Banka Botërore: Investitorët e huaj, jo më me “vrull” drejt Shqipërisë

Banka Botërore: Investitorët e huaj, jo më me “vrull” drejt Shqipërisë
Investitorët e huaj, duket se nuk do të nisen më me “vrull” si dikur drejt Shqipërisë për të hedhur paratë e tyre. Të paktën ky është parashikimi i Bankës Botërore, sipas së cilës, investimet e huaja në vendin tonë do të njohin një rënie të tyre gjatë vitit të ardhshëm. Dukuri kjo, e cila lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me përfundimin e dy projekteve madhore strategjike në vendin tonë, siç është gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP) apo kaskadës së hidrocentralit të Devollit. Konkretisht, referuar raportit më të fundit të institucionit të njohur ndërkombëtar financiar mbi zhvillimet ekonomike në Europë dhe Azi, fluksi i investimeve të huaja në Shqipëri gjatë vitit të ardhshëm do të arrijë deri në nivelin prej 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Nivel më i ulët ky, krahasuar me atë prej 8.3% që ato kanë figuruar të jenë gjatë këtij viti. Madje, ekspertët e Bankës Botërore shkojnë edhe më larg, duke parashikuar një rënie edhe më të lartë akoma, për vitin 2019, kur sipas tyre investimet e huaja direkte do të bien në nivelin prej 5.6% të gjithë ekonomisë vendase. Një vlerë mjaft e ulët kjo, po ta krahasojmë me atë në nivelet prej 8%-9% që ajo është vërtitur gjatë viteve të fundit. Dhe duke treguar në këtë mënyrë se Shqipëria po paraqitet një vend gjithmonë e më i vështirë për t’u pranuar nga sipërmarrësit e huaj që të kryejnë investime të huaja direkte në territorin e saj. Në këtë kuadër, Banka Botërore sugjeron që ajo duhet me çdo kusht të eliminojë faktorët dekurajues dhe barrierat për punësimin formal, për të mundësuar sipas saj ritme më të shpejta të rritjes ekonomike, krijimin e vendeve të reja të punës dhe reduktimin e varfërisë. “Përmirësimi i klimës së biznesit dhe qeverisjes për të mundësuar kompanitë që të krijojnë më shumë vende pune, të zgjerohen dhe të rrisin produktivitetin është një rekomandim tjetër”, cilëson Banka Botërore.

Stabiliteti politik, faktori që bind 50% të sipërmarrësve

Stabiliteti politik si i tillë paraqitet sipas ekspertëve të Bankës Botërore si një faktor mjaft i rëndësishëm për t’i bindur sipërmarrësit e huaj që të vijnë dhe të investojnë në një vend të caktuar. Në nivele konkrete, atij i lihet gjysma e rolit që luajnë të gjithë faktorët e tjerë në tërësinë e tyre për ta realizuar një gjë të tillë. Për t’i lënë rolin e dytë, situatës së legjislacionit që zotëron një vend i caktuar, përkatësisht me nivelin prej 40% të rolit bindës tek një investitor i caktuar. Pasuar më tej nga stabiliteti makroekonomik, i cili renditet me një nivel prej 34% të këtij treguesi. Për të lënë në një vend më pak të rëndësishëm faktorë të tjerë të tillë si taksat e ulëta apo edhe kostoja e ulët e krahut të punës, të cilat zotërojnë respektivisht nivelet prej 18% dhe 19% të bindjes që një investitor i huaj krijon për një vend të caktuar, para se të marrë vendimin final për të financuar atje.

Qeveria, apel sipërmarrësve: Ejani investoni tek ne, ia vlen

 Sipërmarrësit e huaj nuk duhet që t’ua vënë veshin lajmeve të këqija që qarkullojnë rreth Shqipërisë, por të vijnë dhe të investojnë në territorin e saj, pasi ia vlen. Një apel të tillë, përfaqësues të qeverisë shqiptare e kanë dhënë  publikisht ndaj kësaj kategorie. “Ju siguroj se kush investon sot në Shqipëri nuk do pendohet nesër dhe kush nguron sot, nesër do thotë si ka mundësi që ma morën radhën ca të tjerë përpara. Ky është momenti për t’i dhënë vetes shtytjen për të investuar në Shqipëri. Sepse ky është një vend që kthen shumë më tepër sesa jep, kur ti di të japësh aty ku duhet dhe ashtu si duhet”, ka thënë nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama. Për të shtuar më tej se investitorët e huaj nuk duhet që të dëgjojnë as ambasadorët, por as edhe vetë mediat për të krijuar një ide të tyren mbi Shqipërinë, se a ia vlen të hedhësh këtu paratë.

Bushati: Le të tërheqim investime të huaja edhe përmes diplomacisë

Shqipëria duhet të përpiqet që të tërheqë investime të huaja edhe përmes diplomacisë. Një mesazh të tillë e ka dhënë dje vetë ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, teksa ka deklaruar se pala shqiptare po punon për një diplomaci efikase ekonomike. “Kjo është arsyeja që ne po punojmë që përfaqësitë tona diplomatike të transformohen edhe si pika kontakti për zhvillimin ekonomik , jo vetëm në kuadër të tërheqjes së investimeve të huaja , por edhe në kuadër të promovimit të eksporteve shqiptare, pra vitrina të markës “Made in Albania”, si dhe i promovuese të Shqipërisë turistike dhe kulturore, ashtu siç edhe tregoi kjo verë elektorale ka imazhin që po ndryshon shumë shpejt”, theksoi kryediplomati shqiptar.

Gjiknuri: TAP e Devolli do sjellin një zinxhir investimesh të mëdha

Gazsjellësi Trans-Adriatik (TAP), por edhe hidrocentrali i Devollit do të sjellin pas tyre në Shqipëri edhe një zinxhir investimesh të tjera direkte. Këtë e ka pohuar vetë kreu i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, sipas të cilit, Kalivaçi dhe Poçemi janë dy investimet e rëndësishme në sektorin energjitik, me vlerë 220 milionë euro, krahas atyre në infrastrukturën rrugore apo industrinë e përpunimit të kromit. Në këtë kuadër, ai i ftoi investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri, pasi tha ai, në kuadrin e gjithë politikave qeveritare, prioritet mbartin investimet e huaja në Shqipëri.  Për të detajuar se pikërisht në infrastrukturë, qeveria shqiptare ka plane serioze. “Sapo kemi marrë ofertat e para dhe jemi në fazën e shqyrtimit për të nxjerrë fituesit e bypass të Fierit dhe Vlorës”, u shpreh ai.

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: