“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lulëzim Basha: Ja përse votova Gramoz Ruçin, për Kreun e Kuvendit

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Lulëzim Basha: Ja përse votova Gramoz Ruçin, për Kreun e Kuvendit
Flet shoku Lulëzim Basha: Ja përse votova Gramoz Ruçin, për Kreun e Kuvendit

Kryetarin e PD, e takova teksa po hynte në mbledhjen që po organizonte kjo parti, pas votimit në Kuvend të shokut Gramoz Ruçi, si Kreun e këtij institucioni. Bëjmë me dije se shoku Lulëzim ishte "tym" fare, e vetëm falë kulturës së tij utrehtiane, qëndroi e na u përgjigj pyetjeve tona. Më poshtë është bashkëbisedimi me këtë figurë largpamëse demokratikase.

"Intervistoi" për “Albanian Free Press”: Helidon Tahiraj

Shoku Lulzim,  përshëndetje! Shoku Bashaaaa!

-Hë mo ç'keni? Nuk rrini dot ju! Mirë ne që rropatemi edhe të dielave, po ju ç'kusur keni që vini në punë?! Ikni ore pushoni në Hollandë, p.sh!

-Për ju kam ardhur shoku Lulzim. Mora vesh që do organizonit një mbledhje për të gjetur kush e votoi shokun Gramoz për Kryetar, e ndaj erdha.

-Hë i gjetet ata të dy që e votuan? Në mos i gjetsha, se qindin në katror, do ju punoj!

-Ishin tre veta që e votuan, jo dy. Nuk kam gjetur gjë. Nëse do i gjeja, unë nuk do vija te ju.

-Tre ishin vërtet që e votuan, por meqë njërin e di, doja të gjeja edhe dy të tjerët.

Ndaj po organizoj edhe këtë mbledhje. O i gjej ata të dy që e votuan Gramozin, o...

- Thatë që njërin e dini se kush ishte. A mund të ma jepni edhe mua emrin, shoku Lulzim, përpara se këtë gjë ta zbulojë ndonjë media tjetër. Ju lutem, pasi kështu i mburrem edhe kryeredaktorit edhe një kolegeje që s'ma var, se s'gjej lajme ekskluzive, ndaj.

-T'ia u them tani, apo fundjavën tjetër, përpara se të largohem për në Holandë?

-Mirë do ishte të na i thoshit tani. Do t'ia u dija shumë për faleminderit.

-Atëherë shëno! Njeri që votoi Gramozin, ishte ky që shikoni përpara...

-Ky roja! Po ai nuk ka të drejtë votimi.

-Isha unë pra, unë. Kush tjetër mund të ishte i pari?

-Ishit ju?! Po ky qenka lajm i thënë ekskluzivisht për mua. Përse e votuat, a mund ta dimë, arsyen, apo arsyet që çuan në këtë veprim, shoku Lulzim?

-Më kanë folur mirë për të, njerëzit e gruas, ndaj. E njihnin që kur ishte drejtues në kooperativë. Edhe në Tepelenë kur ishte Sekretari i Parë i asaj Partie, s'ka bërë keq, më kanë thënë. Ja kështu. Njeriu duhet ta thotë atë që di.

-Po ju në publik keni thënë që ...

-Se ç'them në publik unë është tjetër punë. Unë si i djathtë që jam, e vlerësoj rolin e individit. Nuk e ngatërroj me partinë. Kam thënë që Gramozi ka qenë komunist. Pse pak komunistë kemi pasur ne? Hë përgjigju, pak kemi pasur! Të gjithë, pak a shumë ishim mpleksur me sistemin e kaluar. Apo po, a jo?

-Nuk di ç'të them shoku Lulëzim. Ju të gozhdoni në vend me argumente.

-Po sepse të gozhdoj, ndaj edhe Saliu më zgjodhi mua pasardhës. Meqë kujtova shokun Sali: Siç edhe ka thënë ai, ne të gjithë në atë sistem kemi qenë "bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës". Nëse nuk do votoja Gramozin, i binte që të isha kundër kësaj thënie të shokut Sali, liderit historik të partisë që më dha fronin.

-Rrjedhimisht të ishit edhe kundër Saliut...

-T'u thaftë goja, inshallah! Si mundesh ta mendosh!

-Me ç'mbaj mend unë, ju shokun Gramoz e keni akuzuar si vrasës të katër vetëve ne Shkodër. A është logjike kjo dhe a do të vazhdoni të...?

-Ore po qenke aguridhe fare ti! Ke bërë logjikë formale në shkollë ti, apo hiç? Po nëse Gramozi vrau në Shkodër, atëherë me rregull treshi, i bie që unë kam vrarë katër vetët në Tiranë para 6 vitesh, meqë isha ministër si ai.

-Ashtu i bie, në fakt. Të gozhdon në vend ky "Rregulli i Treshit"

-Të tregohemi më objektivë në gjykim, ju lutem! Jo ç'do gjë që thuhet para kamerave, duhet marrë si e vërtetë. Ç'faj kemi ne Ministrat që ja ngopin policët, kallashit, se i zë paniku kur shikojnë miletin të gjuaj me gurë?! Kështu do na ndodhë kur policët i marrim te pakualifikuar. Më kuptoni, apo hiç?

-Ju kuptoj, posi. Mos vallë nuk e keni fajin ju ministrat, e urdhrat janë dhënë direkt nga ish Kryeministrat për te strukturat policore më terren?

-T'u thaftë goja për të dhjetën herë, që të shkon në mendje ajo gjë! As më shkon në mendje që të aludoj për të madhin Sali Berisha. Se edhe ajo më duhet! E shikoj veten në Utreht që nesër, mëse do e bëja një gjë të tillë.

-Më vjen çudi, shoku Lulëzim. Dhëndëri i shokut Sali nuk ju përkrah. Edhe për votimin e djeshëm për Kreun e Kuvendit ju kritikoi juve indirekt. A do ndikojë kjo gjë në marrëdhëniet tuaja, me liderin historik. Si mendoni?

-A ti qenke aguridhe fare, o derman! Saliu i thotë vetë dhëndrit që të dalë e të më kritikojë. Pas tij do dalin edhe të tjerë. Kështu unë i pikas se cilët kam kundër, e i largoj nga partia. Është strategji e mirëmenduar, që kur më vuri mua shoku Sali në krye të partisë. Jemi të zgjuar ne, sidomos shoku Sali.

-E shikoj që nuk flisni kurrë keq për të. Bravo!

-Unë as për ish Kryeministrin që ishte në kohën kur shoku Gramoz ishte Ministër i Brendshëm, s'kam gojë të flasë keq. Tani e kemi mik, të madhin Fatos Nano. Ai sa vjen në Shqipëri, të dytin takon Saliun.

-Pse të parin kë takon? Mos ndoshta juve?

-Të parin takon rojën e kazinosë. Sa mbaron punë aty, shkon e çmallet me Saliun, e pastaj me mua. Ika tani se do gjej kush kanë qenë ata dy të tjerët, që votuan Gramozin.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: