Kadare: Me letrën për Enverin i shpëtova motrën nga burgu

Kadare: Me letrën për Enverin i shpëtova motrën nga burgu
Shkrimtari Ismail Kadare në një intervistë ekskluzive për emisionin “Studio e Hapur” të gazetares Eni Vasili në News 24, ka sqaruar me detaje letrën e botuar në shtyp, të cilën ia kishte dërguar Enver Hoxhës për motrën e tij. Shkrimtari thotë se në 40 vite ajo është e vetmja letër që i ka dërguar Enver Hoxhës.

Duke sqaruar se e ka shkruar letrën për të shpëtuar motrën, shkrimtari i njohur e cilëson turp botimin e saj dhe thotë se nuk e njeh personin që e ka nxjerrë.

“Ky njeri e ka nxjerrë këtë letër me mënyra të dënueshme, nga njerëz që kanë shkelur ligjet e shtetit njëherë. Shërbimi i fshehtë i një vendi diktatorial të përsosur në kuptimin më të keq të fjalës. Siç ua thashë në fillim unë nuk kisha të drejtë të mbaja kopje për veten time. Kjo ka dalë nga thelbi i sekreteve të diktaturës dhe unë nuk e di se ç’bën ky shtet që nuk e sqaron këtë. Kjo letër nga një pikëpamje është pa ndonjë kuptim të madh, se nuk tregon asgjë për mua. Përkundrazi, do të thosha, ndoshta nuk po e teproj, më bën nder. Kjo letër tregon se njëri nga familja ime hetohej ditë e natë nga sigurimi i shtetit.

Unë e shkruaj atje që është një gjë që ma tha shteti, që motra jote është në vëzhgim të vazhdueshëm. Mos ma merrni për mburrje, por në atë kohë unë isha shkrimtari më i njohur shqiptar brenda dhe jashtë vendit, dhe një familjar i imi përgjohej ditë e natë. Dhe i kam thënë se kjo ndikon në gjithë jetën time, në kontrollet në punën time të përditshme. Dhe duke kërkuar, nuk ngre ndonjë britmë në qiell që pse më bëhet kjo poshtërsi apo jo, por doja t’i thosha se ju duhet ta dini që me mua po me ndodh ky hetim. Edhe unë vetë duhet ta di pse bëhet kjo gjë. A më pengon kjo mua në jetën time apo jo”,- thotë shkrimtari.

Shpërndajeni me miqtë tuaj: