“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Saimir Tahiri i shkruan ministres Kumbaro: Ruhu nga "Like Floriri"!

“ANTENA JASHTË FAMILJES”, Saimir Tahiri i shkruan ministres Kumbaro: Ruhu nga "Like Floriri"!
Satirë

  1. Shoku Saimir Tahiri i shkruan ministres Kumbaro: Ruhu nga "Like Floriri"!

Antena Jashtë Familjes" sjell këtë të martë, letrën e shokut Saimir Tahiri, kreut të PS-së për Tiranën dhe ish-ministër i Brendshëm. Letra që ka mundur të kapë antena jonë, i është drejtuar ministrit të Kulturës, shoqes Mirela Kumbaro. Në këtë letër shprehet shqetësimi qytetar, por edhe partiako-socialist, për një gjë me rëndësi të madhe për vendin, siç është trashëgimia kulturore. Letra është dërguar me fill, - pra, në formë kabllogrami, - fill pas vizitës që shoqja Mirela, kreu në Berat, në "Ditën e Trashëgimisë Kulturore Botërore". Në nder të tejdukshmërisë që na dallon si rubrikë, po e japim këtë letër, ashtu siç ia ka dërguar shoku Saimir.

E nderuar Mirela!

Para dy, apo tre katër ditësh, të pashë që ishe për vizitë në Berat. Nuk jam shumë i saktë për ditën se kur ishe se, siç e kupton edhe ti vetë, kam ca kohë që më bëhen ditët lëmsh. Le që nuk besoj se më kupton, se ty nuk të hoqën nga kolltuku. Më "ka mbetur dita dhe ora", në momentin kur më hoqi Shefi, nga vendi i Ministrit. Pashë që në atë takim, ishte edhe ai i poshtri, Ilir Meta, që mos e bëftë pikën e hajrit, se ai më mori në qafë mua!

U gëzova pa kufi kur vura re që, ti rrije përherë pas tij. Kështu duhet të rrish! Jo se duhet të kemi respekt për të, por duke i qëndruar nga pas, do kesh mundësi ta ruash. Është hajdut i madh! Kushedi sa informata më vinin nga agjentët e mi të hedhur në terren, lidhur me atë person. Ja jepja edhe Shef Edit këto të dhëna, por ai nuk e çante shumë kokën atëherë. Derisa më hëngri kokën mua. Qëndroji nga pas, se Iliri "të përvëlon"! Ka dorë. Nuk lë gjë pa vjedhur e sidomos flori. Kot nuk i thonë, "Like Floriri".

Ti e di që në Berat, ka dy objekte me rëndësi shumë të madhe për Shqipërinë, siç janë "Kodikët e Beratit". Kujdes, se do t’i vjedhë! Ato që nuk i vodhën as bizantinët, as osmanët, as edhe ai "Thimio pe Korçe" që e plasëm kot brenda në burg, se mblidhte rraqe të vjetra, tani kërkon që t'i vjedhë "Like Floriri".

Jam i bindur për këtë që të them. Jo më kot, ai hajdut ka zgjedhur për të vizituar Beratin, e jo le të themi, Tepelenën, ku nuk ka gjë për të vjedhur, veç ndonjë guri në kala.

Ti e di gjithashtu që, në Berat është "Kodiku i Artë". E ke parasysh besoj që, është një libër i shkruar me gërma floriri. Like Floriri, si duket, i ka vënë synë këtij libri. Ai po dëgjoi fjalën flori, bën namin. Do i ketë thënë ndonjë këshilltar i tij që, ai libër është shkruar me flori, e ndaj ka ardhur me ty në Berat. E njoh mirë unë atë. Ku pyet ai për trashëgiminë e popullit tonë, përpara interesit personal. Unë të këshilloj të kërkosh fonde te Shef Edi, që të bësh të mundur të ruash atë libër. Ndryshe "do ta rruaj" Like Floriri. Po ta vodhi, do të të largojë nga detyra Shefi, ndaj bëji sytë katër! Mund ta vendosësh atë libër p.sh., në një kuti metalike, e vetë kutinë ta lidhësh me një tel ku kalon rrymë elektrike, që kur të shkojë Likja (apo ndonjë njeri i futur prej tij), ta zërë korrenti, e ta lërë top në vend!

Për atë librin tjetër, "Kodikun e Purpurt", mos u shqetëso! Siç e di edhe ti vetë, që besoj e di, ai libër është shkruar me shkronja dhe në material të argjendtë përgjithësisht. Likja nuk e përfill fare këtë metal. Ai fiksimin e ka te floriri. Atij librit të purpurtë, apo siç i thonë në shqip, në ngjyrë mavi, ai nuk do t'i afrohet fare. "Jam i bindur për këtë që të thom', o dermën"! - më tha një ditë një informatori im nga Tepelena, kur isha ministër i Brendshëm.

Nuk i afrohet ngjyrës mavi Likja, se e ka alergji, - meqë është ngjyra e Rilindjes, - kështu që mos u shqetëso për ruajtjen e atij libri!

Po e mbyll letrën, duke të uruar suksese, e të këshilloj të kesh kujdes! Ruaj "Kodikun e Florinjtë", nga Like Floriri!

I juaji (d.m.th. pjesë juaja e Qeverisë, megjithëse nuk jam në Qeveri)!

Saimiri

Rubrika e përditshme satirike e “Albanian Free Press”, “Antena Jashtë Familjes”, përgatitet nga Helidon Tahiraj

Shpërndajeni me miqtë tuaj: