“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Fatmir Xhafa: Do amnistojmë trafikimin e hashashit të mbjellë vitin e kaluar

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Fatmir Xhafa: Do amnistojmë trafikimin e hashashit të mbjellë vitin e kaluar
Satirë

Flet Ministri i Brendshëm, shoku Fatmir Xhafa: Do amnistojmë trafikimin e hashashit të mbjellë vitin e kaluar

Kjo ka qenë deklarata me shkrim e ardhur në redaksinë e rubrikës sonë, firmosur nga vetë kreu i Ministrisë së Brendshme, shoku Fatmir Xhafa. Me të na mbërritur kjo deklaratë, gazetari ynë Tahir Avazi kontaktoi Ministrin Xhafa nëpërmjet telefonit, e me të bëri këtë bisedë të shkurtër, pasi Ministri do nisej  në një vendngjarje.

-Përshëndetje shoku Ministër. Diçka për çështjen e...

-E kuptoj se përse po më merrni në telefon. Po, po është e vërtetë ajo që ju dërgova. Ndaj edhe ja u nisa, që ta bënit publike. Së shpejti do i kërkoj Kryeministrit Rama që të amnistojë hashashin e mbjellë dhe korrur vitin e kaluar. Po "e hanë" qytetarët, për paaftësinë e Policisë që s'mundi t'i ndalonte të mbillnin hashash para një viti. Vetëm në Tepelenë këto 20 ditë janë ndaluar nga policia 10 qytetarë. A e dini që hashashin e kishin të vitit të kaluar?

-Se mos e dimë vetëm ne, more shoku Ministër.

-Sigurisht që e dini. Nuk është normale që ata "të hanë burgun". Po u vazhdua me këto ritme ndalimesh, do mbetet në Tepelenë vetëm Kalaja dhe Ali Pashai te Agjencia, e vetëm disa qindra vetë përreth këtyre objekteve. Ndaj duhet bërë diçka. Nuk kemi mundësi që të mbajmë me bukë në biruca qindra vetë që u gënjyen, e mbollën hashash para një viti.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: