POLITIKA VIRTUALE DHE SHTETI REAL!- OPINION NGA ALFRED PEZA

POLITIKA VIRTUALE DHE SHTETI REAL!- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Mjafton të shohësh edhe pa shumë vëmendje, zhvillimet politike të 24-orëve të kaluara, për të kuptuar se, Shqipëria politike ka nisur të udhëtojë qartazi mbi dy shina. Nga njëra anë, kemi shinën e politikës virtuale me daulle, tam-tame, sharje, debate, fyerje e kërcënime. Nga ana tjetër, shtetin real të protokolleve, rregullave, normave, rregulloreve dhe hapave kushtetues. Kemi fjalorin që duket se përdoret thjeshtë dhe vetëm për të ushqyer me lugë të zbrazët të ekstremizmit fals, barqet e uritura të militantëve dhe atyre që vazhdojnë ende ta shohin arenën politike, si dikur në Koloseun e Romës së Lashtë. Siç kemi, nga ana tjetër, fjalimet korrekte dhe hapat institucionalë, kushtetues e shtetërorë të krerëve të shtetit, qeverisë dhe shefave të opozitës e mazhorancës.

Për ta bërë më të prekshme për këdo, këtë tezë, mjafton të rendis, shpejt e shpejt, në mënyrë kronologjike, disa nga zhvillimet konkrete që e materializojnë atë.

Shembulli parë

- Situata përpara se të zgjidhej kryetari i ri i kuvendit - Nga selia e PD-së, më pas nëpër media, panele, banakë dhe debate televizive, mediat e reja online dhe rrjetet sociale, shpërtheu një furtunë e paparë "në gotë", duke pretenduar se uragani "Irma", do të ndalonte në moment në SHBA dhe do të kalonte fillimisht në Tiranë, më pas në gjithë Shqipërinë, nëse Gramoz Ruçi zgjidhej kryeparlamentar.

- Situata një sekondë pas procesit të votimit - Kryetari i sapozgjedhur i Parlamentit të Shqipërisë, shtrëngon dorën më liderin e opozitës, Lulzim Basha, - raportuan live mediat. Për herë të parë, seanca filloi e mbaroi në kohën e njoftuar, si kurrë më parë në historinë 27-vjeçare të pluralizmit dhe jashtë sallës, diku larg prej aty, edhe ai grusht njerëzish që u thirr për të protestuar, ishte shpërndarë, sepse e kuptuan, më në fund, se dikush ishte tallur dhe kishte luajtur me ndjenjat e tyre.

Shembulli dytë

- Situata përpara se të miratohej programi dhe përbërja e qeverisë së re, "Rama 2" - Po t’i rikthehesh arkivave më të freskëta, do të lexosh, shikosh e dëgjosh, se opozita jonë nuk ia bënte aq të lehtë jetën shumicës së re që në start, sepse kishte aq shumë për të thënë sa këtë radhë, meqë uragani "Irma" nuk erdhi, mund të vinte "Harvey", - që të lante edhe hesapet e saj.

- Çfarë ndodhi në realitet, deri dje në mëngjes në orën 07:00, kur u mbyll edhe seanca maratonë që kishte nisur 22 orë më parë? Sali Berisha që fliste e fliste sa herë të donte dhe aq gjatë sa të mos e mbanin më këmbët në foltore, këtë radhë, sapo Gramoz Ruçi i tregoi rregulloren, u ul si qengj i urtë i perëndisë. Lulzim Basha gati u lut në fund për një 10-minutësh pas Edi Ramës. Me 74 votat e Grupit Parlamentar të PS-së dhe 4 votat e aleatëve natyrorë të PDIU-së e PSD-së, të gjitha u miratuan.

Shembulli i tretë

- Situata përpara ceremonisë së betimit të qeverisë së re në presidencë - Sinjalet dhe zërat, kryesisht, me frymëzim nga opozita e LSI-së, por edhe nga ngatërrestarët medialë që nuk mungojnë asnjëherë në qytet, shpreheshin se diçka pritej të ndodhte. Ose më mirë, në formën e sirenave, kërkonin që diç të ndodhte nga presidenti, Ilir Meta, ose në godinën e kreut të shtetit, të kishte një sinjal që t’i gëzonte gjithë kundërshtarët e qeverisë së re.

- As njëra dhe as tjetra dhe kurrgjë tjetër nuk ndodhi. Si në shembullin e parë, në atë të dytë, edhe në shembullin e tretë, linja shtetërore dhe institucionale ka funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme, si në çdo shtet tjetër demokratik të botës së qytetëruar. Ilir Meta firmosi në afatin më të parë të mundshëm, dekretin që e ngarkonte Edi Ramën me krijimin e qeverisë së re. Ndërsa ceremonia e marrjes së detyrës dhe betimit të ministrave të rinj, ishte sipas rregullave dhe normeve që përcakton Kushtetuta e Republikës dhe Protokolli i Shtetit.

Përfundimi?

Shqipëria, me gjithë problemet dhe hallet e mëdha që ka ende për të zgjidhur, si çdo shtet tjetër i botës përballë nevojave gjithnjë e në rritje të qytetarëve të vet, ia ka dalë të jetë një demokraci funksionale. Një shtet normal ku pushtetet pavarësisht se kush dhe si i drejton, janë të harmonizuara që të performojnë me rregulla dhe norma, nëpërmjet qëndrimesh institucionale "politikisht korrekte". Ndoshta nuk është shumë, për një popull e klasë politike që kërkon të çojë vendin brenda oborrit të Europës së Bashkuar. Jo vetëm thjeshtë për anëtarësimin formal, por mbi të gjitha, për nga standardet, vlerat dhe normat që e shënjojnë jetën e saj. Por nëse kujtojmë se, vetëm gjatë këtyre orëve, u përkujtua edhe vrasja e liderit të dhjetorit Azem Hajdari, të mos harrojmë që pikërisht sot, është edhe përvjetori i tentativës së dështuar për grusht shteti, që e pasoi atë 48 orë më vonë.

Pa harruar këtu, edhe mjaft ngjarje të tjera përgjatë viteve të trazuara 1990-1992, 1996-1998 e deri vonë, kur shteti funksiononte si një orkestër e çakorduar, me dy e më shumë dirigjentë e violina të para. E ku urdhri politik i shefit dhe nevojat e ditës të partive politike të atyre që drejtonin qeverinë dhe shtetin, prevalonin mbi Kushtetutën, ligjet dhe nevojat afatgjata e jetike të vendit.

Sigurisht që ky evolucion, është meritë jo vetëm e qytetarëve që kanë ditur t’i japin mesazhet e duhura klasës politike me anë të votës së tyre, meritë e kohës, e pjekurisë demokratike dhe institucionale të vendit, por edhe meritë e vetë udhëheqësve tanë politike. Ka një përpjekje të vazhdueshme, sidomos pas 2013-s, për ta futur ligjërimin politik në Shqipëri, në shina më profesionale. Nëpërmjet fjalimeve të përgatitura më herët, duke lënë gjithnjë e më shumë mënjanë improvizimin momental, nëpërmjet një gjuhe më racionale, toneve më të ulëta e më pak provokuese dhe nëpërmjet mesazheve më gjithëpërfshirëse, përtej ndarjeve dhe gardheve partiake.

Sigurisht që ky shkrim, nuk është predikim e aq më pak, tekst ninullash, për të vënë në gjumë ndokënd. Përkundrazi, është një qasje për të vizatuar një trend të ri e pozitiv, të asaj trajektore pozitive nëpër të cilët po kalon dhe duhet të vazhdojë të kalojë jeta e vendit. Kjo nuk do të thotë se jam kundër debateve të forta, apo përplasjeve të palëve politike, për çështje me interes madhor për qytetarin, politikën, demokracinë dhe institucionet kushtetuese të vendit. Përkundrazi. Duhet të ishim të shqetësuar, pikërisht nëse një gjë e tillë ndodh.

Ajo që po mundohem të them, është se kushdo duhet të ketë mundësinë të shohë realitetin politik shqiptar, përtej mjegullës dhe zhurmave që bëhen për ca klikime më shumë, e për ca minuta me tepër nga ana e protagonistëve të tyre. Ndaj, nuk keni pse habiteni kur i shihni udhëheqësit dhe të zgjedhurit tuaj, duke pirë kafe apo duke drekuar së bashku. E aq më pak, kur të mësoni se ata komunikojnë me njëri-tjetrin, po aq normalisht, sa edhe politika jonë shtetërore funksionoi në 24 orët e kaluara.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: