OPOZITA NË KËRKIM- OPINION NGA PLATOR NESTURI

OPOZITA NË KËRKIM- OPINION NGA PLATOR NESTURI
Nga PLATOR NESTURI

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Votimi i parë në mandatin e ri parlamentar dhe çorientimi i parë politik, jo për ndonjë çështje të rëndësishme; jo për ndonjë ligj apo reformë për të cilën opozita ka opsione të tjera dhe që i konsideron shkelje iniciativat e shumicës. Por thjesht, për kreun e Kuvendit, në zgjedhjen e të cilit nuk ishte aspak e papritur dhe as kishte nevojë për ndonjë makinacion, për të arritur votat e duhura. PS-ja e ka numrin e nevojshëm, pa ndihmën e askujt, - qofshin në aleancë të fshehur apo si kalë Troje në opozitë, - të caktonte Gramoz Ruçin në poltronin e kryetarit të Kuvendit.

Gjithsesi, për të votuan 80 deputetë nga 74 që ka në dispozicion selia rozë. Nga një llogaritje e thjeshtë, nga lista e re e deputetëve të Bashës, ka nga ata që e pëlqejnë Ruçin të drejtojë punimet e Kuvendit. Deri këtu, nuk ka gjë të keqe. Vetëm kur kujton se aksioni i vetëm politik i PD-së, në muajt post zgjedhje, ishte përcaktimi i ish-kreut parlamentar të PS-së, si pjesë e nomenklaturë së vjetër e, kësisoj, i papranueshëm për këtë post, e shndërron gjithçka në qesharake. Qesharake si iniciativë, pasi vendosja e Ruçit apo jo aty ku u zgjodh, nuk do të ndryshonte asgjë në raportet më të mira apo më të ashpra midis opozitës dhe shumicës së re. Qesharake pasi edhe në këtë betejë me fantazmat e të shkuarës, ikën me bisht ndër shalë pasi i ke dhënë mbështetje votash. Pavarësisht kush i ka dhënë ato vota, një grup i tërë parlamentar shndërrohet në qesharak, çka vë në dyshim për më tej vetë seriozitetin e bërjes së opozitës.

Sot në kuvend, do të diskutohet programi i ri qeveritar i qeverisë Rama dhe do të votëbesohet. Nuk është ndonjë surprizë, pse do të miratohet e do të votohen ministrat e rinj. Shumica është e qetë në numrat që ka. Ajo çfarë do të përbënte interes, do të ishte performanca e opozitës gjatë paraqitjes së programit. Për më tepër që, tashmë, në opozitë janë dy forca politike që ende nuk dinë nëse do të jenë dhe në opozitë me njëra-tjetrën.

Ndërsa sheh se PD-ja është e zënë ende me debatin, kush dhe si i rrjedhin votat për diçka kaq pa rëndësi, vështirë të mendosh se opozitarizmi i saj është funksional. PD-ja duket se është ende duke kafshuar bishtin dhe kjo gjendje nuk dihet sa do të vijojë. Po ashtu, siç vetë LSI-ja në pozicionin e saj të ri, duke rënë në pakicë, do t’i duhet të përditësojë ingranazhet e opozitarizmit, që nuk i ka përdorur prej më se 8 vjetësh.

Deri më tani, gjatë gjithë muajve të nxehtë pas zgjedhjeve, ka qenë kryeministri Rama i cili, siç ka mbrojtur rezultatet e ekipit të tij për mandatin e parë, po ashtu ka lëshuar batare kritikash për çfarë nuk ka shkuar mbarë. Të paktën, në optikën e tij dhe në masën që e sheh apo e pranon. Gjithsesi, në mungesë të çdo nisme, akuze apo reflektimi nga ajo që tashmë është opozitë faktike, balancat janë çorientuar. Rama shfaqet dhe si kreu i shumicës dhe kryeopozitar njëkohësisht. S'ka askënd që e konkurron, në të dyja rastet. As në atë të opozitarit me të gjithë e me të vetët, pasi në shesh nuk ka zbritur ende ndonjë opozitar. Dhe qytetari dixhital është shumë pak për të mbushur një boshllëk të kësaj përmase.

Opozita mbetet në kërkim. Nuk besohet se do të gjendet as sot kur të votohet program i ri qeverisës. Pasi opozitën nuk e bën thjesht një votë kundër. Do të duhet kohë, sa t’i shohim konturet. Do të duhet kohë edhe sa të rriten fëmijët e të rinjtë që e përbëjnë. Deri më tani, janë thjesht deputetë liste e të mikluar nga fati i pëlqimit nga kryetari. Por jo kuaj apo kalorës beteje. Paçin fat në vijim...!

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: