KANDARI I DINJITETIT TË AKADEMISË- OPINION NGA PLATOR NESTURI

KANDARI I DINJITETIT TË AKADEMISË- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Vetë mungesa e transparencës në këto vite, ku vetëm pas debatit të fundit mësohet se ka dy tre variante për reformimin e saj, e ku kjo nuk është bërë askund pjesë e debateve konstruktive në të mirë të institucionit, e vendos shumë larg vetë vlerën akademike. Shumë larg. Sa e bën të pakrahasueshëm me peshën e atij akademikut francez që mund të shkaktojë tërmet politik e ku çdo shtetar as që do të guxonte të ndërhynte në punët e institucionit. Por jemi në Shqipëri, dhe absurdi është i kudopranishëm. Dhe në Akademi.

KANDARI I DINJITETIT TË AKADEMISË

Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Do të ish paradoksale për çdo vend kur hapet një debat midis qeverisë dhe Akademisë së Shkencave. Të dyja janë pjesë të veçanta, me peshën e tyre dhe të rëndësishme në mbarëvajtjen e një shteti dhe të interesave kombëtare. Natyrisht në vende të ndryshme dhe pesha e tyre ndryshon.

Në varësi të kushteve specifike, traditës në kulturë dhe shkencë apo dhe raportit që kanë midis tyre politikani- akademiku e qytetari. Në mbivalencë ku shteti vendos gjithçka e politikani është i fuqishëm mbi çdo gjë, apo ku shkencëtari e akademiku ka një rrezatim më të dukshëm mbi shoqërinë e opinionin publik.

Në Francë apo Britaninë e Madhe, një deklaratë e kreut të Akademisë ku të të kritikonte qeverinë për aspekte të veçanta të politikës së saj, do të shkaktonte tërmet politik, deri në rrëzim të ministrave përkatës apo dhe vetë qeverisë. Tërmet mund të shkaktonte deri edhe Drejtori i Filarmonisë apo i i Galerisë së arteve. Po valenca e një akademiku është gjithmonë më e thellë dhe më alarmuese nëse shpalos tendenca që nuk i vlejnë si shkencës e komunitetit shkencor ashtu edhe shoqërisë.

Tani të shohim nga "bahçja" jonë. Dhe në që kemi patjetër qeveri që e kemi vënë në krye të vendit për të drejtuar, ashtu siç kemi dhe Akademi Shkencash, për të cilën, në këto vite, kujtohemi më së shumti se ekziston kur ka zgjedhje për kreun e ri të saj. Jo se nuk ka emra të nderuar brenda saj, as pse nuk i mundon tradita në arritje në të shkuarën, por se vërtet është bërë e pandjeshme. Dhe nëse është sërish në kreun e titujve mediatikë, pikërisht mbi zgjedhjet e saj dhe për debatin e krijuar mbi reformën brenda saj e ku është përfshirë dhe kryeministri Rama.

Gjithçka nisi me një letër të profesor Fugës ku i drejtohej kreut të qeverisë për domosdoshmerine e një transformimi rrënjësor të funksionimit të Akademisë. Vijoi më tej më një qëndrim të Profesor Paskal Milos që vijoi më tej në mënyrën se si po zhvilloheshin zgjedhjet e që kështu bllokon erën e ndryshimit për të cilën ka nevojë ky institucion.

Ndërsa nuk pati asnjë debat mbi qëndrimet e shprehura të dy prej emrave të njohur të letrave dhe të botës akademike, furtuna nisi ditën e zgjedhjeve për kreun e akademisë. Rokada ku z. Gudar Beqiraj nga nënkryetar bëhet kryetar i akademisë dhe z. Korkuti nga Kryetar zgjidhet si nënkryetar ish një imazh se asgjë nuk po ndryshonte. Përfshirja në debat e kryeministrit Rama që deklaroi stop farsës në Akademi dhe se nëse ky institucion nëse nuk reformohet atëherë fondet për shkencën do tia kalojë universiteteve, veçse e tensionoi dhe më tej situatën. Ish kryetari, z. Myzafer Korkuti u shpreh se Kryeministri nuk e njeh mirë situatën dhe kujtoi se Akademia është institucion i pavarur nga qeveria. Në vijim pati sqarime se ka disa variante për reformimin e Akademisë, me institute apo pa to brenda saj dhe se këto ide i mbeten ekipit të ri për ta formatuar. Gjithsesi kjo nuk e qetëson situatën, pasi dorashkat e sfidës janë hedhur. Nga njëra anë qeveria me fondet dhe Akademia me fyerjen e dinjitetit të saj.

Në çdo vend tjetër do të quhej absurditet. Asnjë qeveri nuk mund të guxonte të përdorë në mënyrë të hapur si kërcënim fondet për të ndikuar mbi Akademinë. Por dhe në asnjë vend tjetër nuk mund të gjendet një Akademi që ndonëse ka zëra nga të gjitha anët për ndryshim e reformë, të mbetet kaq e pandjeshme, dhe e qetë në kullën e vet, duke mos reflektuar në rritjen e efikasitetit të vlerave të vërteta shkencore.

Absurditet i dyanshëm. Pasi nëse do të ndihej që qeveria thjesht po ndërhyn për të shtuar ndikimin e vet në një akademi efektive e po u ul dinjitetin e punës burrave të mençur të këtij vendi, atëherë gjithkush do të rreshtohej në kah të akademisë dhe vlerave kulturore të kombit. Po kur kemi një akademi të pandijshme, që nuk ka nxitur qëndrime e probleme në të mirë të vendit e shoqërisë, kur shihet vegjetim asgjë që të frymëzon, atëherë kandari i dinjitetit bie.

Vetë mungesa e transparencës në këto vite, ku vetëm pas debatit të fundit mësohet se ka dy tre variante për reformimin e saj, e ku kjo nuk është bërë askund pjesë e debateve konstruktive në të mirë të institucionit, e vendos shumë larg vetë vlerën akademike. Shumë larg. Sa e bën të pakrahasueshëm me peshën e atij akademikut francez që mund të shkaktojë tërmet politik e ku çdo shtetar as që do të guxonte të ndërhynte në punët e institucionit. Por jemi në Shqipëri, dhe absurdi është i kudopranishëm. Dhe në Akademi.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: