SECILIT "TELEVIZIONIN" E VET- OPINION NGA ALFRED PEZA

SECILIT "TELEVIZIONIN" E VET- OPINION NGA ALFRED PEZA
Nga ALFRED PEZA

Ky artikull është shkruar posaçërisht për gazetën “Albanian Free Press”

Debati i djeshëm, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, - nëse do të merremi me thelbin real të problemit, - e tejkalon shumëfish çështjen, thjeshtë dhe vetëm të shpërndarjes së sinjalit të prodhuar nga RTSH-ja në seancat plenare, për transmetimin ndërkohë edhe nga televizionet private. Më shumë sesa një debat i thjeshtë, për një raport mes operatorëve të interesuar, kemi të bëjmë me një luftë të pastër kulturash. Një luftë që vendos përballë kulturën komuniste të marrëdhënieve në treg, me atë të një ekonomie liberale, ku edhe transmetuesi publik vazhdon të jetë në ekskluzivitetin e një epoke ekskluzive, por edhe operatorët kërkojnë të bëjnë biznes privat, me ndihmën e një prone të përbashkët publike.

Ky rast mund të shërbejë, fare mirë, edhe si një mundësi për hapjen e një debati të madh kombëtar, për t’i dhënë fund, njëherë e mirë, mentaliteteve tranzitive edhe në shumë fusha të tjera. Një debat për mbeturinat e kulturës otomane e neotomane, komuniste dhe neokomuniste, në një vend të lirë e të hapur, por me një shoqëri në marrëdhënie ende të mbyllura. Një luftë civilizimesh dhe kulturash, e cila po prodhon që nga viktimat e dhunës në familje, e deri tek raporti i deformuar i individit me lirinë, me kapitalizmin, shtetin, qeverinë, jetën sociale në komunitet, e deri tek dhuna verbale e rrjeteve sociale.

Le të fokusohemi këtu, tek ajo se çfarë ndodhi konkretisht dje, në fillim të seancës plenare të Parlamentit, kur televizionet private ndërprenë transmetimet live, sepse është një rast që ka lindur shumë më herët se dje. Në katër vitet e shkuara, me cilësinë e nënkryetarit  të Komisionit Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, jam ballafaquar më se një herë me këtë çështje. Në mos gaboj, shkëndija e parë u dha sapo në krye të Radiotelevizionit Publik Shqiptar, u zgjodh z. Thoma Gëllçi.

Rregulli i transmetimit live të seancave plenare, lindi pas 1990, me fillimin e punës dhe debateve të Kuvendit të parë pluralist. Në atë kohë, kishte vetëm një televizion shtetëror që tani është publik, Radiotelevizioni Shqiptar. Ky rregull mbeti i pandryshuar edhe pas vitit 1997, kur nisi epoka e radiotelevizioneve private. Kërkesa për transmetimin live të seancave të Parlamentit, vjen kryesisht nga televizionet informative me titra, të cilët, për të mbushur programin e së enjtes pa u lodhur, i bien shkurt dhe e transmetojnë seancën edhe atëherë kur fjalimet në sallë nuk kanë pikën e interesit për qytetarët. Për të shmangur një rrëmujë të panevojshme që do të krijonte prania e kamerave të të gjitha televizioneve, zgjidhja praktike është gjetur ndër vite, duke i dhënë operatorëve privatë, sinjalin e prodhuar nga autobusi i RTSH-së.

Sipas z. Gëllçi, transmetimi nga operatorët privatë pa pagesë, duhet të bëhet duke shfaqur në ekranet e tyre, krahas logos së vet, edhe logon e RTSH-së. Kushdo tjetër që kërkon ta transmetojë live dhe pa logon e RTSH-së në ekran, mund ta bëjë atë me kushtin që të paguaj, si një mundësi për RTSH-në, që të përpjesëtojë faturën financiare të këtij operacioni. Të mësuar, gjatë këtyre viteve në vijim, për ta marrë sinjalin pa logo dhe pa pagesë, televizionet private kanë bërë rezistencë. Me fillimin e sezonit të ri parlamentar dhe atij televiziv, drejtuesit e RTSH-së, me sa duket, kanë kërkuar të tentojnë edhe njëherë për të vendosur rregullin e tyre.

Siç ndodh gjithmonë në Shqipëri, me mediat dhe politikën, çështjet e ekonomisë së tregut, nga ato tekniket e deri tek mosmarrëveshjet profesionale dhe gjithfarë problemesh të tjera, nxitohet të fshihen prapa maskës së lirisë së medias; pas të drejtës për informim; pas parimeve të së drejtës universale dhe kushtetuese të lirisë së fjalës.

Ajo që nxiton më shumë për të përfituar nga momentet si ky, përveç vetë protagonistëve, - duke i patur madje të gatshme edhe argumentet si për çdo rast të ngjashëm me këtë, - është opozita. PD-ja dhe LSI-ja pa u menduar dy herë, vrapuan dje të vinin alarmin për atë që ata e cilësuan si terr informativ, si diktaturë të qeverisë mbi gardianët e fjalës së lirë, si urdhra nga Kryeministri me synime të errëta, për qasje okulte dhe rikthim në të shkuarën.

Atëherë, kur u duk se gjithçka mund të agravonte, si në kohët jo edhe aq të largëta të errësirës demokratike të lirisë së shtypit, fjalën e mori Kryeministri Rama. Ai tha se "është koha që mënyra e funksionimit të shërbimit të parlamentit për dhënien e hapësirës televizive, në raport me punimet e tij, të ndryshojë. Deri më sot, jemi në kushtet e një shërbimi komunist në kushtet e demokracisë. RTSH-ja nuk mund të ketë asnjë ekskluzivitet mbi hapësirën e jetës parlamentare. Si në çdo vend tjetër normal, Kuvendi duhet të ketë TV e vet, shërbimin e vet, për të gjithë ata që janë të interesuar për ta marrë këtë shërbim". Kaq!

Sqarimi i kësaj situate dhe zgjidhja e ofruar, i dha fund, si me magji, një konflikti disavjeçar. Duke kursyer pas kësaj, jo vetëm energjitë e një luftë të paqenë me mullinjtë e erës, por edhe të energjive njerëzore dhe shpenzimeve teknike të operatorëve privatë të Tiranës. Imagjinoni sot, në epokën dixhitale, që, çdo të enjte, 25 kamera, 25 makina, 25 kameramanë, 25 gazetarë të rrinë gjithë ditën e lume, pranë sallës së Kuvendit të Shqipërisë. Sa shumë kohë, njerëz, para dhe mjete teknike do të kursehen, vetëm me anë të një investimi të thjeshtë dhe krejt minimal, që do t’i shpërbejë të gjitha televizioneve.

E njëjta zgjidhje duhet bërë edhe për institucione të tjera kryesore të shtetit, duke filluar nga Presidenca, Kryeministria, Kryesia e Kuvendit dhe ministritë, të cilët nuk kanë nevojë fare madje të investojnë për të blerë regji televizive, për të prodhuar dhe shpërndarë sinjalin për konferencat e shtypit apo për komunikimet standarde. Do të mjaftonte edhe një aparaturë e thjeshtë e cila i përcjell pamjet me anë të fibrave optike ose direkt "via internet", për të kursyer të tjera energji dhe burime njerëzore e teknike.

Kjo qasje e re në Shqipëri, e tejkaluar me kohë në shumë vende të tjera, nuk ka lidhje fare me merakun për t’i kursyer pronarëve të televizioneve private të Tiranës, disa pará më tepër. Jo. Aspak. Kjo përpjekje për ta modernizuar këtë marrëdhënie, ka lidhje me një detyrim tjetër. Detyrimin kushtetues të së drejtës për informim, i cili është kryesori, sigurisht. Por këtu ka edhe një temë tjetër diskutimi.

Televizionet, pavarësisht se janë në pronësi private, frekuencat që ato shfrytëzojnë për të emetuar produktin e tyre mediatik tek qytetarët, janë pronë publike. Për rrjedhojë, ata kanë një përgjegjësi tjetër. Një përgjegjësi specifike, ndryshe nga të gjitha llojet e tjera të bizneseve private. Pronarët e televizioneve kanë përgjegjësinë për të përmbushur, me këtë rast, jo vetëm interesin e tyre për fitime dhe influencë, por edhe për interesin e gjerë publik. Për ta informuar dhe argëtuar atë, jo vetëm me shpejtësi, por edhe me cilësi, profesionalizëm, me anë të një gamë sa më të gjerë prodhimesh mediatike.

Për shkak edhe të një “torte” të limituar reklamash që ka Shqipëria, në raport me nevojën e këtij lloj tregu për të funksionar normalisht, modernizimi i transmetimeve si ai i sinjalit televiz të prodhuar nga aktivitetet e Kuvendit të Shqipërisë, do t’i ndihmonte, sadopak, ekonomikisht. Duke i dhënë mundësinë burimeve njerëzore e teknike, të përdoreshin në mënyrë më efikase prej tyre, diku tjetër. Kjo zgjidhje do të ndihmonte edhe në qetësimin e marrëdhënieve të brendshme mes operatorëve mediatikë, duke e çliruar nga një histori e vjetër marrëdhëniesh të tejkaluara.

Çmontimi i një hallke të ndryshkur e të vjetruar raportesh institucionale në treg, si ajo që u konsumua dhe iu dha zgjidhje dje nga Kryeministri në sallën e Parlamentit, është shembulli se si duhet vepruar edhe me shumë hallka, çështje, probleme, ngërçe dhe mbetje të tjera. Ajo ishte vetëm një ferrë nga moçali i vjetër i marrëdhënieve, që duhet pastruar, tharë dhe eliminuar me durim, por me vendosmëri, për t’i hapur vendin një historie të re marrëdhëniesh në të ardhmen. Vetëm duke prerë një e nga një e duke lënë pas fijet e së shkuarës, do të kemi mundësi të ecim më shpejt e me vendosmëri përpara, drejt një të ardhmeje tjetër, që është e mbushur sigurisht, edhe me sfida të reja.

Ndalohet rreptësisht ripublikimi i këtij shkrimi pa një leje të shkruar nga redaksia e Albanian Free Press

Shënim: Qëndrimet e shprehura në shkrimet e rubrikës Opinion, nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht një vijë editoriale të Albanian Free Press

Shpërndajeni me miqtë tuaj: