A do të funksionojë Vetingu në Polici?

A do të funksionojë Vetingu në Polici?
INFO-ANALIZË / Një urdhër i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka lançuar Vetingun për punonjësit e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së. Po si e shikojnë këtë iniciativë, efektivë dhe ish-efektivë, deputetë dhe ekspertë të çështjeve të sigurisë. Oficeri i SHÇBA: Paketa ligjore mund të jetë shumë e mirë, por duhet paë se si do të zbatohet në praktikë. Ish drejtuesi Aleks Hajdari: Nuk e bëjnë dot siç duhet, sepse i bien vetes. Pjerin Ndreu: Çdo iniciativë “pastrimi”, është pozitive. Flamur Noka: Iniciativa shkon drejt të pamundurës, kupola e policisë është e implikuar. Dritan Zagani: Do të ketë një rezultat: Dominimin e klanit të ri ndaj atij të vjetër. Gjergj Lezhja: Mban erë demagogji, është detyrë që e kryen Shërbimi i Brendshëm

Alket Aliu

Ministria e Brendshme ka njoftuar se do të kalojë në sitë të gjithë efektivët e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe SHÇBA-së. Urdhri është firmosur nga kreu i dikasterit, Fatmir Xhafaj dhe pritet ngritja e strukturave që do të realizojnë këtë proces.

“Grupi i punës kryesohet nga zëvendësministri i Brendshëm dhe do të asistohet nga misionet e asistencës së BE-së (Pameca V) dhe ShBA-së (ICITAP), si dhe ekspertë të mirënjohur ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e dikasterit.

Për hartimin e këtij procesi, është parashikuar që grupi i punës të analizojë gjendjen aktuale dhe të hartojë një paketë ligjore deri në fund të vitit.

Deri më sot, detyrën e kontrollit të figurës së punonjësit të Policisë e kryente Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave, por edhe vetë ky institucion brenda Policisë së Shtetit do të kalojë në sitën e Vetingut.

Një nga drejtuesit e SHÇBA, në një bisedë telefonike me “Albanian Free Press” thotë se në parim, ky Veting mund të rezultojë shumë efikas, pasi vetë SHÇBA nuk ka arritur të kalojë “në sitë” të gjithë efektivët e policisë.

“Ka edhe nga sektori ynë që kanë arritur në nivele të larta duke u mbështetur në shpatullat e shokëve apo miqve, kanë hyrë edhe për arsye të influencave partiake. Mendoj se, nëse ky Veting do të kryhet me seriozitet dhe duke vlerësuar edhe kriteret e profesionalizmit, do të rezultojë efikas. Nga ana tjetër, paketa ligjore mund të jetë shumë e mirë, por duhet para se si do të zbatohet në praktikë”, thotë oficeri i SHÇBA.

Një ish-drejtues i lartë në radhët e Policisë së Shtetit, së fundmi këshilltar i ish-ministrit teknik të Brendshëm, nuk e shikon shumë pozitivisht këtë nismë. Aleks Hajdari thotë se nuk ka besim se do të bëhet Veting real. “Nuk e bëjnë dot siç duhet, sepse i bien vetes. Ndoshta do të godasin ndonjë viktimë”, thotë Hajdari.

Por, pavarësisht se shpreh një mendim personal, Aleks Hajdari fton të mos e paragjykojmë procesin. “I duhet lënë kohës për të parë konkretisht se si do ta trajtojnë këtë çështje”, - thotë ai.

Në politikë të paktë janë ata që po prononcohen për këtë çështje. Disa deputetë të PS, PD dhe LSI-së të kontaktuar nga “Albanian Free Press” shmangen duke u mjaftuar të thonë se nuk kanë informacion për situatën. Madje edhe ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, preferon të shmanget nga tema e Vetingut.

Edhe anëtari i Komisionit Parlamentar të Sigurisë, Pjerin Ndreu, thotë se deri tani është i njohur vetëm me idenë, por do të flasë pasi ta shikojë me detaje kur të paraqitet paketa ligjore. “Ajo që mund të them paraprakisht është se çdo iniciativë që bëhet për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga elementë të implikuar me krimin apo korrupsionin, është pozitive. Për të tjerat, t’ia lëmë kohës”, thotë deputeti Ndreu.

Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike, ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, thotë se e gjithë nisma shkon drejt së pamundurës. “Kupola e policisë është e implikuar në kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Kur policia nuk kontrollon terrenin, ose është e paaftë, ose është e përfshirë në veprimtarinë e paligjshme dhe unë besoj se është kjo e dyta”. Deputeti Noka akuzon drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama si kokën e kësaj veprimtarie kriminale dhe thotë se, pavarësisht se mund të ndryshojnë ministrat, e keqja mbetet.

Edhe disa goditje antidrogë të kohës së ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, përpara se ky të zëvendësohej nga ministri teknik, Dritan Demiraj, deputeti demokrat i shikon në kuadër të një reklame. “Nuk mjaftojnë disa raste për të treguar vullnet në luftën kundër drogës, pasi ato mund të bëhen edhe për arsye propagandistike. Puna duhet të shikohet në vazhdimësi”, - thotë ish-ministri Noka.

Një nga ish-oficerët e policisë që akuzoi hapur ish-ministrin e Brendshëm dhe klanin e tij, Dritan Zagani, e shikon Vetingun si një luftë të re brenda llojit. “Do të ketë një rezultat, atë të dominimit të klanit të ri ndaj atij të vjetër. Luftë se kush do ta dominojë më tej kontrollin mbi të ardhurat e drogës”. Ish-oficeri që u detyrua të largohet nga Shqipëria tha mbrëmë për “Albanian free Press” se klani që qeveris sot, po bën një luftë kundër drogës sa për sy e faqe, ndryshe nga koha e Saimir Tahirit, kur “mafia drejtonte policinë pa u maskuar fare”.

Sipas Zaganit, Vetingu në Policinë e Shtetit është thjesht një “ndërrim taktike”.

“Është shumë e thjeshtë ta verifikosh një pseudo drejtues policie dhe ta dallosh nga një drejtues i ndershëm. Mjafton të shikosh makinat luksoze që përdorin ata apo familja e tyre. Pa vajtur shumë larg deri në verifikim të pasurive e pronave nga më të ndryshmet. Ka drejtues policie që kanë qenë në pushtet vetëm kur fiton krahu politik që i përkasin, majtas apo djathtas”.

Zagani thotë se ka shumë drejtues policie që përdorin makina luksoze dhe që harxhojnë vetëm për shpenzime automjeti më shumë se sa marrin rrogën mujore. “Çfarë duhet që t’i dallosh këta tipa? Thjesht, duhet shtet ligjor dhe vullnet për të zbatuar ligjin”.

Gjergj Lezhja është marrë gjatë me çështjet e rendit dhe sigurisë kombëtare. Ai ka qenë drejtor i SHIK-ut në Durrës, zv/ministër i Brendshëm, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dhe më pas këshilltar i Presidentit të Republikës për çështjet e sigurisë kombëtare. Lezhja thotë se nuk ka asgjë të keqe të përforcohen kontrollet. Kurse shton se mekanizmi i Vetingut ekziston, mjafton vullneti për ta përdorur.

“Është një çështje që mban erë demagogji, pasi verifikimin e punonjësve të Policisë së Shtetit e bën Shërbimi i Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave. Është detyrë e tyre funksionale. Çdo drejtues i lartë dhe i mesëm i Policisë së Shtetit kalon patjetër në këtë filtër”, thotë Lezhja.

Në thelb, duket se askush nuk është kundër forcimit të kontrollit mbi punonjësit e Policisë së Shtetit. Por debati duket se do të vazhdojë për “vullnetin politik” për të pastruar radhët e uniformave blu dhe për të kryer një “proces të ndershëm”. Sikurse ndodh shumë rrallë në Shqipëri.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: