“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Sali Berisha: Nuk më dëgjon as djali në shtëpi, e jo më Luli në parti

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Sali Berisha: Nuk më dëgjon as djali në shtëpi, e jo më Luli në parti
Zbulohen pjesë nga ditari i shokut, Sali Berisha: Nuk më dëgjon as djali në shtëpi, e jo më Luli në parti

"Antena Jashtë Familjes" sjell për ju sot, pjesë nga ditari i shokut, Sali Berisha, - kryetrimit të vendit. Se si na ra në dorë kjo pjesë ditari, neve nuk e themi. Dimë të themi se, fletën që gjetëm, po e botojmë ashtu siç na erdhi, me respekt të tejdukshmërisë për lexuesin, si parim yni i pandryshuar, me gjithë ndryshimin e stinës.

...Nuk kam ça me i ba djalit! Është rritur tashmë. S'më pyet fare. Vajti ca kohë që s'më dëgjon. Vitet e mesme dhe të fundit të pushtetit tim, edhe muhabetet me tenderët, i mbyllte pothuajse vetë. Nuk e lodhte fare, as të motrën. Më shumë e takonte ai Mediun p.sh., - për çështjen e atyre predhave në Gërdec, - sesa e takoja unë.

-Hë mor bir, si ia kalove sot? - e pyesja, kur vinte vonë në shtëpi. - Mirë, - më thoshte.  –Ja, takova Fatmirin, diskutuam për ca gjëra. - Për ç'gjëra folët? - e pyesja. - Diskutuam rreth muzikës, sidomos serenatave korçare, - më përgjigjej.

- Çfarë t'i thosha! Heshtja. Ku merrja vesh unë nga serenatat. Po ç'ne për serenatat me Fatmirin, xhanëm! Ai nuk është as pe Korçe, - thosha me vete.

Gabim kam bërë që nuk studiova muzikë. Edhe më tha Romano Prodi, kur erdhi këtu e më takoi me mall, në 1997-ën. –O, Sale! O, caro mio! - më tha. Studio muzikë, se do të të duhet!"

- Nuk e dëgjova, e mbeta edhe bylmez në çështjet muzikore. Tani nuk më ftojnë në asnjë dasmë, apo fejesë.

Ç'të më ftojnë! As për të kënduar, e as për të kërcyer nuk di. Kam humbur edhe cilësinë e të bërit të tjerët që të kërcejnë. Më parë, kërcenin me një këmbë përpara meje. Tani as me të dyja s'duan të hidhen. Po më bën vickla edhe Luli, pale!

Më fiku, s'më dëgjon fare ai djalë. Kishte shkruar se mirë u bë që u mbulua monumenti i Skënderbeut, pasi myslimanët nuk falen dot kur përpara kanë statuja".

Është bërë edhe specialist feje, pale! Sa po bëhesha gati unë të dilja e të dënoja atë akt të turpshëm të bërë nga Erion Veliaj. Eh, kot nuk thonë! Ç'të bën fëmija, nuk ta bën perëndia! Ç'të dal kot unë tani, e të flas kundër. Do thonë që Saliu nuk ka harmoni në familje. Më turpëroi! Edhe ai mullai, a si e ka emrin ai i Tiranës, doli dhe dënoi mbulimin e monumentit. Nuk e vumë re, kishte thënë se u bënë punimet natën.

Është i zgjuar tjetri. Me marifet bëhen gjërat. Jo si ky djali im, që del e flet broçkulla.  Më la si guhak! Gjithë lexuesit në facebook prisnin të flisja për Skënderbeun.

Unë fola për Skënderbeun, në fakt, që barazoi me atë Dinamon e Zagrebit...

Lashë koqen e namit! Fola për futbollin dhe nuk fola për Skënderbeun, kryetrimin tonë, që ishte i pamposhtur nëpër beteja, tamam si unë që jam i tillë, kur jam në opozitë.

Eh, mor bir, ç'më bëre! Nga dole dhe fole përpara meje. Do thonë dynjaja se të mësova unë. Je rritur, e s'më dëgjon fare. Po përmbahu, mor djalë, përmbahu! Kujt i ke ngjarë kështu, gjanëm! Mua jo, se unë, vetë, përherë jam i matur.

Po më dalin kundër të gjithë, tani në pleqëri. Edhe ai Ronaldinjo, mora vesh, që më kishte vënë në lojë. Kishte bërë një tatuazh në krah ku kishte shkruajtur edhe fjalën "Dibra". E di unë, kush ma ka bërë këtë. Gaz Demi, ai Presidenti i Partizanit. Atë e ka shtyrë Olsi Rama, i vëllai i Edit, atij Noriegës së drogës. I njoh mirë unë ata.

Gazi ndaj ishte në Brazil përpara dy javësh. Kishte takuar Bebeton, atë ish-futbollistin. Më tha një qytetar dixhital. Më mban inat Gazi që e sulmova para disa kohësh.

Me anë të Bebetos, i kanë mbushur mendjen Ronaldinjos, që të vendosë në tatuazh fjalën “Dibra”. Ama, ishte alamet tatuazhi për nga ana artistike.

Ma bëjnë kastile. Duan të me tallin mua që Sherefedini, kandidati ynë para një viti, humbi në Dibër.  Këtë ma tha edhe një qytetar dixhital që më kishte shkruajtur qysh në orën 5 të sabahut, dje.

Një tjetër dixhitalist më shkruajti se, Ronaldinjo ka origjinë dibrano-çame. Kjo është arsyeja pse kishte vendosur si tatuazh emrin "DIBRA", - meqë, në zgjedhjet e fundit, kjo parti bëri dërrmën në atë zonë .

Nuk di cilën nga këto variante të besoj! Të dyja variantet janë me bazë. Ndaj, për transparencë ndaj teje, o ditar, po i shkruaj të dyja. Them t'i shkruaj edhe në facebook, por nuk e di a do kem kohë, pasi tani do merrem me zgjedhjet në Akademinë e Shkencave. Epo kur u bë Akademik ai Tan Fuga, që nuk ka bërë ndonjë studim, por vetëm përkthen studimet e huaja! I shkruan edhe atij drogaxhiut në qeveri, pale. Këta Fugat janë të lezetshëm. I fusin një të prekur mjekrës, e mendojnë se thonë gjëra të mençura.

Po ik, o! Dil në terren e bëj ndonjë studim, ik!  Le që, me motorin tënd, nuk ngjiten dot malet për studime, o Profesor! Megjithëse ju kam çuar asfaltin, unë.

Kur e mendoj: Kot nuk e bëra akademik atë Lul Bashën, unë! Të rrinte me ata pleqtë atje, e të luante domino, se s'është ai për punë tjetër. Më ka nxjerrë bojën!Lluqua! Le që mua, vajti ca kohë, s'më dëgjon as djali në shtëpi, jo të më dëgjojë Luli në parti...

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: