Blerina Braka: Kur pasioni është i madh, çdo pengesë kapërcehet

Blerina Braka: Kur pasioni është i madh, çdo pengesë kapërcehet
 

Blerina Braka, me flokët e verdhë, buzët mishtore, shtatin e vogël dhe linjat e lakuara, të kujton ato DIVA-t e kohës së filmave bardhë e zi, sepse prej saj buron një zë brilant që, me sy të parë, nuk e pret. Ka shumë vjet në skenë, e shumë pjesëmarrje në festivale. Fakti që “zhdukjet” nga skena apo ekrani i ka të pakta, tregon për një “luftë” të ethshme për të konkurruar me tregun në qarkullim dhe, mbi të gjitha, për një pasion të madh që vjen nga fëmijëria. Blerina, beratasja bukuroshe, nuk erdhi në skenë rastësisht. Ajo është soprano e arsimuar për kanto, si pak të tjera. Por që, më pas, ndoshta për arsye pragmatiste dhe ekonomike, mendoi të zgjidhte të njihej më shumë nga fansat, si këngëtare e muzikës së lehtë. Le ta njohim më mirë, në këtë rrëfim ekskluziv për Albanian Free Press, sopranon që ndau pasionin mes operës dhe muzikës, Folk-Pop.

 

Intervsistoi për Albanian Free Press, Juela Meçani

 

Sa vjet kanë kaluar nga hera e parë që ke kënduar në një skenë?

 

Me sa kujtoj, duhet të kenë kaluar rreth 25 vjet, nga hera e parë që jam ngjitur në skenë.

 

Pas kaq vitesh, si i kujton fillimet e tua? Më trego më shumë, si dhe kush e zbuloi talentin tënd..

 

Kam jetuar fëmijërinë më të lumtur që mund të jetojë dhe dëshirojë një fëmijë. Ndihesha plot brenda meje, pasi gjithmonë e kisha një arsye pse jetoja. Ndjehesha me fat dhe e privilegjuar që Zoti më kishte dhënë këtë dhunti. Talentin, në fakt, e shpalosa kur isha në shkollën fillore, pasi, gjithmonë, kur kishim orën e muzikës, 45 minuta, mua më ngrinte mësuesja para klasës të këndoja, dhe shokët më duartrokisnin.

 

Çfarë mendon se ke brenda teje nga qyteti i Beratit, nga ti je?

 

Ndoshta, unë jam pak mistreceee, ha ha ha ha

 

Si rrodhi jeta që vazhdove studimet për kanto?

 

Pas shkollës fillore, më dërgoi shkolla në shtëpinë e kulturës së qytetit të Beratit. Aty nisa të këndoja si soliste, në çdo aktivitet që zhvillohej në Berat. Më pas konkurrova për të hyrë në shkollën e muzikës për kanto. Kështu erdha deri në Akademinë e Arteve në Tiranë.

 

Janë të pakta këngëtaret me formim muzikor. A mendon se është kjo një mangësi për to? 

 

Talenti nuk është i domosdoshëm të shoqërohet gjithmonë me shkollimin e po asaj fushe. Shpesh ndodh edhe ndryshe. Mendoj gjithmonë se artist lind, nuk bëhet. Sigurisht duhet përkushtim edhe punë gjatë gjithë kohës, që talenti të perfeksionohet.

 

 

Një material muzikor, kur e ndjen që është për ty?

 

Në të shumtën e rasteve, jam pjesë integrale e këngës, që në momentin kur fillon projekti i këngës, ndërtohet në mënyrën time dhe kjo bën të vijë natyrshëm përshtatja e këngës me mua.

 

Prej rreth 14 vitesh, je thuajse çdo vit me një single të ri. Cili është sekreti që vitet s'e kanë vënë karrierën tënde në gjumë?

 

Më vjen mirë për informacionin tuaj si gazetare. Është e vërtetë që, kënga ime e parë ka qenë në vitin 2003... Jam shkëputur, nga pak, për shkak të mundësive dhe peripecive të jetës. Sigurisht, nuk ishte e lehtë që një vajzë nga qyteti i Beratit, të mbijetonte në kryeqytet. M’u desh punë dhe sakrifica, sepse është normale, të realizohej një këngë kushton shumë. Gjithsesi kur pasioni është i madh, çdo pengesë kapërcehet më lehë.

 

 

Këtë verë, "E jemja" bashkëpunimi me Ervin Bushatin, shëtiti gjithë vendin. Si u prit kënga dhe si lindi bashkëpunimi?

 

Ervinin e kam mik shumë të mirë. Na kanë lidhur punët bashkë dhe bashkëpunimi rrodhi i natyrshëm. Më vjen mirë që kënga është pritur mirë, pasi këtë e vërtetuam në çdo qytet kur kënduam me Maratonën e Këngës. Njerëzit e këndonin bashkë me ne. Kjo quhet sukses.

 

Sa rëndësi i jep ti, sensualitetit në videoklipe?

 

Sigurisht, si çdo femër, edhe unë kam dëshirë të dukem në formën time më të mirë. I jap shumë rëndësi, me mënyrën time edhe pse ndodh që gjithmonë kam rezerva, kërkoj më të mirën.

 

 

Kush merret me imazhin tënd skenik? Këshillohesh me mikeshat për këtë?

 

Përgjithësisht, merrem vetë, por ka edhe raste që bashkëpunoj me kurues imazhi.

 

Ke ti, vetë, një këngë të preferuar nga të tuat?

Nuk po di që t’i ndaj, pasi të gjitha i kam bërë me përkushtimin maksimal. E vështirë është të veçoj njërën prej tyre.

 

 

Kur shikon videoklipe të hershme të tuat, je kritike?

Jam shume kritike. Çuditem, se atëherë na dukej vetja OK. Por me kalimin e viteve, artisti ndryshon mendim e vizion.

 

 

Çfarë të reja ke për vjeshtën që sapo hyri? Ke në plan të jesh në skenat e festivaleve?

Sapo kam përfunduar këngën time më të re, të cilën do ta performoj në festivalin "Kënga Magjike".

 

Cilat janë cilësitë që vlerëson në një bashkëpunëtor?

Vullnetin edhe durimin për të përfunduar një punë, ashtu siç duhet.

 

Po në një mik a mikeshë?

Çiltërsinë. Mjaft e rëndësishme është për mua që njerëzit të më japin energji pozitive.

 

Si e mban zërin në formë? Po fizikun?

Zërin në formë e mbaj me punë, mbi fizikun jam paksa dembele, nuk para e ushtroj.

 

Nga kanto klasike, në folk ose pop. Kur ndodhi kalimi?

Kalimi ndodhi qysh në momentin e parë që u përballa me realitetin, pas përfundimit të Akademisë së Arteve.

 

Të pëlqejnë apo të mërzisin kritikat?

Kam nevojë për kritikat, sepse ato më bëjnë mos t’i shikoj gjërat vetëm nga këndvështrimi im.

 

Një dëshirë në sirtar, e ke?

Jo. Fatmirësisht nuk më ka mbetur asnjë!

 

 

Disa nga këngët e repertorit

A më do

Çohu

Baby ime

Danger

Dedikuar Kur të mos jesh më ti – me Aurel Thellimin

E jemja – me Ervin Bushatin (Feat. Santi)

Emocion i parë

Erdhi behari

Fryma ime

Hajde ti - Feat. Kastro Zizo

Hot Stuff

Indiferenca

Kuq e zi këndoj

Më lini vetëm

Mi Chica Ideal - Feat. Lil Koli

Mikja ime - Blerina Braka

Nak Nak - Feat. Big Basta

Ole Ole

S'ka si ne – me Anxhela Peristeri, Aurel Thellimi, Erik Lloshi

Sa do të doja

Se Parfe

Shamikuqja

Shpirt - Feat. Aurel Thellimi

Zogu ti – me Shpat Kasapin

 

 

Shpërndajeni me miqtë tuaj: