Nishani: Çelja e negociatave për anëtarësim në BE, e humbur

Nishani: Çelja e negociatave për anëtarësim në BE, e humbur
Pas propozimit të Holandës për rikthimin e vizave ndaj shqiptarëve, ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani e ka cilësuar përfundimisht të humbur çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kështu, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ish-kreu i shtetit ka komentuar kërkesën e Holandës, duke risjellë në vëmendje faktin që “qytetarët shqiptarë kanë qënë që nga krijimi i shtetit të tyre të pavarur populli më i diskriminuar në konceptin e lirisë së lëvizjes”. Ndaj dhe fitimi i kësaj të drejte universale prej tyre në vitin 2008, sipas tij, ishte një ëndërr e bërë realitet në qiellin e shtatë.

“Rreziku eminent dhe fortësisht i paralajmëruar është tek dera. Gallataxhinjtë e shoqatave të quajtura “civile” nuk po duken ku janë. Trendi i diskursit politik është sponsorizuar i tëri pa përjashtim tek anti-opozitarizmi. Shqipëria ku po shkon?”, pohon ai.

Duke përfunduar se “një goditje fatale, në front kombëtar nga Dibra në Tepelenë, nga Vlora në Shkodër, nga Durrësi në Elbasan dhe nga Fieri në Tiranë ndaj grupeve të krimit të organizuar tashmë në fashion të plotë mafioz është dhe duhet të jetë hapi i parë publik dhe institucional”.

“Nëse nuk shohim konfiskime të pasurive kriminale duke filluar me të atyre organizatave të përfshira në procesin elektoral për të deformuar ndërgjegjen e qytetarëve. Nëse nuk shohim procese ligjore të vërteta dhe transparente të hetimit dhe gjykimit të ashtuquajturve politikan që deklarojnë miliarda pa punuar asnjë ditë, nëse nuk shohim pastrim të parlamentit nga kriminelët ordinerë, por me shumë para (droge dhe prostitucioni kuptohet), nëse nuk shohim…. (ka shumë syresh), do ta harrojmë shumë shpejt ta shohim Evropën live, (fëmijët, nipërit e mbesat emigrant, spitalet për kurim, shkollat për arsimim, tregjet për biznes etj). Po, do ta shohim përmes BBC dhe Euronews!”, përfundon Nishani.

/n.e/

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: