opozitë, ka qenë pika kryesore frenuese për reformat e vendit dhe një shkak madhor për krijimin e klimës së tensionit dhe pasigurisë për jetën e qytetarëve, biznesin vendas dhe investimet e huaja.

Tipari numër pesë i qeverisë është formuluar: "Mandati i dytë do të përbëhet nga operacione jo konvencionale, në luftën për zhvillimin ekonomik, krimit dhe korrupsionit". Përse të mos ishte ky tipar më lart në renditje? Përse zhvillimi ekonomik të mos ishte një pikë më vete? Përse krimi dhe korrupsioni po të kemi parasysh se jemi një vend që na kanë përcaktuar dikur, se kemi gjerësisht të përhapur kulturën e mosndëshkueshmërisë, të mos renditen diku ndër tre prioritetet e para të kësaj liste?

E kështu me radhë, për të gjitha tiparet e tjera të qeverisjes së re, të cilat janë renditur në top 10 prioritetet e kryeministrit Edi Rama, deri tek dinjiteti i përfaqësimit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Çfarë platforme të re, projekti apo strategjie të re ose ndryshe nga kjo ka opozita jonë, në lidhje me këtë çështje? Cila do të ishte renditja që ajo do të realizonte dhe përse një prioritet që për Edi Ramën është në mes apo në fund të listës, për PD-në apo për LSI-në do të ishte në fillim, ose nuk do të ishte fare, sepse vendi ka nevojë për gjëra të tjera? Cilat janë ato? A na duhen 10? Na duhen më pak? Apo kemi nevojë për më shumë prioritete, tipare kyçe apo kryesore që të kemi një qeverisje efikase?

Nga ana tjetër, kryeministri në fjalimin e tij në mbledhjen e dy ditëve më parë të Asamblesë së zgjeruar Kombëtare të Partisë Socialiste, shpjegoi me detaje edhe filozofinë e qeverisjes përgjatë katër viteve të ardhshme. Ai shpjegoi në mënyrë të detajuar projektin e bashkëqeverisjes me qytetarët. Një platformë e cila ka nisur kohë më parë, por që nisi të konkretizohet pas zgjedhjeve të 25 qershorit, për të vijuar me turin e dëgjesave nëpër Shqipëri. Tani u përcaktua se turi do të vijojë dy herë në vit. Një herë në fund të vjeshtës, përpara diskutimit dhe miratimit të ligjit të projektbuxhetit të shtetit për vitet në vijim dhe një herë tjetër, në fund të pranverës, përpara fillimit të pushimeve verore nga ana e parlamentit.

Me gjithë skepticizmin normal që mund të shoqërojnë nisma të tilla të cilat, përderisa nuk i kanë dhënë ende rezultatet e para, në plan të parë tingëllojnë si populiste, përse nuk ka një analizë të thelluar për to. Përse politologët, sociologët, analistët dhe opinionistët profesionistë, partitë politike me departamentet e tyre të specializuara, nuk ofrojnë një ekspertizë për këtë çështje? Pse nuk ka një sondazh apo exit poll që të dinim si është pritur kjo nismë nga opinioni publik? A besojnë qytetarët dhe sa optimistë apo pesimistë janë ata, për një gjë të tillë?

Këto dhe shumë pyetje të tjera lindin sa herë ndeshesh me reagimet që ka ngjallur, jo vetëm përbërja e ekipit të qeverisë "Rama 2", por edhe platforma dhe filozofia me të cilën ajo ka vendosur të punojë. Në çdo vend tjetër me standard dhe nivel të avancuar të zhvillimit demokratik të cilën e synojmë edhe ne aq shumë, qasja e opozitës, medias, botës akademike, shoqërisë civile dhe opinionit të përgjithshëm të shprehur nëpër rrjetet sociale, do të ishte i ndryshëm. Jo duke u marrë me emrat e përveçëm. Jo duke u marrë me biografi personale apo me pëlqime dhe mospëlqime të natyrës thjesht apriori politike apo estetike, për njërin apo për tjetrin. Por me studime, platforma, alternativa, sondazhe, exit poll-e, me kritika e sugjerime konstruktive, mund t’i bëjmë një shërbim më të mirë jo vetëm shëndetit të debatit publik, por edhe vetë qeverisë dhe vendit.

Deri më sot, vetëm një universitet privat ka ofruar një platformë konkrete, me një studim dhe gjetje e sugjerime konkrete, në lidhje me strukturën e qeverisë së re, riorganizimin dhe reformimin e administratës shtetërore, sipas parimit të një ekzekutivi dhe shteti më të vogël, por më efikas, në shërbim të qytetarëve, nëpërmjet uljes së burokracisë dhe korrupsionit, rritjes së eficiencës dhe standardit të jetës së qytetarëve. Askush, edhe në këtë rast, nuk u mor me gjetjet dhe propozimet, por me emrat e përveçëm dhe me lojën e përjetshme të kungulleshkave: Pse 10 ministri? Po sa? Pse 100 agjenci? Po sa? Unë nuk e di sa e si,- duket sikur thonë të gjithë. Po ti ose ai, pse e bënë këtë?! Çfarë fitojnë? Kush është hileja? Po kleçka?, etj, etj. Duke rënë në këtë mënyrë në kurthin kolektiv të një kryqëzate permanente emrash të përveç, pa asnjë ide, platformë dhe alternativë origjinale.

Nisur nga kjo logjikë, po vijuam kështu, në fund të fundit, është ekzekutivi ai që fiton, sepse e qeveris vendin pa një pasqyrë përballë, të cilën e thyejmë që në fillim të lojës, në kokën e secilit emër të përveçëm që na del përpara. Një kulturë kjo që duhet shkulur nga rrënjët, sepse që tani do ta dinim se kush do të ishin të humburit në këtë rast: Opozita dhe nëpërmjet tyre, media dhe opinioni publik.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: