Pulla e barnave, Vasili: Grabitje që nuk është parë gjëkundi, tërhiqu kryeministër

Pulla e barnave, Vasili: Grabitje që nuk është parë gjëkundi, tërhiqu kryeministër
Ish-Ministri i Shëndetësisë dhe kreu i grupit parlamentar të LSI ka folur rreth miratimit të koncesionit për pullën e barnave. Pëmes një statusi në profilin e tij në Facebook Vasili deklaron se kjo pullë e cila tashmë kushton 6 lekë, do të rritet me dhjetra mijëra herë pasi qeveria do të miratojë një koncesion.

Vasili i bën thirrje Ramës të tërhiqet nga ky koncesion pasi është një grabitje sipas deputetit të LSI-së.

“Tërhiqu kryeministër nga taksa e shëndetit.

Në programin e punimeve të Kuvendit është futur përsëri nga qeveria miratimi i koncesionit të pullës së barnave.

Pulla aktualisht kushton vetëm 6 lekë të vjetra.

Me koncesionin, që do të miratojë qeveria, pulla do të kushtojë nga dhjetra deri mijëra herë më shtrenjtë. Thënë më thjeshtë: nga 6 lekë të vjetra mund të arrijë edhe deri në 31 mijë lekë të vjetra, pra rritje rreth 5 mijë herë.

Kjo, pasi pulla e barnave tash e tutje do kushtojë sa 2.4% të çmimit të shitjes me pakicë. Grabitje kjo që nuk është parë gjëkund.

Kjo është taksa direkte më abuzive mbi shëndetin, që do paguajnë qytetarët.

Shëndetësi falas nuk pati jo e jo, por për më zi akoma, po shtojnë dhe taksa të rënda si kjo e pullës, që i bën shqiptarët të paguajnë akoma më shumë për barnat.

Kryeministri nga ligji i dekoratave edhe tërhiqet, por kur vjen puna te ligjet, që u hanë lekët dhe i varfërojnë qytetarët dhe pasurojnë të tjerët me koncesione, ai nuk tërhiqet kurrë.

Tërhiqu kryeministër, kurseja vetes të paktën këtë gjynah, që lidhet me shëndetin”, shkruan Vasili. /f.ç/

Foto: Google

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: