“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Ervin Salianji: Vetëm surrati i Henri Çilit, mund të hapë telefonin tim

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Ervin Salianji: Vetëm surrati i Henri Çilit, mund të hapë telefonin tim
“Intervistoi” për gazetën “Albanian Free Press”, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi

Rrëfehet shoku Ervin Salianji: Vetëm surrati i Henri Çilit, mund të hapë telefonin tim.

Partia Demokratike, forca e parë politike antienveriste, ka nderin që këtë legjislaturë, të ketë për deputet për "zonjën" Korçë, një figurë të shquar: Oratorin, të pashmin, mendjekthjellëtin, ish-studentin e shkëlqyer, sigurisht në universitet privat, shokun Ervin Salianji. E falënderoj së tepërmi, që gjeti kohën dhe bashkëllafosi për rubrikën time!

- Shoku Ervin, përshëndetje! Më falni që po ju bezdis. Jam Tahir Avazi. Vij për rubrikën "Antena Jashtë Familjes". Desha t'ju pyesja rreth...

- U, sa mirë që erdhët! Nga antena thatë që vinit. D.m.th. dini nga gjërat që kanë të bëjnë me antena, me telefona, etj. Sa mirë, se kam dy ditë që s'po hap dot telefonin e ri! Plasa!

- Ç'ka telefoni? Ç'lloj telefoni keni? Me antenë e keni, apo me...?

- Ku di unë, ç'ka! M'u bllokua kur isha në zyrë. E ta mendosh, është fringo fare. I sapodalç në treg. Në atë amerikan, kuptohet, si forcë politike proamerikane, që ne si PD jemi, e do të jemi.

- Që jeni forcë demokratike, e di përpara jush. Kam qenë edhe unë ca kohë në këtë parti. Shpejt fare kur u themelua, e kur pak ja u mbante të ishin anëtarë...

- E përse u tërhoqët?! Shumë gabim keni bërë që jeni tërhequr. Unë tani që më futën, s'tërhiqem më. Partia është jeta. Ku të vete pa parti! As fakultetin nuk fitova dot vetë, e u detyrova shita ca lopë, e fitoi ca tendera babi, e u regjistrova në privat. Nejse, ku ta kisha muhabetin qeparë? Më duket se te...

- Te lopa parti. Më falni! Te telefoni, e kishim. Nuk ju punon, më thatë. Ma jepni mua ju lutem, se çoç më vjen dorësh për këto gjera elektronike.

- Mua hiç s'më jepet. As për këto punë, e as për punë fizike. Shyqyr që kam mendjen. Edhe Basha kështu më thotë; "Ty Ervin të mbaj, se ke mendje, sa për shtatë vetë të tjerë që më kanë sjellë"

- ... Si ndodhi që u prish telefoni? Pësoi ndonjë goditje, ju fut ujë...?

- Jo, jo asgjë prej këtyre. Thjesht nuk më njeh PIN-in. D.m.th nuk më njeh mua. Se e kam telefon të ri. Është nga ata telefona që hapet pasi shikon surratin e të zotit. Më parë hapej. Ka nga dy ditë që rri mbyllur. S'më njeh. Mua më njeh gjithë opozita, s'më njeh një telefon. Ke parë ti! Të të bëjë dëngla një telefon. Kam bërë gabim që nuk u mora me stërvitje unë, se me forcë do e kisha hapur.

- U prish menjëherë, apo dalëngadalë?

- Po shikoja një film me mister Bean. Meqë më ngacmojnë e më thonë që ngjaj si ai, e shikoj shpesh këtë personazh. Është gallatë fare. Bën për të qeshur me mimikë, se tjetër gjë nuk ka, në fakt. Kur fap, u mbyll telefoni. Do ketë parë ngjashmërinë time me atë aktorin, e nuk ka ditur telefoni i shkretë se kujt i përkiste.

- Hë mo mos u tallni, shoku Ervin! Gjithsesi ju komplimentoj që edhe në situata të tilla, e përmbani veten me humor! Ju pashë që edhe kur debatuat në studio televizive te News 24, me shokun Skënder Gjinushi, ju nuk e fyet. Respekte për këtë gjë!

- Ç'jam unë që të fyej! Kot jam europianist unë. Në kuptimin që kam mbaruar studimet te një shkollë të lartë me këtë emër. Siç e shikoni, nuk po e quaj Universitet, pasi ligji e përcakton qartë që është; "Shkollë e Lartë". Ai fakti që bëhet reklamë sikur është universitet, është thjesht antiligjore. Nejse, e kisha llafin që veç amerikanist, unë jam edhe europianist. Jam; dy në një, lë të themi. E këtë ta them, që ta thuash edhe publikisht.

- Sigurisht që do e shënoj. Ju pashë në stadium para disa ditësh. Po luante Skënderbeu, shoku Salianji. Jeni tifoz, apo thjesht ju pëlqen futbolli?

- Po, po isha. Dola njëherë andej, se më tha Grida që të shkoja. Ajo ja di rëndësinë sportit dhe sportistëve. Po ku marr vesh unë nga sporti, bre. Unë e shumta që kam lojtur, ka qenë një lojë në fëmijëri me gurë në kokë. Herën e parë kur më tha Grida para dy vitesh, që duhet të shkoja të shikoja Skënderbeun, kujtova se mos më tha që duhet të shkoja në Krujë dhe ta shikoja. E në të jem nisur me taksi, nga Tirana në Krujë. Kur arrita atje, më mori Henri në telefon: Hë, si është ndeshja? - më tha. A po të pëlqen? Medemek, Henri e njeh futbollin. Njeh lesh. Henri vetëm paranë njeh. "Asnjë s'po ndeshet këtu në muze, o shef", - i thashë. - Si në muze?! - më tha. Ne të dërguam në stadium. Nuk të dërguam në muze". E më shau me emrin e një kafshë që mban drutë. Ja, kështu.

- Po ju a ja kthyet të sharën? Nuk besoj se ja keni lënë mangët...

- Edhe ajo më duhet mua, që t'ia kthej. Kur erdha nga Kruja, më bënë për një lekë, ai edhe Grida. Bërtit ai, e bërtit ajo. Unë qaja.

- I ziu njeri, gjithë halle. Mirë ato, por shkon prishet edhe telefoni juaj, pale.

- Se ma kujtove mirë. A i bëni dot derman? Mbeta pa folur me njerëzit.

- Ma jepni njëherë ta shikoj, shoku Ervin. Po ky nuk paska karrikim. Ja ta vëmë më karrikim. Më jepni PIN-in ju lutem!

- Nuk hapet me PIN, pra. Ju thashë që hapet vetëm kur shikon surratin e pronarit të telefonit. Moooos! Harrova fare. Tani u kujtova. Telefonat ka vite që m'i jep Henri. Këtë telefonin e ri modern, vetëm surrati i tij mund ta hapë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: