"Nga njëri ekran në tjetrin", ka nisur gara mes moderatorëve sportive!

"Nga njëri ekran në tjetrin", ka nisur gara mes moderatorëve sportive!
Largimi i Marinës Vjollcës, ka ulur disi “konkurrencën”; Viola Spiro rikthehet te TVSH-ja, Eva Murati shihet më e privilegjuar nga interesi i Champions League, ndërsa Ilda Bejleri shfaqet më aktive në rrjetet sociale. Për paraqitjen e tyre ato janë bërë objekt i portaleve ndërkombëtare

Dikur ishte i njohur emisioni “Nga njëra ndeshje në tjetrën”. Nuk kishte tifoz futbolli që nuk e ndiqte emisionin e famshëm në Radio Tirana. Ndoshta ngaqë ishte i detyruar, sepse nuk kishte alternativë tjetër, ishte kohë tjetër. Tani dashamirësit e sportit dhe të futbollit kanë mundësi të ndjekin direkt, të gjitha ndeshjet e futbollit, në Shqipëri dhe kudo. E ndërsa kohët kanë ndryshuar, gara tani nuk zhvillohet vetëm në fushë, por edhe në ekran. Emisionet sportive në ekrane të ndryshme, që transmetojnë ndeshjet kryesore prej vitesh, drejtohen edhe nga vajza simpatike. Por cilat do ta dominojë ekranin këtë sezon?

Ilda Bejleri ndan gjithnjë me ndjekësit e saj në rrjetet sociale, foto që e përafrojnë më shumë me një modele. Moderatorja  e emisionit sportiv, “Zona Goal”, është e njohur në mjediset e kombëtares dhe më gjerë. Kur ka ndeshje kombëtare e ndërkombëtare shfaqet  në terren, duke intervistuar “live” protagonistët, ndryshe nga “rivalet” e saj. Ilda Bejleri, në postimet e shpeshta provokuese në rrjetet sociale, ka marrë edhe komente që i përmendin beqarinë. Gjithsesi, e fokusuar në karrierën sportive dhe të modës, vazhdon të jetë një ndër moderatoret më simpatike e të njohura sportive në vend.

“Partizani-Kukësi, Lazio-Napoli, Juventus-Torino, Skënderbeu-Partizani e të tjera aktivitete për të mos u humbur këtë javë,” – njoftoi Ilda Bejleri në profilin zyrtar Facebook, duke mbetur e fokusuar nga ndeshjet.

Marina Vjollca u bë e njohur, për disa vite, si moderatore e emisionit “Procesi Sportiv” në TCH. Por ajo i dha fund para sezonit të ri si karrierës sportive, ashtu edhe beqarisë.  Marina u martua me reperin e njohur, Getoar Selimi, më 10 shtator dhe do të nisë së shpejti një emision të ri muzikor, në një ekran tjetër. Nga moderatoret sportive më të njohura në vend, Marina është e vetmja që u martua, por vetëm pasi u largua nga bota e sportit. Në vend të Marina Vjollcës, në drejtimin e emisionit “Procesit Sportiv” krah Edi Manushit, janë shfaqur dy vajza të reja të cilat, këtë vit, synojnë të bëhen sa më të njohura për publikun.

Moderatorja Viola Spiro, u rishfaq papritur këtë fillim sezoni në TVSH. Ajo do të drejtojë emisionin sportiv para dhe pas ndeshjeve të Europa League, që transmetohet në Televizionin Publik. E njohur edhe si imazh i një kompanie komunikacioni në vend, Viola Spiro ndan shpesh me ndjekësit e saj foto tepër “të nxehta” nga pushimet. Ende beqare, sikurse edhe pa ndonjë lidhje të bërë publike kohët e fundit. Gjithsesi, Viola Spiro i ka lënë herë pas herë pa fjalë ndjekësit për foto tepër provokuese që ndan me ta, ndërkohë që bota e modës dhe shfaqjet e saj janë një tjetër anë e medaljes. Në një foto të fundit, ajo është shfaqur në plazh, në perëndim të diellit, duke tërhequr sërish vëmendjen.

Moderatorja e emisionit sportiv që transmeton ndeshjet e UEFA Champions League, Eva Murati, lakohet prej kohësh në media  për lidhjen e saj me Genarin, djalin e ish-drejtueses së Parlamentit, Jozefina Topalli. Ajo nuk e ka përgënjeshtruar asnjëherë një lidhje, edhe pse zyrtarisht nuk është e fejuar. Megjithatë, Eva pak kohë më parë, ka kërkuar të jetë vetvetja e t’i gëzohet thjesht sukseseve e emrit të saj. Si një prej vajzave më simpatike të ekranit, ajo shpesh ka tërhequr edhe vëmendjen e mediave të huaja. Gjithashtu është me fat nga rivalet e saj të ekranit, sepse drejton edhe ndeshjet e Champions, - kompeticioni më i ndjekur nga tifozët shqiptarë. Ajo u shfaq edhe si nuse në rrjetet sociale, por ishte duke reklamuar një kompani që organizon aktivitete të tilla.   /a.m/

loading...
loading...