DIPLOMACIA SELEKTIVE E FEDERIKA MOGERINIT- OPINION NGA SPIROS SIDERIS

DIPLOMACIA SELEKTIVE E FEDERIKA MOGERINIT- OPINION NGA SPIROS SIDERIS
Nga SPIROS SIDERIS

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Edhe pse ekonomia është hallka lidhëse e vendeve të Bashkimit Evropian, diplomacia brenda Unionit luan rolin e saj, sepse përcakton lidhjet ndërkombëtare dhe diplomacinë ekonomike dhe si rrjedhojë, edhe politikën e BE-së.

Afro dy vite më parë, Presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker i kërkoi Federika Mogerinit hartimin e më shumë nismave në drejtim të Politikës së Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së.

Shefja e diplomacisë evropiane nuk humbi kohë dhe filloi menjëherë nga puna për të përmbushur kërkesat e Presidentit të Komisionit Evropian, por me një ndryshim: në vend se të ndiqte udhëzimet e një politike të vetme, ajo krijoi një task forcë të përbërë mes disa shteteve dhe la jashtë të gjitha shtetet e tjera.

Edhe pse kjo nuk është hera e parë të ashtuquajturat politika të dy apo tre shpejtësive krijohen brenda BE-së për shtetet anëtare, kjo është hera e parë që Federika Mogerini vend në mënyrë kaq të hapur të “luajë” me më “të fuqishmit”.

Arsyet për këtë zgjedhje nuk dihen dhe mund të bëhen vetëm spekulime. Megjithatë, si e ardhmja politike ashtu dhe e ardhmja e BE-së kalon nga disa vende dhe janë pikërisht këto vende që ajo ka përfshirë në politikën e saj.

Nuk është diçka e pazakontë që komisioneve të jashtme të BE-së t’i dërgohen rezoluta pa konsultim paraprak dhe pasi i janë komunikuar dhe janë diskutuar vetëm Gjermanisë dhe Francës, dhe ndonjëherë Italisë, ndoshta sepse është vendi nga i cili vjen ajo.

Sipas informacioneve të IBNA-s, ka mjaft pakënaqësi mes vendeve anëtare të BE-së në lidhje me mënyrën e veprimit të Përfaqësueses së Lartë. Nuk është rastësi që pasi ka ndërmarrë nismat e saj që lidhen me politikat e jashtme dhe sigurinë, grupe shtetesh brenda Unionit, si grupi i Vishegradit, vendet e Jugut dhe tani, vendet e Ballkanit, janë forcuar.

Në një kohë mjaft kritike për të ardhmen e BE-së, politika e ndjekur nga Federika Mogherini nuk po ndihmon aspak për uljen e konflikteve brenda Unionit. Mungesë përvoje, dredhi? Ciladoqoftë arsyeja, ekuilibrat janë mjaft të brishtë dhe sa më e madhe të bëhet përçarja brenda BE-së, aq më shkatërrimtare do të jenë efektet në Evropë.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: