Pazaret te “supermarketi” Tirana, Acquah i sapoblerë nga LASK shitet në Sllovaki

Pazaret te “supermarketi” Tirana, Acquah i sapoblerë nga LASK shitet në Sllovaki
Futbollisti i talentuar Reuben Acquah është transferuar nga Tirana tek skuadra austriake e LASK Linz. Klubi ka përfunduar të gjitha detajet e transferimit për mesfushorin nga Gana dhe dy ditë më  parë është bërë regjistrimi i tij në sistemin e FIFA-s për skuadrën austriake.

LASK Linz ka vendosur të shesë ditën e djeshme Reuben Acquah tek skuadra sllovake FC DAC Dunajska Streda. Ai firmosi për katër sezone me ekipin sllovak.

“Reuben është mesfushor shumë i fortë fizikisht, i aftë për të luajtur dhe në pozita e mbrojtjes qendrore. Ne e kemi vëzhguar atë për një kohë të gjatë dhe presim shumë prej tij. Pas largimit të Kocsis kemi pasur nevojë për të forcuar këtë repart para një sezoni shumë të gjatë dhe të vështirë që na pret,” tha Jan Van Daele, drejtor sportiv i DAC.

Tirana shiti Merveille për 400 mije euro te Getafe, por zotëron ende një pjesë të kartonit të tij.

Bardheblutë shitën edhe Berishën për 90 mije te Leganes dhe  Acquah për 250 mijë euro te LASK. Ky i fundit është shitur për një çmim më të lartë në Sllovaki, rreth 450 mijë euro.

Skënderbeu kërkon dy lojtarë bardheblu, Afrim Taku dhe Albi Doka. Ky i fundit kërkohet edhe nga Haduk Split, ndërsa bardheblutë nga merkatoja e verës kanë përfituar gati 1 mln euro.

Tirana gjithsesi përfitoi edhe 220 mijë euro si pjesëmarrëse në Europa League dhe me këto të ardhura pret të blejë disa lojtarë të huaj, që të realizojë objektivin e rikthimit në Kategorinë Superiore.

/a.m/

Shpërndajeni me miqtë tuaj: