Ta kisha thënë, por s’më dëgjove

Ta kisha thënë, por s’më dëgjove
 

Nga Juela Meçani

Është e natyrshme, spontane, e bukur, por shpesh joproduktive. Në mënyrë frekuente, që në vogëli, më pas në adoleshencë dhe, akoma më tej, në rini, është e shpeshtë të ketë konfidenca mes fëmijëve dhe prindit, për marrëdhëniet ndërpersonale, lidhjet, dashuritë, peripecitë me to, vuajtjet.

Nga dëshira e madhe për të zhbiriluar në jetën e fëmijës, në nisje të këtij lloj rrëfimi, jemi gjithë sy e veshë për të mësuar çfarë ndodh në padijeninë tonë. Na pëlqen aq shumë ky intimitet me fëmijën, saqë veshim lëkurën e shokut ose shoqes, bëhemi dëgjues të qetë, japim disa këshilla, por jo shumë, shprehim madje miratim me shumë zemërgjerësi.

Por, pavarësisht kësaj, e vazhdojmë procesin e përpunimit të informacionit në vetmi, e bluajmë në kokë me ditë të tëra. Ajo që kur na tregohet ne e përthithim me bujari, pas disa ditësh, kthehet në makth, merr vend gjykimi, paragjykimi, frika se mos lëndohet biri ose bija, nevoja për të vendosur e për të dhënë gjykimin prindëror. Duam apo s’duam, harrojmë rolin e “mikes” apo “mikut” dhe kthehemi në diktues të asaj që është më mirë të bëhet, se ne e dimë më mirë, se ne e kemi pësuar e biri apo bija duhet të zërë mend, nga gabimet tona. Ishim aq të mirë, bujarë në fillim kur mësuam të vërtetën; pas ripërtypjes së informacionit, kthehemi në predikues të rëndomtë, më të këqij se shoqja smirëzezë apo shoku idhnak që janë në klasë, e mjaftojnë për të prishur ditët e fëmijës apo të riut.

“Ta kisha thënë, por s’më dëgjove!” - e lëshojmë frazën tipike, atë të tmerrshmen, torturuesen, atë frazë të shëmtuar, që hap ngadalë një hendek të madh mes nesh dhe fëmijës tonë, që në fakt na fali besim.

Po, po. Fëmija i cilësdo moshë, vajzat veçanërisht, falin shumë besim kur ulen në divan e rrëfehen tek nëna, mbi djalin që i lëndon zemrën. E, në mënyrë të përpiktë, ky besim u thyhet kur, me të parin gabim ose “thyerje disipline”, u përplaset në fytyrë fakti se rrëfimi do t’i tregohet babait, nëse nuk bindet. Ose, në mënyrë të përpiktë, adoleshentet e kanë të “palejueshme” të gabojnë e të rriten në pavarësi shpirtërore, sepse nga të diturit prindër, u kujtohet si një torturë ciklike, se po të kishin dëgjuar atë që thoshin prindërit, nuk do të kishin gabuar.

Sa mirë do të qe një proces në invers, sa mirë do të qe një kryengritje e vogël, një rrëfim prindëror tek fëmijët, mbi qindra budallallëqe që, të diturit prindër bëjnë çdo ditë. E të vinte një kohë, kur rrëfyesi prind të dëgjonte fjalën: “Ta kisha thënë, por s’më dëgjove!”.

Do të kishte, me siguri, shumë më pak drama jete, më pak martesa, vetëm e vetëm, për të kënaqur egon prindërore, më pak largime shpirtërore nga familja e origjinës, më pak rebelizëm rruge nga djemtë me nëna despotike që mendojnë se kanë lindur me dhuntinë e plotfuqisë mbi ta. Nëse ke thyer besimin e fëmijës tënd, duke mos e pranuar siç është, një gjë është e sigurt: Ke ndërtuar familjen edhe vetë, si një kështjellë rëre, bazuar në “kërcënim emocional”, larg mendimit e shpirtit të lirë, brenda burgut të betonit që mendimi i të tjerëve, ka ngritur enkas për ty.

 

 

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: