“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Lulzim Basha: Me holandezët, diskutuam për mullinjtë me erë

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Shoku Lulzim Basha: Me holandezët, diskutuam për mullinjtë me erë
Satirë

 

  1. Flet shoku Lulzim Basha: Me holandezët, diskutuam për mullinjtë me erë

 

Pas takimit që shoku Lulzim, kreu i PD-së, kreu me delegacionin e të djathtës holandeze, ne shkuam në selinë e kësaj partie dhe e takuam për pak çaste.

E falënderojmë që, megjithëse ishte veshur me pizhame, pranoi të na përgjigjej pyetjeve tona, që, për hir të së vërtetës, nuk ishin se ishin të shumta, pasi edhe neve, nuk ishte se donim ta shqetësonim.

Ja bashkëllafosja që bëmë me të:

Antena: Përshëndetje, z. Basha! Më falni që po ju shqetësoj, se ndoshta po shkonit të flinit...

Shoku Lulzim: Në fakt, sapo u zgjova. Vdiqa nga takimet me njerëzit, nëpër rrethe.

Antena: Ju kuptoj dhe uroj të ndiheni mirë sa më shpejt! Desha t'ju pyesja për atë takimin me ata holandezët. Si shkoi? Ç'u tha? Ç'thanë?

Shoku Lulzim: Takimi me ta shkoi shumë mirë. Diskutuam shumë çështje, sidomos ato që shqetësojnë mua. Pala holandeze m'i shpjegoi, palë-palë, gjërat.

Antena: Çfarë llafosët konkretisht, shoku Lulzim? A mund ta dinë lexuesit tanë?

Shoku Luli: Së pari, i pyeta se si ishte koha, pasi kam nga dy javë që nuk kam shkuar në Holandë. Më mbytën punët e s'i lë dot demokratët vetëm. Te unë i kanë sytë. Ku t'i kenë, apo tek Astriti?! Ai për vete sytë i ka në kazino. Edhe Saliu më la.

Antena: Ju la?! Pse, ku shkoi shoku Sali?

Shoku Lulzim: Ka shkuar në Gji të Lalzit. Shkon shikon pronat e çupës. Pale, e nxjerr në Facebook sikur kujdeset për trupin. Kështu, s'kanë ku përplasen demokratët. Mua më kanë. Nuk shkojnë dot të Lalzit, të takojnë Salinë. Pastaj, edhe në shkofshin, kush i lë të futen brenda në Gji. Atje është bërë pëllëmbë e policë privatë dhe shtetërore. Ndaj shkon Saliu atje, se do qetësi maksimale. Mos ta shqetësojë njeri, fare. "Do rehati në pleqëri, njeriu", - më tha njëherë.

Antena: Ju kuptoj në lidhje me shokun Sali. Çfarë llafosët me ata holandezët, konkretisht; deshëm të mësonim prej jush, shoku Lulush?

Shoku Lulzim: Tamam, tamam, që ta dish ti, i pyeta për mullinjtë me erë.

Antena: Për mullinjtë me erë? Mos u tallni, ju lutem! Ju keni qenë në Holandë me studime, e besoj se e dini si punojnë ato.

Shoku Lulzim: Kam qenë vërtet, por isha student dhe nuk kisha kohë të merresha me studimin e tyre. Këta holandezët që takova unë, siç edhe është bërë e ditur, janë përfaqësues të partisë që mbron traditat holandeze. Besoj se e dini këtë gjë.

Antena: Po, po e dimë, se e pasqyroi edhe gazeta jonë, që janë "konservatorë", le të themi. Madje, donin "të na hiqnin edhe "vizën", duke na rikthyer vizat me vendet Shengen. Do na merrnin në qafë.

Shoku Lulzim: Atë punë e rregullova unë. Nëse vini vizat me shqiptarët, ju thashë, unë s'do investoj asnjë kokërr euroje, nga ato që kam fituar kur isha ministër. Dhe u bindën. Ata bëjnë gjithçka për lekë. Nejse, ku e kishim llafin, se jam nëpër gjumë? A po, te mullinjtë me erë. E kush më mirë se ata, i di se si punojnë mullinjtë me erë.

Antena: Po pra, po, te ato e kishim llafin. Po përse donit të dinit për mullinjtë me erë të Holandës, deshëm të dinim. Mesa di unë, ato janë thjesht relike. Lëvizin kot, pasi asgjë nuk bluhet në to. Asnjë kokërr bereqeti. Thjesht, vijnë vërdallë, meqë i lëviz era.

Shoku Lulzim: Pikërisht, për këtë i pyeta edhe folëm, pra. Se edhe unë, ashtu si mullinjtë me erë të Holandës, kam vite që vij vërdallë "pa bereqet". Më ngrohu fakti, kur më thanë që ato mullinj kanë me dhjetëra vjet që rrinë kot. Pse mos të rri edhe unë, si ta, xhanëm! Përse më kërkojnë këta në parti që të iki, duke më akuzuar se s'kam rendiment.

Le të marrim shembull nga Holanda. Një shtet me demokraci të zhvilluar, mban akoma gjëra, pavarësisht se nuk kryejnë asnjë punë.

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: