“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Saimir Tahiri: O "Ajn", o "Njësh", më thonë akoma partnerët gjermanë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Saimir Tahiri: O "Ajn", o "Njësh", më thonë akoma partnerët gjermanë
“Intervistoi” për gazetën “Albanian Free Press”, gazetari ynë satirik, Tahir Avazi

Flet shoku Saimir Tahiri: O "Ajn", o "Njësh", më thonë akoma partnerët gjermanë

Ish-ministrin e Brendshëm, shokun Saimir Tahiri, e gjeta në sallën e Kuvendit.

Të gjithë deputetët ishin larguar: në të, kishte mbetur vetëm ai. Po këqyrte me kujdes çdo kënd të sallës, ndërkohë mërmëriste me vete.

Iu afrova disi i frikësuar, se helbete, kisha të bëja me një ish-ministër, e për më tepër të Brendshëm. Por gabova. Më priti aq mirë, sa u ndjeva rehat fare!

Ja, bashkëllafosja që bëra me të:

- Përshëndetje, shoku Saimir! Si jeni me shëndet, me...?

- Hë mo, antenaxhi, ç'kemi? Si je ti? Si ke kaluar?

- Ja, kalova këtej nga kuvendi, por me ç'shoh, paskan ikur deputetët. Vetëm ju paskeni mbetur. Erdha vonë, se po inauguronte Erion Veliaj, një lulishte aty në krah të ish-Piramidës dhe kishte kallaballëk të madh mediatik, e mezi kalova rrugën.

- E po, "mediat e kazanit" atë punë kanë, o derman. Kot nuk ju thotë ai huri kështu.

- Cili hu? Për shokun kryeministër e keni llafin, besoj?

- Një hu kemi. Ai huri që më la si hu gardhi, pa marrë asnjë post. Nejse! E hëngri edhe Piramida d.m.th. Do bëhet ndonjë pallat 30-katësh aty, që ta ketë zili dynjaja.

- Pallat në vend të Piramidës?! Nuk e besoj, shoku Saimir.

- Në mos pallat, do ja japin me koncesion Piramidën ndonjërit. S'e beson ti, e besoj unë që e njoh atë, që është i pari në bashki, më mirë se të gjithë. Prit e do t’ja dëgjosh krismën këtij muhabeti. Për një park 50 metra katrorë, thërret 50 gazetarë. Tirana po shuhet për ujë e në ndotje, ai bredh si drejtor komunaleje nëpër lyerje kopshtesh. Rri aman, se e njoh mirë unë. E di ç'më tha dje, një miku im gjerman, me pushtet kuptohet?

- E nga ta di unë, shoku Saimir! Unë mavriu, s'kam të bëj me "koka" gjermane.

- Ishte aty kur kishin çaktivizuar atë bombën me gaz lotsjellës. Vetëm një shqiptar nuk ishte larguar, e nuk i kishin dalë lot. E ndaloi policia, që thua ti. Më mori në telefon vetë, ai drejtuesi i policisë e më tha: A Saime, o Ain! D.m.th., o Njësh! Se kështu më thonë akoma partnerët gjermanë. Kemi kapur njërin që ka qenë në vendngjarje kur çaktivizuam bombën me gaz lotsjellës, e nuk i dolën lot fare. Si është e mundur? - më tha ai partneri gjerman?

- Po ju, ç'i thatë? Besoj do na i thoni edhe ne?

- Është mësuar me pluhurin në Tiranë, ndaj i ka sytë "bombë fare" dhe nuk pyet për bombë lotsjellëse, - i thashë. Ja thashë edhe partnerit gjerman, se ç'kryetar të paaftë bashkie kemi në Tiranë. Na mbyti smogu fare, po vdesim.

- Ç'ju tha ai, nëse mund ta di edhe unë, e lexuesit e mi?

- S'tha gjë. Mua, siç të thashë, partnerët gjermanë më besojnë çdo llaf. Janë gjepura ato, se ata i kërkuan këtij hurit tonë që kemi kryeministër, të më hiqte nga ministër, se gjasme s'luftova hashashin. I përhap ai i bashkisë.

- Kuptoj! A mund të më thoni, se ç'bëni këtu në sallë, i vetëm?

- Po llogaris me metoda policore, se nga duhet të hyj, për të zënë atë karrigen e fundit aty. Ka nga dy ditë që ma zë Petrit Vasili. Bëra llafe me të. I thashë: Shko në një vend tjetër, se këtu në fund, do rri unë, për t'i dhënë mesazh Ramës, se e kam kuptuar që më ke lënë në fund të preferencave. Këtu në fund, nuk kam njeri nga pas që "të ma futë". Më kupton tani, se përse po rri?

- Ju kuptova disi. Si u përgjigj shoku Petrit?

- Nuk foli. Kishte marrë me vete Nasipin dhe Monikën. E di unë, kastile i kishte marrë. Me Nasipin ka dashur të më frikësonte. Me Monikën ka dashur të më fuste në kurth. Nëse do kisha thënë ndonjë gjë unë, të thoshte Petriti që Saimiri shan gratë. Më mbajnë inat që nga koha kur i kishim në qeveri, se nuk më donte Iliri mua, ndaj. Si bien dot gomarit, i bien samarit.

- Po tani, si do ta zgjidhni çështjen? Kush do ulet në fund të sallës, desha të pyesja? Ju, apo Petriti i LSI-së.

- Këtë gjë po studioj, pra. Sipas llogaritjeve të mia të sakta, duhet të hyj nga dera e djathtë, që të kap më shpejt, këtë karrigen e fundit. Mirëpo më hap probleme kjo gjë.

- Cila gjë ju hap probleme, se nuk e kuptova?

- Ore, po qenke aguridhe fare ti! Kjo gjë pra, që të hyj nga dera e djathtë. Do mendojë Rama se unë kam kaluar politikisht djathtas.

- Po dhe të mendojë! Se mos do t'ju bëjë gjë. Njeriu hyn e del nga dhe ku të dojë. Po hyjnë e dalin nga partitë, e jo më nga dyert. Përse frikësoheni?!

- E di që nuk e ke keq ti! Fundja, unë "ngrënë" e kam. Ministër s'më bëri. Në fillim e përjetova keq, ama tani, e kam gjetur me se të heq stresin.

- Ma thoni edhe mua, o derman, që ta heq, se më plasi një çupë aty te gazeta. O sill lajm ekskluziv, o nuk dal për kafe me ty! Nuk dal me të paaftë, më thotë.

- Mbaj mjekër, nëse s'do të kesh stres! Kur të zë stresi, fërkoje! Është dorë me një. Unë tani që s'jam ministër, kështu do ja bëj. Do e rris prapë...

- Ju e mbanit kur ishit ministër, me sa mbaj mend. Po atëherë, ç'stres kishit?

- E ndjeja që do ma fuste huri mua, për hir të atij në bashki, ndaj e mbaja edhe atëherë...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: