Erald Dervishi: Si e humba shansin për kampion bote

Erald Dervishi: Si e humba shansin për kampion bote
Shahisti i vetëm shqiptar që mban titullin e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar të shahut, tregon ndeshjen dramatike të vitit 1998 kur humbi në mënyrë absurde një ndeshje që ishte praktikisht e fituar kundër lojtarit që u shpall kampion bote. Karriera e nisur që në moshë fare të re dhe që kulmoi në moshën 18-vjeçare, me titullin më të lartë botëror

Intervistoi për Albanian Free Press: Alket Aliu

Shumëkush e kujton Erald Dervishin për bujën e madhe të vitit 1987, kur shahisti i ri nga Durrësi fitoi ndeshjen kundër kompjuterit. Një zhurmë mediatike për të cilën sot Eraldi tregon se nuk e kuptonte pse ishte shkaktuar: “Nuk më dukej ndonjë gjë e madhe, pasi e pashë që niveli i kompjuterit ishte më i ulët se niveli im në lojën e shahut”, thotë Eraldi, duke treguar për mentalitetin e kohës, kur kompjuteri kishte “namin” si i pamposhtur. Dhe shahisti i ri filloi të rritej profesionalisht, i shoqëruar nga buja që po i dukej gjithnjë e më e zakonshme. Një rrëfim interesant për ditën-simbol të rrëzimit të komunizmit: “Ditën kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha. Ishim në një turne shahut vetëm disa dhjetëra metra më tutje, në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi”, prapa muzeut Historik Kombëtar. Ndërsa luaja shah, dëgjoja zhurma dhe britma njerëzish. Kur mbarova ndeshjen, ishte momenti kur po rrëzohej busti”, tregon Eraldi në një intervistë ekskluzive për “Albanian Free Press”. Dhe ambicia e shahistit që sot llogaritet si një ndër 100 lojtarët më të mëdhenj në botë: Të masivizojmë sportin e shahut, ka efekte shumë pozitive për fëmijët.

Erald, kur e ke filluar sportin e shahut?

E kam filluar në moshë shumë të vogël, isha vetëm 5 vjeç. Ishte viti 1984. Mbaj mend se shkoja shpesh në sallën e shahut në Pallatin e Sportit. Ishte koha kur skuadra “Lokomotiva” e Durrësit ishte më e mira në vend dhe Mjeshtri Ndërkombëtar, Fatos Muço, ishte kampion kombëtar për disa vite resht. Por edhe të tjerët: Agron Islamaj, Hamza Xhakoni, Kozma Nasto, Harallamb Boshku ishin të gjithë shahistë shumë të mirë, të nivelit shumë të lartë dhe kishin krijuar një skuadër që prej vitesh shpallej kampione kombëtare edhe në garat ekipore.

Po si ndodhi që ti u afrove në këto tavolina?

Në atë kohë ishte edhe një klimë shumë e mirë, një atmosferë shumë nxitëse për brezat e rinj. Jo vetëm për shahun, por edhe për sporte të tjera. Dhe unë nuk shkova në mënyrë të posaçme për shahun, por për të luajtur edhe lojëra të tjera, bashkë me fëmijë të tjerë. Prindërit më futën në një kurs shahu, së bashku me vëllanë tim që është më i madh në moshë. Vëllai e ndërpreu pas një viti, unë vazhdova.

Kush e drejtonte këtë kurs?

Për grupet e para të rinjve, ishte një nga shahistët e skuadrës së Durrësit, Hamza Xhakoni. Grupet zinxhir ishin shumë funksionalë dhe krijonin mundësinë për t’u rritur profesionalisht, madje edhe për të dalë kampionë. Një organizim i mirë në të cilin, kush kishte pasion dhe talent, mund të ecte përpara.

Dhe si re në sy që ti kishe talent?

Është një pyetje e vështirë, pasi kam qenë shumë i vogël dhe jo të gjitha më janë fiksuar në memorie. Por di që afërsisht në moshën 7-vjeçare, talenti im në këtë sport ra në sy pothuajse të të gjithëve. Në fund të fundit, talenti është një aftësi natyrore kundrejt një sporti të caktuar. Ndoshta ishte edhe fat, pasi nuk është e lehtë që në moshë të vogël të arrish të zbulosh se ku i ke aftësitë. Prandaj rekomandohet që në moshë të vogël fëmijët të angazhohen në shumë lloje artesh apo sportesh dhe të evidentohet se ku mund të ketë talent dhe ta zhvillojë atë.

Po shahistët e mëdhenj të “Lokomotivës” si të pritën?

Mund të them se gjeta një mbështetje të jashtëzakonshme. Shahistët e rritur filluan të merren posaçërisht me mua, të kultivonin dhe përmirësonin dijet e mia. Kam vetëm kujtime shumë të bukura nga jeta sportive. Vitet kalonin dhe kjo punë filloi të japë edhe frytet e veta, duke u ngritur edhe në nivel kombëtar, falë edhe dashamirësisë dhe mbështetjes së tyre. Të mos harrojmë se sporti i shahut ndërkohë kishte një nivel të lartë cilësor në Shqipëri.

Kur keni marrë pjesë për herë të parë në një aktivitet kombëtar?

Ishte viti 1986, zhvillohej kupa “11 janari” për moshat deri 20 vjeç. Unë isha vetëm 7 vjeç dhe m’u desh të ndeshesha edhe me shahistë shumë më të mëdhenj në moshë. Fitova disa ndeshje dhe u kuptua se niveli im ishte shumë i lartë në krahasim me moshën time.

Si ndjeheshe teksa po vendoseshe në qendër të vëmendjes?

Është një moshë që është vështirë të perceptosh se çfarë thuhet për ty. Ndjeja që qarkullonin zëra, vëreja interesimin e të rriturve ndaj meje si fëmijë, por nuk mund të kuptoja se çfarë thuhej realisht. Edhe pse ata mundoheshin të ishin të kujdesshëm që të mos e ndjeja drejtpërdrejt këtë interesim.

Kur e ke parë për herë të parë emrin tënd në një gazetë?

Kur isha 7 vjeç, është shkruar një artikull rreth kupës “11 Janari” dhe më kishin evidentuar si një ndër talentet e reja që kisha spikatur në atë aktivitet. Specialistët nisën të interesoheshin dhe mbaj mend që më bënë edhe një test të inteligjiencës. Por ajo që bëri bujë ishte loja që zhvillova unë kundër kompjuterit në vitin 1987.

Të them të drejtën, ishte një kompjuter që kishte një program fare modest, por për Shqipërinë ishte një ndër prurjet e rëndësishme teknologjike të kohës. Mendoni që ishte një kohë kur teknologjia ishte shumë e prapambetur, 2-3 kompjutera kishte edhe në administratën qendrore. Bëra një ndeshje dhe fitova kundër kompjuterit. Mua nuk më dukej ndonjë gjë e madhe, pasi e pashë që niveli i kompjuterit ishte më i ulët se niveli im në lojën e shahut, por buja mediatike ishte e madhe. “Shahisti durrsak mund kompjuterin” shkruhej në gazetë. Perceptimi ndaj kompjuterit ishte i tillë, që dukej e pamundur që një njeri të mundte në lojë një kompjuter. Jehona mediatike e kësaj ndeshjeje ishte sikur të kisha dalë kampion bote. Shkruan disa gazeta dhe revista të kohës. Unë isha 8 vjeç dhe një jehonë e tillë nuk mund të mos më bënte përshtypje, edhe pse e dija se nga niveli profesional nuk ishte ndonjë arritje për të bërë zhurmë.

Po në shkollë, çfarë të thoshin shokët?

Dashur apo padashur, fillon të mësohesh. Arriti një moment kur kjo m’u bë e zakonshme.

Kur ke marrë pjesë për herë të parë në një kampionat kombëtar për të rritur?

Ishte viti 1989, kam qenë 10 vjeç dhe më caktuan si lojtar rezervë në ekipin e “Lokomotivës” në kampionatin kombëtar për skuadra. Megjithëse isha rezervë, kam luajtur në të gjitha ndeshjet.

Po në gara individuale?

Një vit e ca më pas, ka qenë fillimi i vitit 1991. Mbaj mend se kam luajtur ditën kur u rrëzua busti i diktatorit Enver Hoxha. Ishim në një turne shahut vetëm disa dhjetëra metra më tutje, në pallatin e kulturës “Ali Kelmendi”, prapa muzeut Historik Kombëtar. Ndërsa luaja shah, dëgjoja zhurma dhe britma njerëzish. Kur mbarova ndeshjen, ishte momenti kur po rrëzohej busti. Nuk i kisha mbushur 12 vjeç dhe mbaj mend se dolëm bashkë me shahistët e tjerë të rritur dhe jemi ngjitur deri lart në qytetin “Studenti”. Nuk e kuptoja se çfarë po ndodhte, thjesht ndjeja euforinë popullore. Jam endur nëpër Tiranë, thjesht për kuriozitet, nuk mendoja se mund të ndodhte diçka e rëndë.

Po fitoren e parë në kampionatin individual për të rritur?

Kam qenë 15 vjeç kur jam shpallur kampion kombëtar për herë të parë. Kam fituar edhe vitin pasardhës dhe një turne të më të mirëve. Pastaj, të them të drejtën, nuk kam marrë pjesë më që nga mosha 17-vjeçare në kampionatet kombëtare.

Pse ky largim?

Nga njëra anë, niveli ishte më i ulët se ai i formimit tim si lojtar. Por nga ana tjetër, shkova për studime në Itali dhe jam fokusuar në pjesëmarrjen në gara ndërkombëtare. Kam përfaqësuar Shqipërinë që nga Olimpiada e Moskës në vitin 1994 e në pothuajse të gjitha olimpiadat, përveç një rasti që mungova për arsye personale. Mund të them se kam luajtur në qindra turne ndërkombëtar, ku kam përfaqësuar Shqipërinë.

Pashë një gazetë të vjetër që krenohej me faktin se Erald Dervishi kishte arritur të dilte i shtati në botë...

Ky ishte ndoshta rezultati më i dobët. Kam qenë kampion Europe nën moshën 14 vjeç, ndërsa në grupmoshën deri në 20 vjeç kam qenë gjithmonë në 5 apo 6 të parët, në kampionate evropiane e botërore. Në këtë grupmoshë, kam qenë shumë pranë titullit botëror në vitin 1998, por humba në mënyrë absurde një ndeshje të fundit që ishte praktikisht e fituar.

Po për të rriturit?

Në vitin 1998 kam një medalje argjendi në olimpiadë dhe kam fituar dhjetëra turne shumë të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Erald, ke patur fatin të kishe një trajner shumë të aftë...

Fatos Muça ka qenë trajneri im personal për vite të tëra. Më ka stërvitur me një dashamirësi të patregueshme. Ka një kontribut të jashtëzakonshëm në karrierën time sportive. Ndoshta, nëse Fatosi do të mungonte në Durrës, edhe unë nuk do të isha ky që jam. Në atë kohë, Fatos Muça ishte ndoshta shahisti më i madh shqiptar. Mjeshtër Ndërkombëtar i shahut, kampion kombëtar, pjesë thelbësore e ekipit kombëtar...

Ka qenë shahisti më i mirë shqiptar deri në atë kohë, pa diskutim. Maja më e lartë. I njohur brenda dhe jashtë vendit. Nëse Shqipëria do të kishte më shumë lirshmëri në pjesëmarrjet në aktivitete ndërkombëtare, do të kishte një tjetër emër.

Erdhi momenti që ta mundje në fushë?

Me Fatos Muçën nuk kemi luajtur kurrë ndeshje zyrtare. Duket e çuditshme, por kështu është. Edhe sot kemi një afërsi shumë të madhe, gati-gati familjare, kemi luajtur për qejf dhjetëra herë në stërvitje, por asnjëherë në gara zyrtare.

Je i vetmi shqiptar që mbani titullin Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar i shahut. Dhe në një moshë fare të re...

Po, në moshën 16 vjeçare arrita të fitoj titullin Mjeshtër Ndërkombëtar i Shahut. Ndërsa pa mbushur ende 18 vjeç u shpalla Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar. Është titulli më i lartë botëror. E mora në një moshë shumë të re dhe shumë pak njerëz ka patur deri në vitin 1998 që ta merrnin këtë titull në moshë të tillë. Sot kanë ndryshuar gjërat dhe ka një rast që këtë titull e ka marrë një shahist 14-vjeçar, p.sh. Karsen, sot kampion i botës.

Duket se sot je disi i tërhequr nga aktivitetet sportive...

Vazhdoj të marr pjesë në turne ndërkombëtarë, por në mënyrë më të reduktuar. Qoftë për statusin, edhe për kohën e limituar që kam. Mundohem që të marr pjesë të paktën në dy turne në vit. Nuk shkoj në kampionatet evropiane e botërore, por marr pjesë rregullisht në olimpiadat që organizohen çdo dy vjet. Tashmë kemi filluar të organizojmë edhe turne ndërkombëtarë në Shqipëri, madje edhe të përvitshëm, siç është ai i Durrësit dhe shpresojmë t’i shtojmë.

Tani po flet si zyrtar i Federatës shqiptare të Shahut?

Po, është e vërtetë. Jam anëtar i Kryesisë dhe zëvendësPresident i Federatës dhe po merrem shumë edhe me çështje të organizimit. Po kontribuoj me aq sa kam mundësi për ngritjen e nivelit të shahut shqiptar dhe organizimin sa më efecient të Federatës Shqiptare të Shahut. Jemi në fazën finale të implementimit të një projekti për futjen e shahut në shkolla. Ka një marrëveshje ndërmjet Federatës Europiane të Shahut, Ministrisë së Arsimit dhe Federatës Shqiptare të Shahut. Besoj se projekti do të fillojë në muajin shtator me disa shkolla-pilot. Do të jenë 10 të tilla kryesisht në Tiranë e Durrës. Brenda 2-3 vjetësh, shpresojmë ta shtrijmë në të gjithë Shqipërinë.

Ky do të jetë një kontribut i rëndësishëm jo vetëm për sportin e shahut, por edhe për fëmijët që do të marrin pjesë në këtë projekt. Tashmë është e vërtetuar shkencërisht se sporti i shahut ka shumë efekte pozitive te fëmijët, sidomos në moshë të vogël. Kjo edhe në rast se fëmijët nuk do të bëhen profesionistë në fushën e shahut. Por ky sport te fëmijët ndihmon në përqendrim, në antagonizëm, në respektimin e kundërshtarit, në respektimin e rregullave e të tjera.

Ti ke qenë fëmijë kur e ke filluar këtë kohë dhe ka qenë një tjetër periudhë, koha e komunizmit. Po të bëjmë krahasim në mënyrën e organizimit të punës me mosha të vogla, të stimulimit dhe nxitjes për të zhvilluar këtë lloj sporti, a gjeni elementë pozitivë që mund të rimerren dhe të ndihmojnë në realizimin e këtij objektivi?

Kur folëm për organizimin e sistemit zinxhir në klube me grupmosha, me orare të caktuara stërvitjesh, padyshim këto janë elementë për t’u vlerësuar. Edhe mënyra e kalimit nga një grupmoshe në një tjetër më të madhe, përbënte një stimul, pasi kalimi bëhej në bazë të nivelit, jo thjesht të moshës. Në këtë mënyrë, edhe stërvitja bëhej e diferencuar. Është kjo që po mundohemi të realizojmë sot, në nivel lokal dhe kombëtar.

Edhe qëllimi i këtij projekti-pilot është pikërisht masivizimi i këtij sporti dhe, padyshim, këtu do të evidentohen edhe elementë të spikatur.

Po çfarë do të ndodhë me këta fëmijë, nëse shikohet se kanë talent?

Po këtë vit është parashikuar ngritja e Akademisë së Shahut, pranë Federatës Shqiptare të Shahut. Fëmijët që do të kenë prirje dhe karakteristika cilësore më të avancuara se fëmijët e tjerë, do t’i afrojmë dhe të punojmë në mënyrë më individuale.

Vitin tjetër, në bashkëpunim me Federatën Botërore të Shahut, do të organizohet Kampionati Botëror i shahut për shkollat në Shqipëri. Është një eveniment shumë i madh, parashikohet pjesëmarrje e mbi një mijë shahistëve të rinj.

Si arritët ta sillnit në Shqipëri organizimin e një eventi të tillë?

Si për çdo aktivitet të rëndësishëm ndërkombëtar, kuptohet, duhet të lobohet pranë federatave respektive botërore. Fati i mirë është që Federata shqiptare me atë botërore kanë patur gjithmonë marrëdhënie shumë të mira, si për arsye të niveleve të larta që ne kemi treguar në aktivitete ndërkombëtare, ashtu edhe për marrëdhëniet personale mes drejtuesve të dy federatave. Aktualisht unë jam anëtar i një prej komisioneve kryesore të Federatës Botërore të Shahut, komisioni për kampionatet Botërore dhe Olimpiadat dhe kjo është një arsye më shumë, por edhe rëndësia e një projekti në të cilin Federata Botërore beson, pra nxitja e sportit të shahut në shkolla.

Le të kthehemi edhe një herë prapa në kohë. Në moshën 18-vjeçare more vlerësimin maksimal në botën e shahut, titullin e Mjeshtrit të Madh Ndërkombëtar. Çfarë pritnin njerëzit prej teje? Shikonin kampionin e ardhshëm të botës?

Realisht e humba këtë shans, sikurse e tregova më lart, pasi humba një ndeshje që ishte totalisht e fituar dhe kjo ndeshje ishte kundër lojtarit nga Ukraina që atë vit u shpall kampion bote për të rinj dhe dy vjet më pas kampion bote për të rritur. Për nivelin që kisha në atë kohë, në rast se do të vazhdoja të fokusohesha 100% tek shahu, padyshim që do të kisha ndeshje shumë të rëndësishme. Në atë kohë, llogaritej të isha ndër 20 shahistët më të mirë në botë, sot jam ndër 100 më të mirët.

Pse kjo rënie në nivel? Çfarë ka ndodhur?

Ishte një vendimmarrje imja që në moshën 18-vjeçare të filloja studimet dhe shkova në Universitetin e Padovas në Itali ku u diplomova si jurist. Edhe në kohën e studimeve nuk jam shkëputur, karriera vazhdoi të ishte në nivele shumë të larta, vazhdon të jetë edhe sot, por jo e fokusuar vetëm tek shahu. Ndoshta ka qenë vendim i gabuar, por konkluzionet do t’i bëj në një moshë më të avancuar. Është akoma herët.

Ju kërkojnë të luani shah njerëz të njohur apo të panjohur?

Çuditërisht nuk kam luajtur kurrë shah në mënyrë amatoreske. Kushdo që më ka kërkuar të bëjë një lojë shahu, e kam refuzuar. Jo me dashakeqësi, por sepse nuk luaj. E kam luajtur shahun vetëm seriozisht, në stërvitje ose gara zyrtare.

Çfarë përfitimesh financiare sjell sporti i shahut për një lojtar të nivelit botëror, sikurse është rasti yt?

Shahu, ashtu si shumë sporte të tjera, bën pjesë në atë kategori sportesh që nuk mund të konsiderohen si “të pasura”. Por, nga ana tjetër, në nivele të larta dhe shumë të larta, shpërblimet financiare bëhen gjithnjë e më të mëdha dhe mund të konsiderohen goxha fitimprurëse.

Në sportin e shahut është më e rëndësishme përgatitja teorike apo stërvitja?

Të dyja janë të rëndësishme.

Dikur ishte një sport i dashur për shqiptarët. Po sot?

Është ndër sportet më të bukura, aq sa sot në gjithë botën llogaritet që 1 në 5 persona e ushtrojnë, qoftë edhe si amatorë. Edhe në Shqipëri është një sport shumë i dashur. Për shumë arsye, por edhe për shkak të arritjeve të sportistëve tanë. Edhe për faktin se përgjithësisht shahistët shqiptarë kanë qenë edhe intelektualë të njohur e në fusha të ndryshme, të respektuar si në sallat e shahut, por edhe në ambiente josportive.

Vërtet ka patur një farë rrudhje nga mesi i viteve ’90, le të themi në vitet 1995-2005, ndoshta edhe për faktin që varfëria bënte që të kishte shumë më pak aktivitete dhe me fonde shumë të kufizuara. Por është një dashuri që po rikthehet. Të paktën në dhjetë vjetët e fundit, tendenca është e tillë. Ndihet edhe në interesimin e prindërve që fëmijët e tyre të afrohen në botën e shahut, sikurse i nxisin edhe për sporte të tjera apo drejt arteve. Kjo vëmendje e madhe është një element pozitiv që ne si federatë duhet ta shfrytëzojmë për ta bërë këtë sport sa më masiv. Kushtet janë të gjitha optimale, është vetëm çështje organizimi.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: