“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Ben Ahmetaj, i shkruan Kryeministrit: Ja, përse mbledhjet duhen bërë në...

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Ben Ahmetaj, i shkruan Kryeministrit:  Ja, përse mbledhjet duhen bërë në...
Shoku Ben Ahmetaj, i shkruan Kryeministrit:  Ja, përse mbledhjet duhen bërë në...

"Antena Jashtë Familjes" ka zbuluar një letër të Gjigandit të ekonomisë socialiste, shokut Beni Ahmetaj, drejtuar Kryeministrit. Në këtë letër, jepen argumente me karakter tekniko-ekonomik, të vështira për shumë lexues, e sidomos për shumë ministra. Letra zbulon talentin dhe dijet e shokut Beni, sidomos në çështjet ekonomike. Ja, letra:

"Shef, je i madh për kokë të time dhe të Anastas Angjelit! Si përherë, Supergjigand je! Më pëlqeu shumë ajo ideja që të dhuronim gjak. E di ç'më ndodhi? I thashë Anastasit se, ka thënë Kryeministri që duhet të shtrihemi në krevat! - Mos, - thërriti nga frika. -Më duket se do më bëjë ndonjë gjë të keqe, meqë nuk kam marrë shumë studentë nga Forumi Rinor i Partisë Socialsite pa lekë te universiteti im, këtë vit.

I futa frikën Caces, që të na e dijë vlerën. Kur e mori vesh që do japim gjak vetëm ne bobat, ministra, u qetësua pak. Nejse, se Caci atë punë ka...

Edo, arsyet që po të shkruaj, janë dy. E para ka të bëjë me çështje tërësisht ekonomike. Ti e di që unë ato çështje i qaj. Nuk e di a të kam thënë, por ju kisha thënë disa mediave që të nxirrnin në lajme, faktin që shqiptarët sjellin më shumë para në vend për turizmin, sesa nxjerrin jashtë. Diferenca shkonte afro 150 milionë euro, a diçka e tillë, se nuk e mbaj mend mirë, sa ju kisha thënë që të thoshin. Për vendin tonë, këto, janë top fare. (Për ne të dy personalisht, kjo shifër është dobët).

Kam menduar, me qëllim që të rrisim harxhimet e turistëve që vijnë për pushime në Shqipëri, të marrim këto masa me karakter tërësisht ekonomik:

Të detyrojmë ata që vijnë në vendin tonë, biletat t'i blejnë në kompanitë shqiptare të udhëtimit. Kjo të bëhet e detyrueshme me ligj. Miratimin e tij nuk do e kemi problem ta bëjmë qoftë edhe me 3/5, se ne kemi tepsinë tashmë.

Po humbasim me miliona euro vetëm sepse udhëtarët i blejnë biletat në vendet e tyre nga vijnë. Kjo nuk është normale fare, për mua si ekonomiqar me eksperiencë të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare që jam.

Një biletë, ata e blejnë në Berlin p.sh., e pakta dyfish më të lirë, se ç'mund ta blinin nëpërmjet internetit në kompanitë që veprojnë në Shqipëri.

Pale, disa maskarenjë që dalin jashtë nga Shqipëria. E di ç'bëjnë?! Shkojnë në Shkup, ose  Podgoricë, e udhëtojnë që andej. Disa shkojnë edhe deri në Stamboll.

Kur e kujtoj Shkupin, më zë drithërima. Në momentin që makina ime, ra me mendere përpjetë, pranë meje u mblodhën mbi 20 shqiptarë përtej kufijve. D.m.th. brenda kufijve të shtetit që qeverisim ne, por, për momentin, meqë isha ne Shkup, ata quhen se ishin përtej kufijve të shtetit. Ashtu, i plagosur siç isha, pyeta disa prej tyre: "Nga dialektet më dukeni nga Shqipëria, ju thashë. Përse jeni munduar deri këtu?"

U tërbova kur më thanë arsyen. "Po shkojmë në Shkup", - më thanë, - "që të udhëtojmë me avion prej andej, se në Tiranë janë çmimet e shtrenjta". M'u errën sytë nga inati. Po përse mor antishqiptarë, ju ulërita. Përse nuk doni të paguani shumë ju? Si do i futen para ekonomisë tonë socialiste? Aty, mbetën ata. S'kishin si të më përgjigjeshin.

Në fillim nuk më njohën, por kur më panë me vëmendje, më njohën të gjithë në rrugë.

E kush nuk më njeh mua. Edhe në Hauard më njihnin. Isha studenti më i mirë atje.

Nejse, se s'dua të mburrem, se ti e di vetë, sa i mirë dhe i rregullt jam unë me mbledhjen e të ardhurave dhe dorëzimin e tyre, në sasi dhe kohë.

Shefo, desha të të thosha edhe diçka. Me ç'kam vënë re, shumë deputetëve tanë, ju ka mbetur pak qejfi që na bëre mbledhje qeverie në hotelin e një lësëjani në Shkodër.

Ti, në fakt, shumë mirë bërë që na mblodhe, se kishim kohë që s'hanim e pinim bashkë.

Unë kam një mendim, ta them se do të të pëlqejë shumë edhe ty, sigurisht si përherë;

Mendoj që si Supergjigand që je, të sheshosh pakënaqësitë që kanë lindur te deputetët tanë. Shumë prej tyre, kanë në pronësi hotele, ti e di.

Po sikur, mbledhjet të na i bësh te hotelet e tyre, çdo muaj? Kemi 12 qarqe. Janë 12 muaj. Të na bësh nga një mbledhje në muaj, në çdo qark. Shokët tanë deputetë socialistë, kanë menduar të ndërtojnë hotele në çdo qark. Të tillë jemi ne socialsitët. Mendojmë për-para se gjërat të ndodhin.

Jemi larg-para-pamës ne. Mendohu e vendos, o Supergjigand!

Mua do më kesh në krahun tënd, në atë krahë që dhe gjakun, në çdo situatë,...deri sa të jesh Kryeministër.

PS: Thesin do vij dhe do të ta dorëzoj në orën e datën e caktuar. Ti ke vite që e di vetë, ç'çun jam unë, Edo...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: