“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare i shkruan Ministres së Kulturës: Shyqyr që nuk na u dogj “Vrima”!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare i shkruan Ministres së Kulturës: Shyqyr që nuk na u dogj “Vrima”!
Satirë

  1. Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare i shkruan Ministres së Kulturës: Shyqyr që nuk na u dogj “Vrima”!

"Antena Jashtë Familjes", sot ka mundur të kapë letrën e Drejtoreshës së Biblotekës Kombëtare, drejtuar shoqes Mirela Kumbaro, Ministër i Kulturës edhe këtë herë.

Po e sjellim tekstin e kësaj letre, të plotë, si përherë pa i hequr, apo shtuar asnjë llaf.

Theksojmë se, letra nuk është dokument zyrtar. Ajo është shkruar në mënyrë shoqërore, e megjithatë në të vihet re shqetësimi për zjarrin e rënë ne atë institucion, si dhe pasioni i zjarrtë për librin në veçanti, e punën në përgjithësi.

Lela, të uroj nga thellësia e zemrës dhe e Bibliotekës, për rizgjedhjen në kolltukun e Ministrit të Arsimit! Po përdor togfjalëshin "thellësia e Bibliotekës", pasi tani që po të shkruaj, jam në katin përdhe të godinës. Vetë, në krye të punëve, si përherë.

Ta kisha thënë që do rizgjidheshe prapë ministre. E dija që Kryeministri nuk do të të hidhte poshtë. Fundja, kë ka hedhur poshtë Edi nga grupimi ynë i Sorrosit, më thuaj!

Kështu më tha edhe Endri, kur e pyeta nëse do të të hiqte Kryeministri nga posti.

Lela, sapo mbaruam inventarin e librave. Ti e di që para disa muajsh, aty ra zjarr dhe u përvëluan disa syresh. Kam në dorë, listën e atyre librave, që mungojnë në inventar.

Po të jap një lajm të mirë; Librin "Vrima" që i dhe çmim, nuk e ka gjetur asgjë e keqe.

Të gjitha kopjet janë në gjendje shumë të mirë. Edhe atë kopjen që të thashë që, nuk po e gjeja dot, e gjetëm. E gjeta vetë, se po të qe për këta që kam punonjës këtu, nuk kishin për ta zbuluar, se ku ishte futur. Kam nga dy gra vartëse, që nuk ja thonë fare për punë.

I ka punësuar ai ish drejtori, Plasari, e më plasën shpirtin. Pijnë kafe turke, e merren me thashetheme, rreth autorëve të librave.

Pale, kanë thënë që edhe këtë mandat "një vrimë në ujë" ka për të bërë Ministre Mirela, në fushën e kulturës. Mora vesh që kanë thënë gjithashtu që, Kryeministri nuk e mbajti fjalën që dha përpara dy vitesh, për rindërtimin e godinës së Bibliotekës. Me to do merrem vënçe, këtë mandatin e dytë, që do jem prapë në krye të Bibliotekës. "Do ju tregoj derën".

Meqenëse ra fjala te "dera". Më kanë thënë që ato përgjojnë pas dere dhe shikojnë edhe nga vrima e bravës. Meqë ra fjala te "vrima"; Ishte futur libri "Vrima" në një vrimë lart të rafti, e nuk dukej. Nuk lashë vrimë pa kontrolluar, derisa e pikasa se ku ishte. Vura disa libra njëra mbi tjetrën dhe hypa mbi to, derisa e arrita dhe e mora në duar gjithë emocion. Kur isha lart, në majë të librave që kisha vënë për t'u zgjatur sa më shumë, mendova; Kot nuk thonë që, libri e lartëson njeriun!

O zot, shyqyr që nuk u dogj "Vrima", se kushedi sa humbje do kishte kultura jonë! Po të jap një lajm të mirë, tani në fund. (Ëmbëlsira kështu lihet në Francë, ti e di).

Asnjë nga vizatimet e Kryeministrit, që ja dhuroi Bibliotekës para dy vjetësh, nuk është djegur. Edhe atë vizatimin në të cilën kishte bërë një objekt (që në fakt nuk e mora vesh ç'ishte), e gjeta. Edhe këtë, përsëri e gjeta vetë. E kisha në sirtar, së bashku me vizatimet e tjera, por nuk e kisha vënë re fare që ishte aty. Ta kam thënë që, ato nuk i mbaja në fondin e arkivës, se e parandjeja që do na ndodhte diçka e keqe, si puna e këtij zjarrit që na ra e desh na i përvëloi fare.

Këto punët tona s'mbarojnë kurrë. Na lanë edhe pa u takuar. Vajtëm ca kohë që s'jemi parë. Tani fillon sezoni i shfaqjeve, në teatër. Shkojmë ndonjë mbrëmje, "dopo lavoro", e pastaj vemi pijmë ndonjë gotë verë, sigurisht franceze!

Vishu mirë, aman të keqen! Në kuptimin, vishu trashë se than nga të ftohtit te salla e teatrit, pasi tani u prish edhe koha. Se që vishesh mirë, me gusto dhe sharm parizien, dihet. Edhe ata që s'të duan, e thonë. Shkojmë dhe qëndrojmë lart në llozhë. Mos të ulemi në rreshtat e fillimit, se na ngjit gripin ndonjë nga aktorët. Ata janë të gjithë të plevitosur...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: