Qeveria “Rama 2”, kush vjen e kush ikën

Qeveria “Rama 2”, kush vjen e kush ikën
Konfirmohen Xhafaj, Bushati, Ahmetaj, Gjiknuri, Nikolla, Manastirliu dhe Kumbaro. Olta Xhaçka merr në dorë Ministrinë e Mbrojtjes. Pandeli Majko ulet në Këshillin e Ministrave pas 15 vjetësh “në stol”. Një grua nga Shkodra zëvendëson korçarin Peleshi si numri dy i kabinetit

Alket Aliu

Albert Z. Zholi

Kryeministri Rama ka paraqitur dje zyrtarisht listën e ministrave për të cilët do të kërkojë votëbesimin në Kuvend për mandatin e tij të dytë qeverisës.

Në ministritë kryesore konfirmohen Fatmir Xhafaj si ministër i Brendshëm, Ditmir Bushati ministër i Jashtëm, Arben Ahmetaj për Ekonominë dhe Financat, Damian Gjiknuri për Energjinë dhe Infrastrukturën, Lindita Nikolla për Arsimin, Rininë dhe Sportet dhe Ogerta Manastirliu për Shëndetësinë dhe Kujdesin Social.

Në kabinet janë rikthyer Blendi Klosi, i cili ka marrë postin e ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Olta Xhaçka që është zhvendosur në ministrinë e Mbrojtjes, Niko Peleshi që ka kaluar ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ndërsa është rikonfirmuar Mirela Kumbaro në dikasterin e Kulturës.

Bie në sy emërimi i ish-Kryeministrit Pandeli Majko si ministër Shteti për Shqiptarët jashtë kufijve. Ai rikthehet në një kabinet qeveritar për herë të parë pas vitit 2002, pas 15 vjetësh mungesë. Ndërsa në postin e zëvendësit të tij, Rama ka caktuar një grua, Senida Mesi, e cila merr për herë të parë një vend në një kabinet qeveritar. Për herë të parë do të ulet në Këshillin e Ministrave edhe Sonila Qato, ministre Shteti për Sipërmarrjen, e cila në administratën e kaluar ka kryer detyrën e Drejtoreshës së Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.

Një tjetër emër i ri është emëruar në një nga ministritë më të rëndësishme, atë të Drejtësisë. Etilda Gjonaj është aktualisht zv/ministre e Drejtësisë dhe e njeh nga afër dikasterin të cilin pritet të drejtojë. Një ministri që do të jetë në plan të parë në katër vitet e ardhshme edhe për arsye të periudhës së zbatimit të reformës në Drejtësi.

Nga ministrat që largohen prej kabinetit, është Eduard Shalsi dhe pesë femra: Mimi Kodheli, Milva Ekonomi, Eglantina Gjermeni, Milena Harito dhe Ermonela Felaj.

 

Dy shkodranet i lëshojnë vendin njëra-tjetrës si zv/Kryeministre

Një shkodrane do të zëvendësojë bashkëqytetaren e vet në postin e numrit dy të Ekzekutivit shqiptar. Senada Mesi është caktuar të zëvendësojë Ledina Mandinë si zëvendësKryeministre. Të dyja gratë kanë edhe një të përbashkët në formim: Të dyja vijnë nga bota akademike dhe kanë qenë pedagoge në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës. Mandija në Fakultetin e Drejtësisë, Mesi në atë të Ekonomisë.

 

 

6 (plus 2) ish-ministrat që mbeten jashtë kabinetit

Janë 6 anëtarë të kabinetit të Partisë Socialiste që mbeten jashtë qeverisë ”Rama 2”

Mimi Kodheli– ish ministre e Mbrojtjes

Milva Ekonomi– ish ministre e Ekonomisë

Eglantina Gjermeni- ish ministre e Zhvillimit Urban

Milena Harito– ish ministre e Shtetit për Inovacionit

Ermonela Felaj- ish ministre e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin

Eduard Shalsi– ish ministër Shteti për Çështjet vendore

Këtyre u shtohen edhe dy të tjerë që kanë qenë deri në fillim të vitit 2017, Ilir Beqaj dhe Saimir Tahiri. Këta të fundit janë edhe drejtues të fushatës elektorale në qarqet Dibër dhe Tiranë.

 

 

Kabineti “Rama 2”

Kryeministër: EDI RAMA

Zv-Kryeministre - Senida Mesi

Ministër Shteti për Shqiptarët jashtë kufijve - Pandeli Majko

Ministër Shteti për Sipërmarrjen - Sonila Qato

Ministër i Jashtëm - Ditmir Bushati

Ministër i Brendshëm - Fatmir Xhafaj

Ministër i Mbrojtjes - Olta Xhaçka

Ministria e Drejtësisë - Etilda Gjonaj

Ministria e Kulturës - Mirela Kumbaro

Ministër i Financave, Ekonomisë dhe Punës -Arben Ahmetaj

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë - Lindita Nikolla

Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social - Ogerta Manastirliu

Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës - Damian Gjiknuri

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural - Niko Peleshi

Ministria e Turizmit dhe Mjedisit - Blendi Klosi

 

 

Zyrtare, Gramoz Ruçi në krye të Kuvendit

Në fjalën e tij në Asamblenë e PS-së, kryeministri Rama prezantoi dhe kandidaturën për një nga postet më të larta të shtetit.

Ashtu siç ishte përfolur prej disa kohësh, Gramoz Ruçi do të jetë propozimi dhe rrjedhimisht edhe përfaqësuesi i PS-së si Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë.

Si pasojë e kalimit të Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit të Shqipërisë, kreun e grupit parlamentar të PS-së, post që e mbulonte zoti Ruçi, e merr deputeti Taulant Balla.

 

 

“Zhduken” tre ministri

Qeveritarët që marrin më shumë kompetenca

Kabineti i ri qeveritar është më i vogël se ai i mandatit të kaluar. Ekonomia dhe Financat tashmë janë në të njëjtin dikaster, duke i dhënë më shumë kompetenca ministrit Arben Ahmetaj.

Një tjetër ministri që “zhduket” është ajo e Punëve Publike, Transporteve dhe Komunikacionit, e cila bashkohet me ministrinë e Energjitikës, nën drejtimin e Damian Gjiknurit. Praktikisht ajo do të quhet Ministria e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Edhe ministria e Mjedisit shton kompetencat, duke marrë nën “kujdestari” edhe Turizmin. Ministria do të drejtohet nga Blendi Klosi.

Ndërsa ministrja Lindita Nikolla, do të ketë edhe një sektor shtesë në dikasterin e saj, atë të Sporteve. Ministria e Punës, Rinisë dhe Çështjeve Sociale nuk do të ekzistojë më dhe do të copëtohet në tre dikastere të ndryshme.

 

Reagimet, çfarë thanë Basha, Berisha dhe Kryemadhi

Menjëherë pas shpalljes së emrave të anëtarëve të rinj të kabinetit qeveritar, reagimet në rrjetet sociale kanë qenë të shumta. Thuajse të gjitha në rrjetet sociale.

Ndër të parët ka reaguar kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Përmes një statusi të shkurtër në Facebook, ai ka theksuar lidhjet e ministrave të Ramës me regjimin e kaluar komunist.

“Kjo është qeveria e konsolidimit të rikthimit në pushtet të elitës komuniste. Tridhjetë vjet pas rënies së komunizmit, Shqipëria sot drejtohet nga disa nga figurat famëkeqe komuniste ose pinjollët e tyre nga Edi Rama tek Gramoz Ruçi, Fatmir Xhafaj, Bushati e Qato e qindra të tjerë në poste kyçe qeverisëse”, shkruan Basha.

Shefi i opozitës thotë se nuk ka asgjë të re me këtë qeveri, por vetëm thellim të së keqes.

“Kjo është qeveria e thellimit të korrupsionit dhe të krimit. Jo vetëm Edi Rama, por edhe Fatmir Xhafa, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri e pothuajse të gjithë ministrat e tjerë janë garancia e provuar për korrupsionin dhe krimin”, shkruan Basha.

Më i ashpër ishte reagimi i ish-Kryeministrit Berisha, i cili e konsideron “qeveri-tepsi të Noriegës”. Ai analizon emrat e secilit prej ministrave kryesorë, mbi të cilët ngre akuza.

“Damjan Gjiknuri, mbi të cilin rëndojnë akuzat e vjedhjes dhe shpërdorimit, së bashku me Ramën në aferën e ÇEZ, e të paktën të 630 milionë euro dhe dhjetëra afera të tjera. Mister Zho-Zho shpërblehet për humbjen e Kavajës sepse ndanë me Ramën, Olsin dhe familjarët e tjerë fitime përrallore të lojërave të fatit, në tatime, dogana dhe në sistemin bankar”, shkruan Berisha për ministrin e Energjisë dhe Infrastrukturës.

Edhe më i ashpër është Berisha me ministrin e Brendshëm: “Fatmir Xhafa, kryekumbar i klanit më të fuqishëm të trafikut të drogës, me kumbar vllaçko Agron Xhafën, të dënuar tani së fundi me 20 vite burg nga gjykata e lartë e Italisë. Kështu Noriega garantoi konsolidimin e narko-shtetit të tij!”

Ish-Kryeministri ka akuzuar Bushatin për nepotizëm në Ministrinë e Jashtme, Peleshin për plantacionet e drogës, Xhaçkën për lidhje me botën e krimit, Manastirliun për korrupsion masiv, Nikollën për ryshfetet e universiteteve private dhe Kumbaron për ndarje parash.

“Siç e shihni, kjo është qeveri-tepsia, bijë e vjedhjes, krimit, trafiqeve dhe bllokut hoxhist. Ky është kabineti më i inkriminuar dhe më i korruptuar që është instaluar ndonjëherë që nga koha e diktaturës gjer në ditët e sotme!" shkruan Berisha.

I ashpër ishte edhe reagimi i kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi. “Shqipëria po shkon drejt humbëtirës së pandalshme! Dhe jo vetëm ekonomike, por edhe shpirtërore. Sepse “Qeveria e re” e kryeministrit të vjetër, me votat e blera nga paratë e krimit nuk është dhe nuk do të jetë më gjë tjetër tashmë, përveçse një instrument me pak ministri ku secila do të ketë si komanduese të saj, bandën përkatëse që grabiti me “sukses” votat”, shkruan Kryemadhi. Ajo e etiketon qeverinë e re si shpërblyese të “mundit” dhe “sakrificës” së kriminelëve dhe trafikantëve që përfshiu në zgjedhjet e 25 Qershorit, kryeministri i ardhshëm dhe flet për oligarkë të lidhur me ministrat shqiptarë nga njëra anë dhe kompani ruse nga ana tjetër.

Reagime publike ka patur edhe nga emra të tjerë të politikës si Klajda Gjosha, Edi Paloka, Ditmir Bushati etj.

 

 

Çfarë mendojnë politikanë të njohur për ministrat e rinj

Të pyetur nga “Albanian Free Press”, disa prej politikanëve të njohur në vend kanë komentuar strukturën dhe përbërjen e qeverisë së dytë të Kryeministrit Edi Rama. Më poshtë, mendimet e secilit prej tyre:

Pirro Lutaj, ish-deputet i PS:

Emrat janë risi dhe domosdoshmëri

Të gjitha janë figura të njohura dhe të rinjtë janë figura me kontribute në PS por dhe në fushat ku kanë vepruar dhe punuar. Mendoj se Rama ka menduar që të sjell diçka të re, diçka më të mirë në funksion të interesave kombëtare. Emrat e rinj përbëjnë një risi dhe domosdoshmëri për vetë zhvillimet që po merr vendi ynë. Jam optimist se qeveria do veprojë në kompaktësi për të përmbushur detyrat e saj. Detyrat që dalin përpara janë të mëdha dhe unë mendoj se do të realizohen në sajë të punës këmbëngulëse të Ramës dhe përgjegjshmërisë së ministrave.

 

Agron Duka, kryetar i PR:

Nuk i njoh ministrat e rinj, do t’i vëzhgoj

E dëgjova qeverinë “Rama 2”. Qeveria është ide e kryeministrit. Nuk mund të flas në mënyrë paraprake. Personalisht do të vëzhgoj punën e saj dhe pastaj do të jap mendimin tim. Paraprakisht nuk mund të them asgjë sepse nuk i njoh ministrat e rinj dhe nuk di si do punojnë. Nuk dua të gaboj në përcaktim.

 

Flamur Noka, deputet i PD, ish-ministër:

Është një kala prej rëre, do bjerë

Qeveria ere është qeveri e krimit dhe votave të vjedhura. Është një qeveri e përfaqësuesve të krimit dhe e përfaqësuesve të lartë të korrupsionit dhe përfaqësuesve të zhvatjes. Shumica e tyre janë pinjollë të ish-udhëheqësve të diktaturës. Të gjitha ndryshimet janë sipërfaqësore dhe me këtë qeveri besoj se do vazhdojë e njëjta gjë, i njëjti avaz. Qeveri që gjoja është e re, por ka brenda të njëjtat figura. Me këtë qeveri Rama ka dështuar që tani. Shumë shpejt kjo kala do të duket një kala prej rëre. Një kala që do bjerë si është ndërtuar.

 

Valentina Leskaj, ish-nënkryetare parlamenti:

Nuk është rokadë emrash, por ndryshim strukturor

Së pari nuk kemi të bëjmë thjesht me një rokadë emrash por me ndryshim strukturor që lëviz komplet sistemin e qeverisjes përfshirë agjencitë, inspektoratet e tjerë. Ka një ndryshim në qasje ndaj institucioneve dhe eficiencës së tyre në shërbim të publikut. Natyrisht që është një reformë që do kohë të realizohet. Ky është vetëm fillimi dhe mënyra se si u organizua procesi është shenjë serioziteti. Për sa u takon grave në kabinet padyshim që është shumë pozitive. Ruajtja e balancës gjinore tregon qëndrueshmëri në vlerësimin e grave dhe vlerave të tyre. Është jo vetëm realizimi i një të drejte përfaqësimi të gjysmës së shoqërisë por edhe përdorimi i një potenciali.

 

Nard Ndoka, kryetar i PDK:

Mazhoranca e tepsisë, ra marrëveshja Rama-Basha

Doli ashtu siç e prisja. Asnjë surprizë. Mazhoranca e tepsisë asgjë të re! Ministra të korruptuar dhe disa të tjerë anonimë. Opozita në këtë Kuvend nuk ka rol kontrollues, pasi ka vetëm tre komisione periferike. Unë gjykoj se përfundimisht ka rënë marrëveshja Rama-Basha.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: