GJUETIA NDAJ INTELEKTUALËVE, SPORTI POPULLOR I NJË VENDI TË PALUMTUR- OPINION NGA SONILA MEÇO

GJUETIA NDAJ INTELEKTUALËVE, SPORTI POPULLOR I NJË VENDI TË PALUMTUR- OPINION NGA SONILA MEÇO
Nga SONILA MEÇO

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

“Një vend i palumtur, urren intelektualët e vet publikë”, - shkruante, pak kohë më parë, për “The Guardian”, Elif Şafak-u, një ndër romancieret më të njohura të Turqisë në botë, avokate për të drejtat e grave dhe lirisë së shprehjes, vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare. Sjellja e qeverisë për autoren e njohur, medias proqeveritare dhe një delli të rrjeteve sociale karshi intelektualëve, po prodhon vuajtjen e tyre prej përjashtimit, herë të kamufluar e herë të hapur, ndaj guximit për të menduar ndryshe, për të ofruar ide në interes publik. Megjithëse vende në përkufizim demokratike, për Şafak-un, sistemin nuk e jetëson si të tillë vetëm sigurimi i shumicës së votave në procesin zgjedhor. Përtej kësaj, demokracia është kulturë e gjithëpërfshirjes, hapjes, të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes për këdo, pavarësisht bindjeve. Por e zhvendosur për të jetuar në Britani, - ku ndjen një demokraci të fortë dhe respekt për lirinë e fjalës,  - kupton se, sërish, intelektualët publikë që mund të flasin për këtë privilegj, - aq më shumë për ata që nuk e gëzojnë me të njëjtën përmasë në vendet e tyre, - janë të paktë. Duke e kërkuar me ngulm përgjigjen, ajo e gjen edhe në fjalët e një akademiku britanik, që dikur i pat pohuar: “Për ne ngjan disi arrogante të vetëquhesh intelektual. Ta pohosh këtë publikisht, është dyfish arrogancë”.

Por ky është pohimi i një akademiku britanik, mbi shprehjen intelektuale në vendin e rekordeve demokratike. Çfarë do të mund të pohonte një akademik, nga një vend i kredhur në autoritarizëm, ku arroganca e pushtetit i emëron vetë intelektualët dhe media nënshtruar tij, ia promovon po me të njëjtën arrogancë publikut?

Le të qëndrojmë, edhe për pak, tek artikulli i bujshëm i autores turke, që hapi një debat të fortë në media. Për të, kjo epokë e pasigurisë dhe ankthit të gjithëpërhapur, ka prodhuar politikanë që udhëhiqen nga pasioni, duke luajtur e manipuluar, nëpërmjet propagandës, ndjenjat e njerëzve. Me tendencën në rritje të autokracisë, në shumë vende të botës, për të shpëtimi gjendet tek aktivizmi, intelektualët, - siç ndodhi në shekullin e 19-të, në Europën e dërrmuar nga nacionalizmi, racizmi, izolacionizmi.

Shqetësimi, më së pari, është për rolin e intelektualëve publikë, në kohën e populizmit të shfrenuar, sepse populizmi krijon mitet e veta, duke mëtuar se intelektualët janë një shtresë elitare e vetëizoluar, larg habitatit të “njerëzve të thjeshtë”. Ndaj, politika nuk ka nevojë për ta; ajo thjeshton gjuhën, i hedh karburant makinerisë së propagandës, duke e cilësuar përfshirjen e intelektualëve në debatet publike, si një shikim nga pozicione të privilegjuarish, që nuk mund ta kuptojnë jetën atje poshtë, - mes njerëzve që përpiqen të krijojnë një të ardhme, një mundësi. Në një kohë kur, vetë media sociale dhe politika, përmes propagandës, arrijnë të destabilizojnë vëmendjen e njerëzve nëpërmjet informacioneve të tepërta, të panevojshme, të manipuluara, për intelektualët ngjan mision i pamundur të gjejnë dritarezën nga ku mund të kumtojnë nevojën për pak më shumë vëmendje, në lidhje me çfarë realisht vlen.

Şafak i bën apel kësaj tendence të shfrenuar, për të etiketuar intelektualët arrogantë dhe të privilegjuar që nuk njohin realitetin. E për këtë, sjell në vëmendje një fenomen që aq bujshëm sfidon vëmendjen e publikut edhe në Shqipëri: për çdo çështje që trajtohet në media, një polarizim i tejskajshëm na imponohet me dhunë. Që nga debatet politike, sociale, ato kulturore e fetare, palë në qëndrime diametralisht të kundërta, kërleshen me njëra-tjetrën duke e bërë arsyetimin bardh a zi. E në këto debate, mungon intelektuali i vërtetë që sfidon qëndrimet në binarë ekstremisht opozitarë, që krijon ura komunikimi mes kulturave sado të ndryshme, që mbështetet në disiplina të studiuara dhe promovon një mënyrë më tolerante të menduari e shprehuri. Gjithnjë, nëse është intelektual i vërtetë, për t’i dhënë fund denigrimit shumëformësh nisur ndaj tyre. Duke i përjashtuar nga debati publik, duke i fyer, izoluar nën perceptime të ndërtuara enkas për t’ju dobësuar fuqinë e fjalës dhe argumentit.

Şafak shkruan për Turqinë e saj, Turqinë që njeh, por në rreshtat e saj mund të shkoqisësh edhe një realitet të ngjashëm shqiptar, hungarez e polak dhe, në një mënyrë a në një tjetër, të vërtetat nisin e marrin formë si një përpjekje tinëzare pushteti autoritar, për të nisur gjuetinë e shtrigave ndaj intelektualëve dhe mendimit intelektual.

Le ta shqiptarizojmë, duke e çuar më tej analizën e romancieres më popullore turke:

Të qenët intelektual nuk ka të bëjë me profesionin, aftësinë për t’u shprehur rrjedhshëm, me një lloj përkatësie elitare apo lehtësinë e përballjes në salla akademike. Të jesh intelektual do të thotë pjesëmarrje aktive në jetën praktike e publike. Në çdo profesion a shtresë shoqërore, gjenden intelektualët; çfarë i dallon është funksioni i tyre social. Ata drejtojnë, organizojnë, ndërtojnë, ndjekin qëllime dhe kauza të caktuara. Të jesh intelektual do të thotë të investohesh në një koncept të caktuar për botën, të ofrosh modele të reja mendimi.

Por një frymë që buron, më së pari, nga vetë politika, ndihmuar të shndërrohet në uragan nga rrjetet sociale, e gjen masën të gatshme të ngrihet kundra të gjithëve, ndërsa beson gjithçka thuhet. Megjithëse të vetëndjerë se po ndërtojnë debate të shëndetshme, gjen me vështirësi në këto turma argumente të ndërtuara nga informimi i saktë dhe qytetaria në shprehje. Të paarmatosur ndaj fakteve, të dhënave dhe arsyetimit, godasin këdo hyn në debat me këtë armaturë, duke e fyer, denigruar, përgojuar e intimiduar. Dhe kësisoj intelektuali, zëdhënësi i interesit publik, jo domosdoshmërisht ekspert, por njohës që di të flasë për çfarë konsulton nëpërmjet zërave të specialistëve, ndihet i sulmuar, i vetmuar, i denigruar, i pamundur për t’u dalluar në pluhurin ngritur enkas nga ata që nuk e duan zërin e tij.

Po kush janë ata që nuk i duan? Çfarë elitash kanë në dorë sot, politikëbërjen, median, debatin publik? Sa të interesuar janë për interesat e përbashkëta, për ato që na bashkojnë më shumë se na ndajnë?

Media tradicionale është tkurrur në  një rreshtim besnik linjash editoriale, që nuk i kanë lënë hapësirë intelektualit (në përkufizimin e vet më bazik), të bëhet pjesë e diskursit publik. Sepse ose nuk ftohet si i tillë, ose keqpërdoret në një skemë tashmë të konsoliduar manipulimi, për ta zhvendosur nga roli i përfaqësuesit të interesit publik në atë të njeriu që i rri kallëpit komercial të programit mediatik (të bëjë sa më shumë audiencë). Të flasë shumë shkurt, të ndërpritet brutalisht, të krijojë zhurmë, ndarje të fortë pozicionesh, të jetë skandaloz e polemik domosdoshmërisht.

Çfarë e përshkon me siguri të plotë debatin publik në Shqipëri, është mungesa e ideve. Debat pa aktorë të mirëfilltë, aktivistë e autoritete të gjithëpranuara, sepse të gjithë të sulmuar o nga politika, o nga propaganda, o nga marrëzia kolektive e turmave të ndërsyera në rrjet.

Mjaftoi një fjalim, së fundmi, në Kuvend i një deputeti fringo të ri e të pamësuar me të folmen publike, por edhe me sjelljen joetike të përfaqësuesve të popullit, për të kuptuar se shqetësimet e natyrës intelektuale, të interesit të përbashkët, si emigrimi i të miturve pa prindërit, zhdukja e Shqipërisë nga harta e investimeve të huaja dhe vendosja në epiqendrën e një tjetre, - asaj të kultivimit masiv të hashashit, - nuk arrijnë të kapërcejnë agresivitetin e njerëzve të ndarë në istikame. Njerëz të manipuluar rëndshëm, nga nevoja e pushtetit për propagandues, të farkëtuar në idolatrinë e interesit të ngushtë të një grupi njerëzish, - që zotërojnë përpos pasurive publike, edhe të drejtën për të klasifikuar të mirën e të keqen, të vërtetën e gënjeshtrën, të drejtën e të gabuarën. Shqetësimi intelektual u ekzekutua nga turmat në kuvend e rrjetet sociale.

Por mjafton edhe akti më i fundit i mbylljes së një programi intelektual, i një peshe të rëndë në media, si Adi Krasta, ku mendimi i lirë, - qëndisur prej dijes së akumuluar, formimit dhe përvojës,  - prodhonte debat përtej klisheve të medias së rreshtuar, blinduar nga propaganda dhe frymëmpakur prej komercializmit për të kuptuar se sa zët i ka intelektualët elita që kontrollon mendjen në këtë vend.

Janë dy rastet më të freskëta, sesi idetë nuk arrijnë të mbrojnë dot veten përballë agresivitetit dhe censurës. Janë dy rastet që dëshmojnë se, ky vend është i palumtur edhe sepse nuk dimë të duam mendimin intelektual, shqetësimin intelektual, aktin e intelektualit, që sado të vetëquhet i tillë, nëse nuk bëhet zëdhënës i interesit publik, është thjesht një folës me pagesë i kastës në kufjet vënë me përdhunë veshëve të shoqërisë.

Por ka edhe forma të tjera, më të sofistikuara, për ta bëre të urryer intelektualin syrit të publikut, për t’ia bjerrë autoritetin. Mjafton të ndjekësh kërleshjen e panevojshme, mes intelektualëve për çështje të autoritetit dhe dinjitetit personal, duke i kaluar tangent atij që sot është interes publik. E frymëzuar edhe nga një nevojë e medias për të bërë zhurmë me gjithçka, kjo retorikë që dëmton intelektualët vetë, duke i vendosur kundër njëri-tjetrit, më shumë ngjan një taktikë e shkëlqyer e politikës për të larguar vëmendjen nga problemet e saj, e zhvendos agresivitetin e publikut kah çështjeve që nuk i interesojnë drejtpërdrejt. Dhe këtë e bën kaq hapur e dukshëm, si për të thënë se unë kontrolloj sot, edhe mendimin intelektual, duke dobësuar autoritetin e atij që e kultivon.

Mandej, nuk mbeten jashtë analize edhe sulmet personale të pushtetit ndaj intelektualëve. Jo se ua ka frikën,  e di që i ka mposhtur në aftësinë e tyre për të patur akses sa më të gjerë publik. Por i sulmon, se nuk e duron dot kriticizmin, sado e vockël hapësira nga shfaqet, sado e parëndësishme, sepse e ka me parimin, kriticizmi është  forma e shprehur e demokracisë në veprim. E thjesht për këtë, duhet denigruar emri nga del.

Por ky nuk është kusur që duhet ta mbajë mbi shpinë, vetëm intelektuali, mëkat që i takon veç pushtetarit…në kusure e mëkate, është edhe vetë publiku. Që duhet të nisë e të kultivojë veten, duke mësuar të kërkojë informacionin në atë moment jete që i duhet. Të prodhojë ide e jetojë mes tyre, për të mos qenë turmë, trajtuar si turmë.  Për këtë do të duhej të shërbenin universitetet, akademitë, qendra kërkimore, programe mediatike të mbështetura, pavarësisht natyrës jo komerciale…, por, për këtë, do të më duhej t’ia nisja nga e para të gjithë arsyetimit. Pyesni veten, a jetoni të lumtur në këtë vend, e aty do të gjeni edhe arsyen pse e kemi zënë kaq keq me intelektualët. Do të duhej ky ushtrim për t’i dhënë të drejtë, ose jo Elif Şafak, kur pohon se “Një vend i palumtur urren intelektualët e vet publikë”.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: