“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Zbulohet pjesëz nga ditari i Ramës: Trump është shumë delikat në sjellje

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Zbulohet pjesëz nga ditari i Ramës: Trump është shumë delikat në sjellje
Satirë

 

  1. Zbulohet pjesëz nga ditari i Edi Ramës: Trump është shumë delikat në sjellje

    Ja çfarë shkruhet në ditarin e Kryeministrit lidhur me vizitën në OKB dhe takimin e Trampit me të:

    Përherë më ka pëlqyer OKB-ja. Aty mblidhen njerëz nga vende të ndryshme, pavarësisht, racës, shtetit, pasurisë dhe përse jo edhe budallallëkut. Në kuadër të kësaj të parafundit: Dje p.sh. u takova me Donaldin, që e nisi biznesin me 300 milione $, para që ja la babai i tij.

    E të mendosh: Takohem unë që kisha para disa kohësh 3 mijë euro, me atë që kishte një thes me para. E kush tjetër veç OKB mund të siguronte një takim të tillë kaq ekstrem?!

    Nejse, po kaloj te takimi: Në fillim mendova se do sillej ashpër me mua, por pashë te Ai burrë shteti, një person me shpirtin, siç ka edhe flokët. I butë dhe i qeshur. Nuk kam parë njeri më të qeshur në jetë. Vetëm Koçi te filmi me teto Ollgën, mund ta konkurrojë.

    M'u afrua, më hodhi dorën në qafë e më tha: -Po sot përse nuk i ke veshur atletet? Ansëer me, man!

    E dija që do ma bënte këtë pyetje, se ma kishte parashikuar Endri. - Nuk vesh atlete gjermane Adidas në Amerikë, i thashë. Sa i thashë kështu, më shtrëngoi fort, sa desh më dolën qimet e mjekrës. Ëell done! Të kam falur për ato që ke thënë më parë, më tha.

    Ai fali atë psikopatin koreano-verior fundja kur i tha: O ndërpre provat bërthamore, o do të të gjejë belaja! Dhe nuk e gjeti belaja. Po i vazhdon provat me lëshime raketash ai koreani. Jo mos të më falte mua, që e shumta që lëshoj është ndonjë koncesion dhe ca batuta në mbledhjen e qeverisë. Është shpirt njeriu Donaldi. Bisedova me të dhe më tha, me dorën në qafë: Kam ca suita për të shitur te njëra nga kullat e mia. Është mrekulli fare.

    Po i them njëherë Vilmës të shkojë të blejë ndonjë. Nuk mund të lihet miku në të tilla raste. Ç'i ka Vilma aq para sa mund të kushtojë ajo. Një tender e gjysëm në spital, e ka.

    Eh Donald, je i madh, i pakrahasueshëm je, për zotin! Nuk e mendoja se do t’ja kalonim aq mirë ato 30 sekonda që folëm së bashku. 30 sekonda ishin vërtet, por e rregullon Endri këtë punë në Tiranë, i bën sikur ishim 30 orë së bashku. Është mjeshtër ai. Nuk më lodh, nuk më meron fare. Boton ato që do, dhe madje pa më thënë mua më parë.

    E mor Tramp, sa të dua!  Kujdesu për veten Donald, e m'i ki kujdes ish-sigurimsat shqiptarë që jetojnë në Amerikë. Trajtoji mirë, se u plakën dhe kanë nevojë për dorën e ngrohtë amerikane!

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: